Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

Rugova, 1994: Die Kosovaren werden von allen ignoriert, aber sie leben.

Nationalflagge

Në vitin 1994 ndodhesha për vizitë në Prishtinë si anëtar i Komisionit të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Rugova na tha: “Ka ardhur koha që bota ta kuptojë se kosovarët shpërfillen nga të gjithë, por janë gjallë. Thuajini Evropës se ne nuk kërkojmë as bukë, as armë, por përkrahje për luftën tonë demokratike dhe paqësore”. Ky ishte një apel drejtuar të gjitha institucioneve ndërkombëtare që po gabonin. Ai përfundonte me fjalët: “Lufta nuk është e pashmangshme”

Giancarlo Salvoldi

Ibrahim Rugova, udhëheqës shpirtëror dhe politik

E shtunë, 29 mars 2014 –  Ibrahim Rugova zë me të drejtë vend ndër ata për të cilët mund të thuhet: “Lum paqebërësit” e shekullit XX, përkrah Gandit, Martin Luther Kingut, Gjon Palit II, Mihail Gorbaçovit, Jicak Rabinit, Nelson Mandelës dhe Dalai Lamës. Mund të shtrohet pyetja nëse ai fitoi apo humbi. Unë mendoj se kjo pyetje vlen për të gjithë përkrahësit e mosdhunës dhe se, për të gjithë, përgjigjja nuk mund të jetë veçse e ndërlikuar: në disa rrafshe ata humbën, por në të tjera fituan dhe po e çojnë përpara ndërgjegjen dhe gjendjen e njerëzimit.

Rugova ishte njëherazi i dobët dhe i fortë. Po si duhet vlerësuar “dobësia” e tij? Si paaftësi apo si strategji e drejtë e atij që kërkon ta arrijë synimin duke hedhur poshtë kulturën sunduese të luftës? Ai u zgjodh fshehurazi president i Kosovës nga qëndresa triumfuese paqësore dhe fitoi; më pas pësoi disfatën që solli shfaqja e qëndresës së armatosur fitimtare; së fundi, u zgjodh zyrtarisht President i Kosovës, e cila e kishte shpallur veten të pavarur.

Analiza e strategjisë së tij dhe e zgjedhjeve vendimtare që bëri na shtyn të shohim se, për të, ishte i vërtetë mendimi i Shën Palit: “Në dobësinë time qëndron forca ime”. Edhe Rugova mund të kishte udhëhequr ushtri kundër Serbisë, siç bëri dhjetë vjet më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës; me autoritetin dhe fuqinë që zotëronte, njerëzit do ta kishin ndjekur. Meqë njerëzimi mbart mbi supe pesë mijë vjet kulturë luftarake, kjo do të kishte qenë rruga më e zakonshme, ajo që të gjithë do ta kishin kuptuar menjëherë.

Por ai i hodhi poshtë rrugët e shkurtra dhe mashtruese të përballjes ushtarake, nëpërmjet së cilës mund të fitohet në disa rrafshe, por dihet se “me luftën humbet gjithçka”. Historia e Kosovës së Rugovës na paraqet një tablo të qartë dhe një udhë ndriçuese për dy rrugët që një popull mund të ndjekë për të arritur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë.

Rugova e kultivoi personalisht rritjen dhe zhvillimin e vet shpirtëror, prej të cilave buronte lartësia e tij morale, që i dha autoritet dhe forcë. Para së gjithash, ai diti të përshkonte një udhë shpirtërore në harmoni me kulturën e popullit të tij dhe arriti ta udhëhiqte atë në rrugë politike që zgjodhën mosdhunën si strategji morale, politike dhe “ushtarake” përballë ushtrive të të tjerëve.

Ashtu si çdo udhëheqës i madh paqësor, atij iu desh ta mbronte zgjedhjen e vet kundër gjithçkaje dhe kundër të gjithëve, duke nisur nga njerëzit e tij. Për të vlerësuar madhështinë e këtij Udhëheqësi – dhe nuk them President, sepse kjo do ta zvogëlonte figurën e tij – duhet mbajtur parasysh se ai kishte përpara shumë sfida, secila prej të cilave krijonte kundërthënie në dukje të papajtueshme. Këtu mund vetëm t’i rendis, ndonëse do të ishte me interes të shqyrtoheshin më thellë.

Ai kërkonte pavarësi nga një Serbi që, në vend se ta jepte atë, parapëlqente luftën. Kërkonte pavarësinë e një shteti me popullsi 95 për qind myslimane. Dëshironte ta çonte një popull nga kultura e hakmarrjes drejt kulturës së faljes. U kërkonte bashkëkombësve të tij myslimanë të luftonin kundër regjimit socialist të serbëve të krishterë ortodoksë, ndërkohë që dëshironte të rizbulonte rrënjët e krishtera të Kosovës. Ky ishte një mision i pamundur vetëm me mjetet e politikës, pa një vizion më të lartë për njeriun dhe botën.

Ibrahim Rugova më 1994

Rugova dhe figurat e mëdha të mosdhunës

E mërkurë, 2 prill 2014 – Është me vend një shmangie e shkurtër, e cila na ndihmon të kuptojmë më mirë dinamikat me të cilat duhet të përballet strategjia e mosdhunës, si edhe rreziqet që mori mbi vete Ibrahim Rugova – rreziqe që janë të njëjta, në çdo kohë dhe në çdo vend, për përkrahësit e mosdhunës që mbajnë përgjegjësi të mëdha politike.

Ndonjëherë këta njerëz, të cilët nuk duan të jenë armiq të askujt, vriten prej armiqve, sikurse Martin Luther Kingu; ose bëhen objekt atentatesh, sikurse Gjon Pali II, të cilin një fanatik islamik u përpoq ta vriste dhe që u mbijetoi plumbave si pasojë e një mrekullie të vërtetë. Herë të tjera, ata asgjësohen nga dikush brenda bashkësisë së tyre: Gandi u vra nga një hindu, Rabini nga një hebre, ndërsa John dhe Robert Kennedy – edhe për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj luftës – nuk u vranë nga sovjetikët, por nga amerikanët.

Gorbaçovi ishte shumë i dashur, por edhe i urryer egërsisht, sepse lejoi që komunizmi të binte pa përdorur potencialin e përbindshëm luftarak që kishte në dispozicion. Sikur të kishte vepruar me logjikën e Hitlerit përballë fundit të nazizmit – “Le të vdesë Samsoni bashkë me të gjithë filistinët” – bota do të ishte zhytur në Luftën e Tretë Botërore, me holokaustin bërthamor si pasojë.

Kur u gjendën në udhëkryq, këta njerëz bënë zgjedhje të vështira, të cilat nuk duhen gjykuar me masën e luftës, por me atë të mosdhunës. E kuptoj se deri këtu kam folur vetëm për burra, sepse të pakta janë gratë që bëhen udhëheqëse politike, si prijësja e opozitës në Birmani, zonja Aung San Suu Kyi, përkrahëse e mosdhunës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen.

Megjithatë, janë të shumta gratë që punojnë tokën dhe përgatisin kushtet për një angazhim paqësor deri në vdekje. Besoj se është e drejtë t’i kujtojmë dhe, nëse është e mundur, ta thellojmë njohjen e mendimit dhe të veprimtarisë së tyre në shërbim të paqes: Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur pikërisht në Kosovë; Edith Stein, grua hebreje, më pas murgeshë dhe martire në kampin e shfarosjes; Etty Hillesum, gjithashtu grua hebreje dhe martire në kampin e shfarosjes; Simone Weil, grua hebreje, filozofe, fillimisht komuniste e më pas e dashuruar me Krishtin; motër Dorothy Stang, «martirja e parë e Krijimit», e vrarë në vitin 2005 sepse, e paarmatosur, mbronte popullsitë indigjene dhe pyllin e Amazonës; motër Lionella, e vrarë nga Al-Kaeda në Somali në vitin 2006, sepse kishte ndërtuar një spital ku, e paarmatosur, mjekonte vajzat viktima të gjymtimeve seksuale.

Mendoj se kuadri brenda të cilit duhen vendosur gjykimet mbi përkrahësit e mosdhunës është shumë i gjerë. Rugova nuk u kuptua drejt kur vepronte si President i Kosovës: të gjithë e lavdëronin me fjalë, por në të vërtetë askush nuk e dëgjonte. Edhe pas vdekjes u tradhtua nga ata që e shihnin me simpati, por që, në thelb, e vlerësonin me të njëjtat kritere që përdoren për çdo kryetar të zakonshëm shteti.

Është e gabuar që strategjia e Rugovës të gjykohet me kritere ushtarake. Po ashtu, është e gabuar që politika e tij e paarmatosur të vlerësohet me të njëjtat parametra që përdoren për presidentët të cilët janë njëherazi komandantë supremë të forcave të armatosura.

Të paktën përkrahësit e mosdhunës duhet të reflektojnë dhe të gjykojnë duke u nisur nga një vizion më i lartë dhe më i plotë i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe, mbi të gjitha, ndërmjet popujve. Ata duhet të kuptojnë frymëmarrjen e gjerë të mënyrës paqësore të të bërit politikë, e vetëdijshme se është e re, eksperimentale, utopike dhe “e dobët”: për domosdoshmëri dhe për zgjedhje.

Nuk bëhet fjalë për të krahasuar linja të ndryshme politike, por kategori të ndryshme kulturore: nga njëra anë, ato që lindin prej udhëve kryesisht shpirtërore dhe, rrjedhimisht, paqësore; nga ana tjetër, ato që mbështeten para së gjithash në analiza ekonomike, sociologjike dhe politike, të cilat, nga vetë natyra e tyre, janë luftarake.

Është krejt e qartë se rezultatet e mosdhunës së Rugovës dhe të popullit të tij duhet t’i vlerësojmë sipas kategorisë së paqes. Kështu mund të themi me siguri të plotë se askush në botë nuk do ta kishte ditur çfarë ishte Kosova, po të mos kishte qenë Rugova me mosdhunën e tij. Edhe Hashim Thaçi, presidenti i atëhershëm i Kosovës, i ardhur nga drejtuesit më të lartë të UÇK-së, pa periudhën politike të Rugovës do të ishte zhdukur në parëndësinë e një gueriljeje të zakonshme ballkanike.

Rugova ishte shprehja e një grupi të gjerë intelektualësh paqësorë, ndër të cilët mund të përmendim Anton Çettën, Adem Demaçin, Fehmi Aganin, Veton Surroin, Nikë Prelën dhe Lush Gjergjin. Të gjithë i përkisnin etnisë shqiptare; nga pikëpamja fetare ishin myslimanë dhe politikisht pjesëtarë të partisë së vetme komuniste, me përjashtim të Prelës, Ϛetës dhe Gjergjit, të cilët ishin të krishterë katolikë.

Rugova u gjend në pozitën e përkrahësit të mosdhunës, me një kulturë myslimane pas vetes dhe me një teserë komuniste në xhep. Politikisht nuk kishte rrugë tjetër. Si besimtar, ai jetonte gjendjen e veçantë të kosovarëve, pasardhës të ilirëve të lashtë, të cilët deri rreth vitit 1500 kishin qenë të krishterë dhe më pas ishin detyruar të kalonin në Islam si pasojë e shtypjes çnjerëzore.

Në rrafshe të ndryshme shfaqet fuqia e fesë së hershme të krishterë në kulturën shqiptare dhe në atë të Rugovës. Përsiatja jonë mbi Rugovën nuk synon të jetë thjesht përkujtimi i një figure të rëndësishme të Evropës bashkëkohore, por një mënyrë për të vlerësuar historinë e jashtëzakonshme të një populli dhe për të mbledhur të gjitha mësimet që ajo përmban.

Këto mësime lidhen, nga ana pozitive, me arritjet e mëdha të Rugovës dhe të kosovarëve dhe, nga ana negative – por jo më pak e dobishme –, me gabimet e bëra prej atyre që u përfshinë në atë histori. Prandaj ato kanë të bëjnë edhe me të sotmen e Ballkanit, të Evropës dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Problemi kryesor, që shkaktoi të gjitha gabimet, ishte dhe vazhdon të jetë fakti se vetëm pak njerëz i besuan fuqisë së mosdhunës, e cila është një proces ndërgjegjësimi dhe pjesëmarrjeje popullore në çastet vendimtare të historisë.

Historia e një edukimi drejt faljes dhe dashurisë

E diel, 6 prill 2014 – Nuk i kishte mbushur ende dy vjeç kur, në vitin 1945, komunistët e brigadave jugosllave të sigurimit, OZNA-s, i vranë të atin, i cili luftonte në ushtrinë shqiptare për çlirimin dhe autonominë e Kosovës. Gjyshi kërkonte trupin e të birit, derisa një ditë vendosi ta linte në paqe atë që tashmë kishte vdekur, për “t’iu kushtuar nipit që më ka dhënë Providenca”.

Në vend që ta edukonte për hakmarrje, siç do të kishte qenë e zakonshme dhe madje e detyrueshme sipas normave të shoqërisë së tij, gjyshi i përsëriste vazhdimisht: “Babai yt nuk u vra nga populli serb, por nga ushtria komuniste serbe”.

Familja Rugova, zyrtarisht myslimane, e edukoi presidentin e ardhshëm paqësor me vlerat themelore të fesë së lashtë të krishterë: faljen dhe dashurinë. Besoj se ky fakt biografik, të cilin askush nuk e rrëfen sepse është i sikletshëm, është më i rëndësishmi në jetën e këtij njeriu. Ai pasqyrohet në tërë jetën e tij dhe na lejon të dallojmë kuptimin e sjelljeve dhe të zgjedhjeve të tij, madje edhe të atyre që duken “jopolitike”.

Besoj se jeta e Rugovës është ndërthurur pazgjidhshmërisht me jetën e popullit të Kosovës dhe se ato pasqyrohen te njëra-tjetra: duke u nisur nga rrënjët kulturore, duke u zhvilluar në ngjarjet shoqërore e politike për të cilat do të flasim dhe duke u drejtuar drejt një përfundimi që, ndoshta, do të jetë i përbashkët.

Kur Serbia e Millosheviqit asgjësoi klasën politike të vendit të tyre, Rugova dhe intelektualët u gjendën përballë detyrës së rëndë, të cilën nuk e kishin zgjedhur, për ta zëvendësuar politikën nëpërmjet veprimtarisë kulturore dhe shoqërore. Edhe kjo duhet mbajtur parasysh kur vlerësohet grupi drejtues i lëvizjes paqësore: ata u thirrën me brohoritjen e popullit të ushtronin një mjeshtëri që nuk ishte e tyrja.

Rugova kishte studiuar në Sorbonën e Parisit me Roland Barthes-in, me të cilin kishte thelluar marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe dijes. Në vitin 1980 botoi veprën “Strategjia e kuptimit”, ku e konsideronte letërsinë si të vetmen mundësi qëndrese.

Gjatë atyre viteve iu desh të ndërgjegjësohej për rolin që populli i kërkonte të merrte mbi vete, së bashku me intelektualët e tjerë. Për këtë arsye filloi të vepronte në mënyrë të tillë që u përjashtua nga Partia Komuniste me akuzën e rëndë të nacionalizmit.

Kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, ai u bë udhëheqësi i saj dhe arriti fitore dërrmuese, njëra pas tjetrës, në zgjedhje. Pikërisht këto fitore – që tregojnë se deri në ç’masë propozimi i tij përkrahej dhe ishte fitimtar – i mundësuan të vazhdonte në rrugën e mosdhunës, megjithëse kishte tepër forca të brendshme dhe ndërkombëtare që e pengonin ose që, sidoqoftë, nuk ditën ta kuptonin fuqinë dhe mundësinë që ajo përfaqësonte.

Siç është thënë, shumë njerëz e gjykuan mosdhunën e Rugovës si dobësi. Por ata nuk përsiatën kurrë mbi një fakt tronditës, i cili tregon sa i lartë ishte moralisht propozimi i Rugovës dhe sa më i miri – madje i vetmi i zbatueshëm – ishte politikisht.

E kam fjalën për faktin se në fazën dramatike të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të fillimit të luftës së armatosur në vitin 1998, ajo kishte 25.000 pjesëtarë. Në një çast të caktuar, kjo ushtri u gjend e rrethuar në qytetet që kishte çliruar dhe numri i luftëtarëve të saj ishte pakësuar në 3.000. Po të mos kishte ndërhyrë NATO-ja, UÇK-ja do të ishte asgjësuar.

Kjo ishte pikërisht analiza e Rugovës dhe drejtësinë e saj e vërtetuan ngjarjet. Prandaj, edhe në këtë pikë, unë nuk e konsideroj Rugovën të dobët, por të madh. Mirëpo, nëse është kështu, atëherë në skenën ndërkombëtare vërtetohet gabimi i protagonistëve të luftës së Kosovës.

Rrjedhimisht, mund të jepet pa mëdyshje një gjykim pozitiv edhe për shtrëngimin e dorës ndërmjet Rugovës dhe Millosheviqit. Kur tashmë flisnin armët, ai shkoi në Beograd për një përpjekje të fundit që t’i jepte zë bisedimeve.

Gjesti ishte tronditës dhe pamjet e tij bënë xhiron e botës. Për përkrahësit e luftës, kjo ishte prova se Presidenti i ishte dorëzuar armikut dhe po e tradhtonte popullin e vet. Pas atyre pamjeve, ai u zhduk për një periudhë të gjatë, duke qenë në të vërtetë rob i serbëve, dhe në fund shkoi në mërgim në Romë. Për të kjo ishte një dhembje e madhe, e cila po e copëtonte edhe popullin e tij.

Mbaj mend se në ato ditë më thirrën disa miq kosovarë të mërguar në Evropë, për një shfaqje dhe tubim në Piazza della Scala të Milanos. Kur përmendja Rugovën, nga turma shpërthente një brohoritje; kur përmendja UÇK-në, shpërthente një tjetër. Populli dëshironte njëherazi udhëheqësin e vet paqësor dhe një ushtri që ta mbronte.

Në shfaqjen teatrore dukeshin vajza kosovare me kostumet e tyre të mrekullueshme tradicionale, duke vallëzuar nën tingujt e muzikës së gëzueshme. Më pas, po ato vajza hynin vrullshëm në skenë me uniforma kamuflazhi dhe çizme ushtarake. Të dyja pamjet ngjallnin një entuziazëm të madh, ndërsa mua më ngrinte gjaku.

Në vitin 1994 ndodhesha për vizitë në Prishtinë si anëtar i Komisionit të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Rugova na tha: “Ka ardhur koha që bota ta kuptojë se kosovarët shpërfillen nga të gjithë, por janë gjallë. Thuajini Evropës se ne nuk kërkojmë as bukë, as armë, por përkrahje për luftën tonë demokratike dhe paqësore”.

Ky ishte një apel drejtuar të gjitha institucioneve ndërkombëtare që po gabonin. Ai përfundonte me fjalët: “Lufta nuk është e pashmangshme”.

Autor: Salvoldi, Giancarlo. Redaktor: Leonardi, Enrico. Burimi: CulturaCattolica.it. Nga italishtja:  Enik Pogaçe. Përgatiti për botim: Bejtullah Destani