Recension i librit të Sylë Ukshinit, “Plani ‘Patkoi’ – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës”, “Artini”, Prishtinë, 2026, 368 faqe
Sadik Mehmeti
Në botën akademike merret i mirëqenë fakti se vlera e një libri nuk matet vetëm me temën që trajton, por edhe me pyetjet që ngre, debatet që nxit dhe perspektivat e reja që hap për studiuesit dhe lexuesit. Në këtë drejtim, monografia e prof. dr. Sylë Ukshinit, “Plani ‘Patkoi’ – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës”, i përbush denjësisht të gjitha këto kritere dhe si e tillë përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në historiografinë shqiptare dhe në studimet bashkëkohore mbi konfliktet, spastrimin etnik dhe gjenocidin.
Themi kështu sepse, gjatë leximit të kësaj monografie, bindemi se kemi para vetes një studim serioz, të argumentuar dhe të mbështetur në një bazë të gjerë burimore, i cili trajton një nga temat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Në të vërtetë, rëndësia e kësaj vepre përveç temës që trajton, qëndron edhe sepse kemi të bëjmë me studimin e parë monografik dhe deri më sot të vetmin trajtim tërësor shkencor kushtuar Planit “Patkoi”. Ndërsa kjo çështje është përmendur kalimthi dhe është trajtuar më herët në artikuj dhe në analiza të pjesshme, kryesisht nga S. Ukshini, këtu për herë të parë kemi një studim sistematik, të mbështetur në një bazë të gjerë burimore dhe të ndërtuar mbi një metodologji të qartë kërkimore. Prandaj, kjo vepër, dhe këtë duhet thënë që në fillim, përmbush një boshllëk të rëndësishëm në historiografinë shqiptare dhe në literaturën kushtuar luftës së Kosovës.
Vepra është konceptuar dhe strukturuar me kujdes dhe është organizuar në katër kapituj kryesorë, të cilët ndjekin një vijë të qartë kronologjike dhe tematike, duke ndërtuar gradualisht argumentin qendror. Si rrjedhojë, ajo nuk kufizohet në rikonstruktimin e ngjarjeve të viteve 1998–1999, por synon të shpjegojë mekanizmat historikë, politikë, juridikë dhe ideologjikë që çuan në spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht kjo përpjekje për të depërtuar përtej ngjarjes dhe për të analizuar shkaqet e saj afatgjata përbën një nga vlerat më të mëdha të librit.
ebenfalls
Serbiens Strategie der verbrannten Erde im Kosovo
Për këtë arsye, do të ndalem shkurtimisht te disa prej veçorive që, sipas vlerësimit tonë, e bëjnë këtë monografi një kontribut të rëndësishëm në studimet historike, politike dhe juridike që lidhen me Kosovën dhe të kaluarën e saj.
Forma të ndryshme, qëllim i njëjtë: ndryshimi i strukturës etnike të Kosovës
Së pari, një nga meritat themelore të monografisë qëndron në vetë objektin e saj të studimit. Autori nuk e trajton spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998–1999 si një episod të izoluar historik, por si pjesë të një procesi më të gjatë politik dhe ideologjik. Në qendër të analizës së tij qëndron argumenti se politika shtetërore serbe, në periudha të ndryshme historike, ka përdorur forma dhe mekanizma të ndryshëm për realizimin e një qëllimi të njëjtë: ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës në dëm të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, libri e zhvendos vëmendjen nga interpretimet që i shohin ngjarjet e viteve 1998–1999 si produkt të rrethanave të momentit dhe i vendos ato në kuadrin e politikave afatgjata shtetërore serbe. Kjo qasje e bën veprën të rëndësishme jo vetëm për studiuesit e historisë së Kosovës, por edhe për ata që merren me studimin e nacionalizmit, politikave shtetërore dhe konflikteve etnike në Ballkan.
Së dyti, një meritë e veçantë e autorit është qasja ndërdisiplinore që ai ndjek. Formimi i tij në histori dhe drejtësi, i kombinuar me përvojën diplomatike, reflektohet qartë në mënyrën e ndërtimit të argumentit. Së këndejmi, libri ndërthur historiografinë, të drejtën ndërkombëtare, shkencat politike, studimet mbi konfliktet dhe literaturën bashkëkohore mbi gjenocidin, duke i dhënë analizës një dimension më të gjerë interpretues dhe e trajton fenomenin e dhunës në Kosovë në një kontekst më të gjerë sesa vetë periudha e luftës. Kjo qasje e bën studimin më të pasur dhe më të dobishëm për një rreth të gjerë lexuesish. Fenomeni i spastrimit etnik nuk trajtohet vetëm si një ngjarje historike, por edhe si problem politik, juridik, moral dhe shoqëror. Për këtë arsye, libri arrin të komunikojë njëkohësisht me historianin, juristin, politologun dhe studiuesin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Së treti, teza qendrore e monografisë përbën një nga kontributet më të rëndësishme të saj. Autori argumenton se i ashtuquajturi “Plani Patkoi” nuk duhet parë si një dokument i izoluar operacional, por si kulmimi i një doktrine politike me rrënjë të thella në historinë moderne serbe. Pikërisht kjo tezë përbën boshtin konceptual të veprës dhe shpjegon edhe vetë titullin e saj, pra “Plani ‘Patkoi’ – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës”.
Në funksion të këtij argumenti, autori ndjek një vijë historike që fillon me Naçertanijen e Ilija Garashaninit të vitit 1844, vazhdon me projektet kolonizuese dhe elaboratet e Vasa Çubrilloviqit, kalon përmes Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe përfundon me politikat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kështu, lufta e Kosovës dhe spastrimi etnik i viteve 1998–1999 paraqiten si pjesë e një vazhdimësie më të gjatë historike dhe politike.
Veçanërisht i rëndësishëm është trajtimi që autori i bën rolit të propagandës politike dhe kulturore serbe. Sipas tij, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986 kontribuoi në ndërtimin e një narrative që i paraqiste shqiptarët si kërcënim për interesat kombëtare serbe. Kjo narrativë u përhap më pas nga mediat, institucionet shtetërore dhe elitat politike, duke krijuar klimën ideologjike që legjitimoi represionin ndaj shqiptarëve dhe, më vonë, operacionet e dhunshme në Kosovë. Në këtë kuptim, autori me të drejtë thekson se lufta nuk filloi me armët, por shumë më herët, në sferën e ideve, stereotipeve dhe demonizimit të tjetrit. Edhe pse studiues të ndryshëm mund t’i qasen ndryshe kësaj teze, mendoj se autori arrin ta argumentojë atë në mënyrë të strukturuar, koherente dhe të mbështetur në një literaturë të gjerë burimore.
Plani “Patkoi”: nga dokumenti në fakt historik
ebenfalls
Von der Berliner Mauer bis zum Kosovo: Wenn die Geschichte die Schicksale von Nationen miteinander verknüpft
Së katërti, një vend qendror në monografi, e kuptueshme, zë analiza e vetë Planit “Patkoi”. Autori shqyrton me kujdes rrethanat e zbulimit dhe publikimit të tij, debatet që e kanë shoqëruar në opinionin ndërkombëtar dhe polemikat rreth autenticitetit të dokumentit. Megjithatë, ai argumenton se rëndësia e planit nuk qëndron vetëm te ekzistenca ose jo e një dokumenti formal, por te përputhja ndërmjet përmbajtjes së tij të pretenduar dhe asaj që ndodhi realisht në terren – në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Në këtë drejtim, rrethimet e vendbanimeve, terrori sistematik ndaj popullsisë civile, dëbimet masive, vrasjet, djegiet e fshatrave dhe shkatërrimet e organizuara paraqiten si pjesë e një logjike të koordinuar veprimi që synonte ndryshimin e realitetit demografik të Kosovës. Prandaj, “Patkoi” shfaqet si simboli operacional i një politike që u materializua në praktikë përmes dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Një nga meritat e autorit është se ai arrin ta nxjerrë debatin nga kurthi i polemikave mbi ekzistencën ose jo të dokumentit dhe ta kthejë atë te faktet historike. Në vend që të përqendrohet vetëm te emërtimi i planit, ai analizon rezultatet konkrete të politikave të zbatuara në terren, duke e orientuar diskutimin drejt asaj që mund të provohet historikisht dhe dokumentohet burimisht.
Së pesti, një nga kontributet më interesante teorike të librit është analiza e marrëdhënies ndërmjet spastrimit etnik dhe gjenocidit. Autori ndalet me kujdes te dallimet juridike ndërmjet këtyre dy koncepteve, duke theksuar se, ndonëse në planin normativ ato janë të dallueshme, në praktikën historike kufiri ndërmjet tyre nuk është gjithmonë i prerë. Në rastin e Kosovës, ai argumenton se këto dukuri nuk mund të trajtohen si kategori plotësisht të shkëputura nga njëra-tjetra, por kërkojnë një lexim të ndërthurur historik, juridik dhe sociologjik. Në këtë mënyrë, libri tejkalon interpretimet strikte juridike dhe hap hapësirë për një debat më të gjerë shkencor mbi natyrën e dhunës masive.
Në këtë kontekst, autori sjell në diskutim literaturën bashkëkohore mbi gjenocidin, si dhe vlerësimet e personaliteteve ndërkombëtare. Veçanërisht me rëndësi është referimi ndaj ish-kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Klaus Naumann, i cili, siç citohet në libër, nuk e kualifikon juridikisht rastin e Kosovës si gjenocid, por thekson ekzistencën e një sërë indikatorësh dhe elementesh që mund të interpretohen si tregues të një tendence gjenocidale. Sipas K. Naumann, operacionet serbe në Kosovë nuk ishin reagim ndaj UÇK-së apo një pasojë e bombardimeve të NATO-s, por përmbanin shenja të një përgatitjeje më të hershme për një operacion të gjerë kundër popullsisë shqiptare. Në këtë kuadër, ai i referohet edhe informacioneve të inteligjencës dhe diskurseve të kohës, të cilat sugjeronin ekzistencën e një vizioni për një “zgjidhje përfundimtare” të çështjes së Kosovës. Në këtë drejtim, vlerësimet e Naumannit nuk paraqiten si konstatim juridik mbi gjenocidin, por si një seri vëzhgimesh që lidhen me mënyrën se si është konceptuar dhe zhvilluar operacioni ushtarak dhe politik në terren. Pikërisht për këtë arsye, këto elemente marrin rëndësi në kuadër të debatit më të gjerë në studimet mbi gjenocidin (R. Lemkin, M. Shaw, D. Moses), ku analiza nuk kufizohet vetëm në vendime juridike, por edhe në struktura, qëllime dhe procese që mund të shfaqin karakteristika të një tendence gjenocidale.
Nga debati mbi “Patkoin” te realiteti i krimeve në terren
Së gjashti, me interes të veçantë e konsiderojmë trajtimin që autori i kushton rolit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ai argumenton se fokusi i Tribunalit ishte kryesisht te provat konkrete të krimeve, te zinxhiri komandues dhe te përgjegjësitë individuale e institucionale, e jo domosdoshmërisht tek ekzistenca e një dokumenti të vetëm me emrin “Patkoi”.
Në këtë mënyrë, autori tërheq vëmendjen ndaj një paradoksi të rëndësishëm: debati publik dhe politik shpesh është përqendruar tek autenticiteti i dokumentit, ndërsa në plan të dytë kanë mbetur vetë krimet, dëbimet masive dhe vuajtjet e popullsisë civile.
Së shtati, libri nuk mbetet vetëm në analizën e së kaluarës, por shtron edhe çështje që lidhen me të tashmen dhe të ardhmen. Autori trajton ndikimin që trashëgimia e këtyre ngjarjeve vazhdon të ketë në politikën e kujtesës, në proceset e drejtësisë tranzicionale, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai argumenton se pa një përballje të ndershme me të kaluarën, pa njohjen e fakteve historike dhe pa respektimin e viktimave, është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjata ndërmjet popujve. Në këtë kuptim, vepra tejkalon kornizën e një studimi mbi historinë e afërt të Kosovës dhe shndërrohet edhe në një reflektim mbi sfidat e paqes, pajtimit dhe ndërtimit të kulturës së kujtesës në rajon-Ballkan.
Abschluss
ebenfalls
Texte aus der „Kulturbeilage“ von „KOHË Ditore“, 16. August 2026
Nga sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se monografia “Plani ‘Patkoi’ – vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës” e autorit Sylë Ukshini përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në studimet historike, politike dhe juridike mbi Kosovën. Një nga vlerat më të mëdha të saj është se nuk kufizohet vetëm në rikonstruktimin e ngjarjeve, por përpiqet të shpjegojë logjikën, motivet dhe vazhdimësinë historike që qëndrojnë pas tyre.
Në vlerësimin tonë, kjo vepër përbën një kontribut serioz akademik, sepse nxit debat shkencor, interpretim kritik dhe reflektim të thelluar mbi një nga temat më të ndjeshme të historisë bashkëkohore të Kosovës. Si monografia e parë dhe e vetme kushtuar në mënyrë tërësore Planit “Patkoi”, ajo meriton të zërë një vend të rëndësishëm në literaturën shkencore shqiptare dhe të shërbejë si pikë referimi për studiuesit e historisë së Kosovës, të Ballkanit dhe të studimeve mbi dhunën masive. Për këtë arsye, përkthimi i saj në gjuhën angleze do të ishte jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për t’i dhënë kësaj vepre jehonën dhe audiencën ndërkombëtare që meriton, veçanërisht në një kohë kur interpretimet e luftës së Kosovës vazhdojnë të jenë objekt debatesh historiografike, juridike dhe politike.