Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

„Nullpunktzahl“, in der der Körper zur Stimme wird und nach Befreiung von der Bedeutung strebt

Elena Boillat

Në konceptin e veprës, trupi dhe zëri funksionojnë njëkohësisht si instrument dhe subjekt. Sipas këtij koncepti, Boillat eksploron aparatin e saj vokal për të krijuar një gjuhë përtej fjalëve, duke alternuar këndimin disfonik, rezonatorët, frymëmarrjen dhe momente të gjata qetësie (Foto: Arben Llapashtica)

“Partitura Zero” është sjellë në Prishtinë nga Boillat, në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit “DAM”, në një shfaqje intime në qendrën “Barabar”, ku performanca është ndjekur nga një publik prej rreth 25 vetash. E realizuar fillimisht më 2024, vepra eksploron zërin njerëzor jo si bartës të fjalës e të kuptimit, por si material fizik, vibrues dhe i gjallë

Në hapësirën e zhveshur nga gjithçka e tepërt, trupi i artistes italiane-zvicerane Elena Boillat është shndërruar në instrument. Frymëmarrja, lëvizja, rezistenca fizike dhe tingulli janë ndërthurur në përvojë performance që nuk kërkon të rrëfejë një histori të vetme, por ta lërë secilin spektator të ndërtojë të veten.

“Partitura Zero” është sjellë në Prishtinë nga Boillat, në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit “DAM”, në një shfaqje intime në qendrën “Barabar”, ku performanca është ndjekur nga një publik prej rreth 25 vetash. E realizuar fillimisht më 2024, vepra eksploron zërin njerëzor jo si bartës të fjalës e të kuptimit, por si material fizik, vibrues dhe i gjallë.

Në konceptin e veprës, trupi dhe zëri funksionojnë njëkohësisht si instrument dhe subjekt. Sipas këtij koncepti, Boillat eksploron aparatin e saj vokal për të krijuar një gjuhë përtej fjalëve, duke alternuar këndimin disfonik, rezonatorët, frymëmarrjen dhe momente të gjata qetësie. Vetë përshkrimi i veprës e vendos atë në kërkim të një “gjuhe të çliruar nga pesha e kuptimit”, duke u mbështetur në strukturën e formës së sonatës dhe në disa rituale.

Për Dardan Selimajn, drejtorin artistik të Festivalit “DAM”, prezantimi i kësaj vepre lidhet drejtpërdrejt me dimensionin eksperimental që festivali ka kultivuar ndër vite.

“Ngjarja e dytë është platforma e cila brenda ‘DAM’-it përherë ka synuar të sjellë eksperimentimin e artistëve në një proces laborator i cili prej pikës zero vjen në një pikë siç është performanca. Elena është artiste e cila ka qenë në Prishtinë sepse është duke zhvilluar një projekt tjetër që bazën e hulumtimit dhe gjithçka tjetër, e ka në Prishtinë. Kështu e kam njohur atë”, ka thënë ai.

Ka konsideruar se performancë e artistes i përshtatet platformës së festivalit.

“Duke hulumtuar karrierën, biografinë, performancat e saj, ‘Partitura Zero’ kam menduar se është performanca e cila – ndonëse në rrethanat dhe kushtet tona mund të jetë audiencë shumë e limituar – e përfaqëson platformën të cilën ‘DAM’ e ka sjellë ndër vite, që është elementi eksperimental. Përndryshe, ajo është një vokaliste e jashtëzakonshme, dhe kam konsideruar që është interesant të shihet dhe të dëgjohet një zë njerëzor që arrin të eksperimentojë me vokalin në nivele të tilla”, ka thënë ai.

Prania e Boillat në Prishtinë nuk ka nisur me “Partitura Zero”. Artistja ka qëndruar në kryeqytet gjatë shkurtit, në kuadër të një hulumtimi që lidhet me veprën e saj të ardhshme “Oracola”. Hulumtimi është përqendruar te ezani, thirrja islame, dhe te mundësitë e zërit për të krijuar marrëdhënie me hapësirën, trupin dhe dëgjuesin.

Përmes institutit “Sekhmet”, ku ajo ishte pritur gjatë qëndrimit të saj kërkimor, Boillat ka krijuar kontakte me skenën kulturore lokale. Pikërisht nga ky proces ka lindur edhe takimi me Dardan Selimajn dhe ideja që në Prishtinë të prezantohej “Partitura Zero”.

“Kam qëndruar një muaj gjatë shkurtit, në periudhën e Ramazanit. E zgjodha pikërisht këtë periudhë sepse kërkimi im i radhës lidhet me thirrjen islame për falje, ezanin. Natyrisht, unë e studioj ezanin në një mënyrë shumë vokale dhe përmes ushtrimeve, sepse puna ime lidhet me zërin dhe trupin. E nisa kërkimin dhe gjatë këtyre muajve, gjëja e parë që u përpoqa të bëja ishte të krijoja një lidhje me Prishtinën – të lidhesha me njerëzit, me të gjithë ata që punojnë dhe merren me art në Prishtinë. Takova Nina Shalën, e cila më sugjeroi disa njerëz që gjithashtu e këndojnë ezanin. Kështu nisa kërkimin tim muzikor”, ka treguar artistja Boillat duke treguar sesi ndodhi që vepra e saj, pa planifikim, të shfaqej në Prishtinë.

“Në këtë mënyrë takova Dardanin dhe dolëm për kafe. Nisëm të flisnim për praktikën time artistike dhe ai më tha se këtë verë do të shënohej 20-vjetori i Festivalit ‘DAM’. Më shpjegoi se bëhej fjalë për një festival shumë eksperimental. Për mua kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse edhe puna ime artistike është më eksperimentale. Prandaj, është e rëndësishme që festivali t’u kushtojë vëmendje praktikave të tilla eksperimentale”, ka treguar ajo.

Në “Partitura Zero”, nuk ka personazhe, dialog apo një histori që duhet ndjekur nga fillimi deri në fund. Ajo e largon fjalën për t’i dhënë zërit një tjetër funksion – të bëhet vetë material i performancës.

Trupi i saj herë është në lëvizje e herë në qetësi. Zëri shpërthen, zgjatet, dridhet dhe më pas tërhiqet. Në imazhin e performancës, trupi i vendosur në një hapësirë të zhveshur e të ndriçuar thjesht krijon ndjesinë e një figure që duket njëkohësisht e brishtë dhe e përqendruar.

“Gjëja kryesore është se brenda kësaj performance nuk ekziston një histori e mirëfilltë. Unë punoj për t’i larguar kuptimet që lidhen me gjuhën. Prandaj përdor zërin pa përdorur fjalë, fjali, tekste apo poezi. Përdor vetëm tingullin e zërit dhe rezonatorët. Natyrisht, siç thoni ju, ekziston një lloj rrjedhe, një vijë që e përshkon performancën, por secili mund të shohë atë që dëshiron. Secili mund të krijojë rrugën e vet, perspektivën e vet, historinë dhe kujtesën e vet”, ka shpjeguar vetë autorja e veprës.

Ka thënë se pjesa e fundit është pjesa më e fuqishme e veprës.

“Për mua, momenti në fund është shumë i fuqishëm. Deri në atë pikë, mund t’ju shoh shumë mirë, sepse jam brenda këtij trupi dhe këtij zëri. Por në fund, ky moment është gjithashtu shumë intensiv për mua, sepse unë ju jap diçka, por edhe ju më jepni diçka mua. Ekziston ky shkëmbim i shikimeve, i cili për mua është shumë i rëndësishëm, shumë njerëzor dhe autentik. Pikërisht këtë autenticitet përpiqem ta arrij në artet performuese. Për mua është i rëndësishëm ky shkëmbim njerëzor me publikun, me njerëzit që janë përballë meje”, është shprehur ajo.

Kjo marrëdhënie mes trupit, zërit dhe publikut është në qendër të praktikës së Boillat. Artistja është trajnuar në arte, muzikë dhe arte performuese në Universitetin e Firences dhe më pas si valltare dhe performuese në Accademia Paolo Grassi në Milano. Në rrugëtimin e saj artistik ka punuar me mjeshtër e koreografë ndërkombëtarë. Që nga viti 2015 jeton në Ticino dhe vepron në fushën e arteve performuese në Zvicër dhe jashtë saj.

Në vitin 2023 nisi kërkimin e saj të parë të përqendruar te zëri akustik, proces që çoi te “Partitura Zero”, një nga projektet fituese të “PREMIO Schweiz 24”. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese e lëvizjes “Ticino is burning”, e cila u nderua me “Swiss Performing Arts Award” më 2022.

Qëndrimi i saj në Prishtinë po shërben si pikënisje për një tjetër punë. “Oracola” po zhvillohet nga hulumtimi mbi ezanin dhe mbi mënyrën se si një zë mund të kalojë përtej funksionit të tij të drejtpërdrejtë dhe të bëhet përvojë fizike e dëgjimore.

“Premiera do të jetë më 27 mars në Lugano. Ndërkohë, vazhdojmë të punojmë me institutin ‘Sekhmet’, i cili më priti gjatë periudhës së kërkimit tim përmes Dardan Hotit. Po përpiqemi të gjejmë një hapësirë në Prishtinë, ndoshta edhe me bashkëpunëtorë të tjerë. Ende nuk e dimë se me kë, ndoshta me ndonjë festival këtu. Mund të krijojmë një dialog edhe me festivale të tjera, për të gjetur një hapësirë në qytet ku performanca të mund të prezantohet pas premierës së marsit, ndoshta gjatë verës ose vjeshtës së vitit 2027”, ka thënë Boillat.

Për Dardan Hotin, aktivist të skenës kulturore dhe drejtor i Institutit “Sekhmet”, vepra ka qenë shumë e fuqishme.

“Ishte shumë e fuqishme dhe pak e pabesueshme sesi një trup njeriu mund ta bëjë balancën midis zërit, lëvizjeve të trupit dhe frymëmarrjes. Ishte e fuqishme të shohësh sesi një trup i njeriut mundet të shndërrohet në disa forma. Nganjëherë duket se është shumë trishtuese, nganjëherë sikur po çel diçka. Ai zë të mbante, por edhe ta merrte vëmendjen. Të merrte me veten. Artistja, në trupin, në zërin, përqendrimin e saj, po ashtu në balancën e trupit dhe prezencën që trupi i saj e kishte në hapësirë, ishte pak e pabesueshme”, ka thënë ai.

Ka bërë me dije se bashkëpunimi me të ka lindur krejt rastësisht.

“Elena ka qenë për një muaj në Prishtinë, në shkurt. E ka bërë një hulumtim dhe ne si organizatë ‘Sekhmet’ e kemi pranuar si artiste. Kjo ka qenë vetëm faza e hulumtimit dhe tash është duke punuar për prodhim. Ne jemi bashkëprodhues të punës që po e sjell ajo. Premierën do ta ketë në mars në Zvicër, ndërsa premierën në Kosovë po tentojmë ta sjellim rreth muajit gusht ose shtator. Është një bashkëpunim që ka lindur krejt rastësisht nga një takim i rastësishëm vitin e kaluar ku Elena e ka vizituar hapësirën tonë të Institutit”, ka thënë ai.

Në skenën e qendrës “Barabar”, “Partitura Zero” e ka bërë marrëdhënien e publikut me artisten shumë të drejtpërdrejtë. Midis tingullit dhe heshtjes, performanca e Boillat e ka gjetur një nga pikat e saj më të forta – aty ku zëri nuk ka më nevojë të thotë diçka për të komunikuar.