Eskepizmi mund të mendohet si një lloj “Kepi i Bermudës” së përvojës njerëzore. Hyni në të duke menduar se po lini pas diçka të caktuar, por humbisni veten. Nuk do të thotë se çdo largim është eskepizëm. Ka largime të tjera që janë të domosdoshme. Ka vende prej të cilave duhet të largoheni, marrëdhënie që duhet t’i përfundoni dhe rrethana që nuk mund të ndryshohen pa u ndërprerë më parë lidhja me to
Ka momente kur dëshira për t’u larguar pushon së qeni thjesht dëshirë për ndryshim dhe fillon të shndërrohet në nevojë për arratisje. Mund të jetë largimi nga një vend, nga një marrëdhënie, nga një rutinë, nga një identitet i ndërtuar ndër vite apo, në kuptimin më të thellë, nga një realitet me të cilin nuk arrini të bashkëjetoni. Në pamje të parë, eskepizmi duket si një refuzim i realitetit. Në të vërtetë, ai është shumë më kompleks, është mënyra se si individi përpiqet të krijojë distancë nga ajo që nuk arrin, nuk dëshiron ose nuk mund ta përballojë.
Në këtë kuptim, eskepizmi mund të mendohet si një lloj “Kepi i Bermudës” së përvojës njerëzore. Hyni në të duke menduar se po lini pas diçka të caktuar, por humbisni veten. Nuk do të thotë se çdo largim është eskepizëm.
Ka largime të tjera që janë të domosdoshme. Ka vende prej të cilave duhet të largoheni, marrëdhënie që duhet t’i përfundoni dhe rrethana që nuk mund të ndryshohen pa u ndërprerë më parë lidhja me to.
Problemi shfaqet atëherë kur ikja bëhet përgjigjja automatike ndaj çdo forme të parehatisë. Eskepizmi në këto raste nuk është më një akt i vetëm, por bëhet mënyrë e të jetuarit.
Në studimet e lexuara mbi eskepizmin, koncepti është lidhur shpesh me nevojën për të shkëputur përkohësisht vëmendjen nga realiteti i përditshëm, ku njerëzit kërkojnë në mënyrë aktive përvoja që përmbushin nevoja të caktuara psikologjike dhe sociale. Kjo na lejon ta shohim eskepizmin jo vetëm si dobësi, por edhe si strategji përballimi. Ndonjëherë keni nevojë të largoheni për të marrë frymë. Keni nevojë për një udhëtim, një libër, një film, një qytet tjetër, një periudhë izolimi ose thjesht për një hapësirë ku askush nuk ju kërkon të jeni versioni që të tjerët kanë ndërtuar për ju.
Pikërisht këtu duhet bërë dallimi.
Një arratisje e përkohshme mund t’ju ndihmojë të ktheheni në realitet me një perspektivë tjetër. Një arratisje e vazhdueshme mund t’ju bëjë të paaftë për t’u kthyer fare. Nëse çdo vështirësi kërkon një arratisje, atëherë nuk po kërkoni më qetësi, por po shmangni përballjen. Kjo është arsyeja pse eskepizmi është një fenomen kaq i ndërlikuar. Ai mund të jetë njëkohësisht shërues dhe shkatërrues, çlirues dhe kufizues.
Në letërsinë e Kafkës gjejmë një nga përshkrimet të kësaj gjendjeje. Te Kafka, individi shpesh vendoset përballë një bote që nuk arrin ta kuptojë plotësisht dhe në të cilën nuk gjen një vend të qëndrueshëm për veten.
Gregori te “Metamorfoza”, zgjohet një mëngjes i shndërruar në një krijesë të panjohur. Por absurditeti i situatës nuk qëndron vetëm te transformimi fizik. Shndërrimi i tij barazohet me përjashtimin nga familja, nga puna dhe nga identiteti që kishte pasur deri atëherë. Ai nuk bëhet vetëm fizikisht ndryshe, bëhet edhe për të tjerët dhe, përfundimisht, edhe për veten. Ndonjëherë nuk dëshironi të largoheni sepse një vend është domosdoshmërisht i keq. Dëshironi të largoheni sepse versioni juaj brenda atij vendi nuk ju përfaqëson më.
Mund të jetoni për vite në të njëjtin vend dhe të ndiheni gjithnjë e më të huaj. Mund të jeni të rrethuar nga njerëz që njihni prej kohësh dhe përsëri të keni ndjesinë se nuk ju njohin. Mund të keni një jetë që nga jashtë duket e qëndrueshme dhe njëkohësisht të ndieni një nevojë të vazhdueshme për t’u larguar.
Kjo është ajo që Kafka e bën veçanërisht të dukshme, alienimi nuk kërkon domosdoshmërisht vetmi fizike. Mund të jeni në mesin e të tjerëve dhe të jeni krejtësisht të shkëputur prej tyre.
Në këto rrethana, dëshira për të ikur mund të duket si dëshirë për një fillim të ri. Por ajo mund të jetë edhe një përpjekje për të gjetur një hapësirë ku identiteti juaj të mos jetë i paracaktuar nga të tjerët.
Nëse Kafka na vendos përballë individit në një botë të pakuptueshme, Dostojevski e zhvendos konfliktin në një hapësirë edhe më të vështirë, brenda ndërgjegjes.
Te “Shënime nga nëntoka”, njeriu nuk është thjesht viktimë e rrethanave. Ai është një qenie kontradiktore, që mund të dëshirojë njëkohësisht lirinë dhe sigurinë, ndryshimin dhe qëndrueshmërinë, afërsinë dhe izolimin. Ai e dëshiron daljen nga gjendja e vet, por në të njëjtën kohë mund të jetë i paaftë ta pranojë atë dalje.
Këtu eskepizmi merr një kuptim tjetër. Sepse mund të largoheni nga një qytet, por jo nga vetja. Mund të ndryshoni njerëzit përreth, por të mbani të njëjtat frikëra. Mund të filloni një jetë të re, por të sillni me vete të njëjtat konflikte. Mund të kërkoni vazhdimisht një fillim të ri dhe, pas çdo fillimi, të zbuloni të njëjtën zbrazëti.
Dostojevski na detyron të pyesim nëse problemi ndodhet gjithmonë në botën nga e cila dëshirojmë të largohemi. Ndonjëherë ajo që kërkon të ndryshojë nuk është vetëm rrethana, por mënyra se si ne ekzistojmë brenda saj.
A është ikja arratisje?
Ndoshta gabimi më i madh është ta shohim qëndrimin si forcë dhe largimin si dobësi. Ka raste kur të qëndruarit është frikë. Është frika nga e panjohura, nga vetmia, nga gjykimi i të tjerëve ose nga mundësia se pas largimit nuk do të gjeni atë që kërkoni. Por ka edhe raste kur largimi është akti më i madh i vetëruajtjes.
Po kështu, ka raste kur largimi është guxim, por ka edhe raste kur është thjesht shmangie. Prandaj pyetja nuk duhet të jetë nëse duhet të qëndroni apo të largoheni.
Nëse largoheni nga një situatë që po ju shkatërron, largimi mund të jetë fillimi i rikuperimit. Nëse largoheni nga një situatë që thjesht po ju kërkon të ndryshoni, mund të jeni duke shtyrë një përballje që herët a vonë do t’ju ndjekë. Dallimi është i hollë, por thelbësor. Sepse jo çdo gjë që dhemb duhet braktisur. Disa gjëra dhembin sepse po ju shkatërrojnë. Të tjera dhembin sepse po ju kërkojnë të rriteni.
Ikja bëhet e rrezikshme kur largimi nuk ka më destinacion. Kur ju largoheni nga gjithçka. Atëherë çdo vend i ri fillon të duket më i mirë vetëm sepse është i ri.
Çdo marrëdhënie e re duket më e lehtë vetëm sepse ende nuk ka filluar të kërkojë përgjegjësi.
Çdo jetë e imagjinuar duket më e bukur sepse nuk është përballur ende me rutinën. Kështu lind iluzioni i pafund i fillimit.
Një qytet tjetër. Një punë tjetër. Njerëz të tjerë.
Një version tjetër i vetes.
Dhe përsëri, pas një kohe, e njëjta ndjenjë.
Eskepizmi nuk duhet të shihet as si ves dhe as si shpëtim universal. Është një dukuri njerëzore që lind nga tensioni ndërmjet nevojës për t’u larguar dhe nevojës për t’u përballur.
Kafka na tregon individin që ndihet i huaj në një botë që nuk e kupton. Dostojevski na tregon individin që, edhe kur përpiqet të largohet nga bota, mbetet i lidhur me konfliktet e veta të brendshme. Kur duhet të ikni për të shpëtuar veten dhe kur duhet të qëndroni për të ndryshuar veten? Ndoshta nuk ekziston një përgjigje universale. Por një gjë mund të thuhet me siguri, nuk mund të jetoni përgjithmonë duke ikur. Sepse një ditë, pas gjithë udhëtimeve, ndryshimeve dhe fillimeve të reja, do të duhet të përballeni me të vetmen hapësirë prej së cilës nuk mund të arratiseni kaq lehtë: veten.