Pas shfaqjes së filmit amerikan, hit botëror, “The Odyssey” të Christopher Nolanit, nga korriku i këtij viti, me rolet kryesore Matt Damon, si Uliksi, dhe Anne Hathaway, si Penelopa, është aktualizuar dhe është ringjallur Bekim Fehmiu, ku emri i tij si Uliksi, nga seria televizive “L’Odissea” e Franco Rosit, xhiruar më 1968, po shkëlqen më shumë se atëherë dhe gati e ka nxjerrë në hije këtë film shumë të shtrenjtë të regjisorit Nolan me dy aktorët kryesorë. Sepse Bekimi si Uliksi, dhe Irene Papas, si Penelopa, mbeten të papërsëritshëm. Emri i Bekimit sërish po lakohet anembanë botës, në shkrime e reagime të shumta, në favor të famës së tij prej artisti. Duket se edhe shumë shqiptarë të gjeneratave më të reja, që nuk e kanë shikuar serinë televizive italiane “L’Oddisea”, tash po e shohin vlerën e Bekimit të cilin e kanë harruar pushtetet si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë
Odiseu i vërtetë
Ja si e bën përshkrimin krahasues midis Bekim Fehmiut e Matt Damon publicisti dhe shkrimtari, Ben Blushi, në analizën e gjatë të filmit “The Odyssey” të Christopher Nolanit: “Në krahasim me Bekim Fehmiun, Matt Damon duket si një balerin plastik që ka frikë të hidhet mbi dallgët e kohës. Në asnjë çast mendja e tij dinake nuk thotë diçka të zgjuar, nuk zgjidh një krizë, nuk krijon një befasi dhe nuk shkakton një furtunë. Matt Damon nuk është asnjëherë shkaku. Ai është pasoja e vendimeve që marrin forcat e tjera. Në të kundërt Bekim Fehmiu është shkaku i tragjedisë së vet. Troja, gratë, luftërat, tradhtitë, vuajtjet dhe aventurat janë të gjitha pasojë e veprimeve të tij. Odiseu kërkon të ndëshkohet për atë që ka bërë dhe i mbijeton ndëshkimeve duke ndryshuar vendimet e perëndive. Odiseu i Bekim Fehmiut i sfidon perënditë. Kjo është arsyeja pse ai i mbijetoi historisë. Sepse i detyroi perënditë ta kthenin në shtëpi kur e kuptuan se ai ishte i pathyeshëm. Matt Damon nuk ka asnjë nga këto cilësi. Ai duket si një Odise i penduar. Nëse do t’i jepej një mundësi tjetër ai nuk do të bënte më asgjë nga gjërat që ka bërë. Prandaj në fund ikën me gruan në një muaj mjalti duke hedhur poshtë jetën që ka bërë. Pikërisht këtu ndryshon me Bekim Fehmiun. Bekimi nuk shfaq asnjë pendesë. Ai është kokëfortë, i vendosur dhe e ka shijuar jetën e vet. Ai nuk ka asnjë pishman. Do të bënte çdo gjë që ka bërë pa ndryshuar asgjë. Ndryshe nga Matt Damon, Bekim Fehmiu luan, qesh, dashuron, tradhton, rrëzohet, ngrihet dhe niset drejt aventurës së re. Ai nuk ka frikë. Prandaj Bekim Fehmiu është Odiseu më i vërtetë që kemi parë. Ai është Odiseu”.
Braktisi skenën për shkak të diskriminimit të shqiptarëve në Kosovë
Bekim Fehmiu ishte më shumë se aktor, ishte artist me përkushtim të madh profesional, njeri me kode të rrepta njerëzore, profesionale, intelektuale e kombëtare. Me moral, parime, karakter, autoritet, integritet e karizëm të veçantë. Luftëtar i pathyeshëm, i vendosur, kokëfortë, i guximshëm për të vërtetën, lirinë, barazinë, humanizmin. Për njeriun. Ngritja dhe fama e tij, e arritur në suaza ndërkombëtare, ishte simbol i lirisë artistike dhe i profesionalizmit suprem, me të cilin përgjithmonë e shënjoi kinematografinë botërore.
Bekimi, djali i katërt nga prindërit shqiptarë të Kosovës, u lind në Sarajevë, më 1 qershor 1936, ku i bëri hapat e parë në një mjedis multikulturor për ta vazhduar fëmijërinë dhe rininë e vet, deri në moshën madhore, në Prizren, gjithashtu mjedis multietnik e multikulturor. Dhe kjo përzierje unike e kulturave dhe etnive, ia formoi identitetin dhe më vonë edhe vizionin artistik.
ebenfalls
14. April 1987: Der Tag, an dem ganz Jugoslawien zerfiel
Bekimi u bë aktori i parë nga Evropa Lindore që hyri në Hollywood, duke e thyer kështu perden e hekurt të Luftës së Ftohtë bllokiste, dhe tregoi se talenti suprem nuk njeh kufij. Derisa ishte student (i parë shqiptar nga Kosova) në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, debutoi me sukses në një film artistik dhe luajti në një film dokumentar (“Minatorët e Trepçës”) e pas studimeve u pranua në Teatrin Jugosllav të Dramës, po në Beograd, si aktor i parë shqiptar me akademi, dhe vazhdoi të angazhohet në role dytësore e kryesore në shumë filma në Serbi, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni... Por, roli i romit Beli Boro, në filmin “Mbledhësi i puplave”, të cilin Bekimi e luajti mjeshtërisht, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, më 1967, u shpall filmi më i mirë nga kritika dhe publiku, dhe iu dha çmimi “Grand Prix” (por jo edhe “Palma e Artë”). Kjo ia hapi dyert e kinematografisë botërore.
Ndërkaq roli brilant dhe i papërsëritshëm i Uliksit në serinë italiane televizive “L’Odissea”, realizuar nga RAI Uno, më 1968, ia trasoi rrugën e Hollywoodit dhe famën botërore, duke luajtur me sukses rolet kryesore në disa filma, bashkë me emrat më të njohur të aktorëve botërorë të kohës. Në këtë sukses, padyshim, meritë të madhe ka mbështetja që e gjente nga bashkëshortja Branka Petriq, gjithashtu aktore.
Mirëpo, jeta e Bekimit kishte zigzage, ngritje dhe rënie. Derisa shkëlqente në kulmin e karrierës, Jugosllavia pas-titoiste, ku lindi dhe u rrit, po ndryshonte në heshtje dhe në prapaskenë veç ndihej paralajmërimi i stuhisë që së shpejti do ta godiste shtëpinë e tij.
Në prill të vitit 1987, Bekimi pas 20 vjetësh iu kthye teatrit amnor në Beograd, mirëpo me këtë rast bëri një hap që ia ndryshoi përgjithmonë jetën. Në mes të reprizës së shfaqjes “Madam Kolontaj”, ku luante Leninin dhe Stalinin, në Teatrin Jugosllav të Dramës, u largua nga skena në shenjë proteste kundër diskriminimit të shqiptarëve të Kosovës nga ana e pushtetit të atëhershëm serb, në krye me politikanin kryesor partiak, Sllobodan Millosheviqin. Ky akt i guximshëm dhe i rrallë për aktorët, u bë qëndrimi i tij më i fuqishëm kundër padrejtësive, dhunës, diskriminimit dhe urrejtjes, kur artisti i madh zgjodhi njerëzoren para sigurisë së karrierës së vet. Bekimi njëkohësisht dhe publikisht e braktisi edhe skenën filmike në hapësirën e ish- Jugosllavisë, dhe atë në moshën 51-vjeçare, por pa u ndalur vazhdoi të luante në filma dhe seri televizive italiane, kurse më 1992 e luajti edhe njërin nga rolet kryesore në projektin më të madh filmik të kohës “Genghis Khan”, të regjisorit Ken Annakin e Peter Duffell, por që për shkak të mungesës së mjeteve, filmi mbeti i papërfunduar.

Njëzet vjet izolim
Me rritjen e nacionalizmit ekstrem me elemente fashizmi, në fund të viteve tetëdhjetë që filloi në Serbi, Bekimi u bë figurë tragjike. Prejardhja e tij, shqiptar nga Kosova që jetonte në Beograd dhe e do gruan e nacionalitetit serb, e bëri shënjestër të ekstremistëve nga të dyja anët. Për nacionalistët serbë ai u bë i dyshimtë, ndërsa shqiptarët radikalë e shpallën tradhtar duke ia mohuar të gjitha vlerat njerëzore, artistike, kombëtare. Bekimi u tërhoq në izolim për plot 20 vjet, ku ideali i shoqërisë multietnike, ia la vendin urrejtjes. Dhe ky ishte fillimi i dhimbjes së tij personale dhe artistike. Kështu Bekimi u tërhoq vullnetarisht në heshtje e cila nuk ishte shenjë e dorëzimit, por akt i guximit të lartë moral. Derisa shumë njerëz në atë moment, përfshirë edhe artistë e intelektualë zgjodhën anët në konflikte, të udhëhequr nga frika ose interesi, ai zgjodhi dinjitetin. Bekimi nuk donte t’i nënshtrohej atmosferës e cila e mbyste njerëzoren. Për të, të jesh aktor nënkuptonte, para së gjithash, të jesh njeri. E të mbetesh njeri do të thotë të tërhiqesh në vetmi. Izolimi ishte një çmim i rëndë, por Bekimi mbeti besnik ndaj ndërgjegjes së vet. Ky gjest mbetet i shënuar si momenti kur kolosi e sakrifikoi me vetëdije shkëlqimin e karrierës, për hir të ruajtjes së integritetit të vet.
Vitet e fundit të jetës së Bekimit u përshkuan me sfida të vështira dhe probleme shëndetësore. Pas një goditjeje në tru, Bekimi u përball me humbjen e pavarësisë fizike. Për një njeri me atë energji, krenari dhe vitalitet artistik, kjo ishte vuajtje e padurueshme. Megjithatë, pafuqia fizike ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ajo shpirtërorja ishte shumë më e rëndë. Kjo betejë e brendshme ishte e heshtur, por dërmuese. Shikonte se si vlerat e tij jetësore, të cilat i kishte mbrojtur gjithë jetën, po shndërrohen në rrënoja. Nuk deshi t’i bëhej barrë bashkëshortes Branka Petriq, as dy bijve të vet, e as që mundi ta pranojë jetën pa atë aksion dinjitoz që e pati përkufizuar përherë. Ishte kjo lufta për ruajtjen e dinjitetit personal, ku çdo ditë ishte përkujtuese për atë që ka kaluar, por edhe për gjurmën e pashlyeshme që kishte lënë në kinematografinë jugosllave, italiane e botërore.
Në heshtjen me të cilën jetonte, Bekimi u përball me pyetjen ekzistenciale: A kishte vërtet arti fuqinë për ta ndryshuar botën, apo ishte vetëm iluzion i bukur? Pikëllimi i tij nuk ishte vetëm personal, ishte pikëllim i një intelektuali që sheh se si arsyeja po shuhet. Nuk ndiente zemërim ndaj atyre që e kishin harruar, as ndaj atyre që e kishin etiketuar, por një melankoli të thellë për njerëzoren e humbur. Bekimi u bë rob i kujtimeve; i kujtimeve për duartrokitjet në Kanë, për xhirimet në Itali, për Hollywoodin, për fëmijërinë e ngrohtë në Prizren. Dhe derisa koha kalonte, e kuptoi se bota në të cilën kishte jetuar, nuk ekzistonte më.
ebenfalls
Bekim Fehmiu und das Jubiläum, das von allen zum Schweigen gebracht wurde
Largimi i tij nga kjo botë, më 15 qershor 2010, me vetëvrasje, nuk ishte vetëm fundi i një jete, por edhe rënia simbolike e perdes së një epokë të madhe në kulturën jugosllave ku dha kontribut të madh, por edhe në atë italiane, ku luajti në 18 filma e seri televizive, por edhe evropiane e botërore. Ai çast, thellësisht i dhimbshëm për familjen e tij dhe gjithë dashamirët e artit të tij, la boshllëkun i cili vështirë mund të mbushet. Largimi i tij nga kjo botë ishte finalja e betejës së gjatë dhe të vështirë me demonët e brendshëm, me problemet shëndetësore pas goditjes në tru dhe, ndoshta, më së shumti me botën që nuk e njihte më, idealet për të cilat ai u angazhua gjithë jetën.
Në letrën lamtumirëse drejtuar bashkëshortes Branka Petriq, djemve – Uliksit e Hedonit dhe vëllezërve, nuk kishte vend për urrejtje apo pezëm. Ishte një mesazh i mbushur me dashuri, me kërkim-falje të thellë për dhimbjen që po u shkakton me aktin e vet, dhe me lutje për mirëkuptim. Ajo letër është dokument i një zemre të thyer që nuk kishte më fuqi ta bartte peshën e kujtimeve për një botë që ishte shpërbërë në gjak dhe urrejtje. Bekimi nuk deshi që largimi i tij të bëhet objekt sensacioni. Ai donte vetëm paqe: paqe me vetveten dhe me tjerët. Dhe atë paqe, fatkeqësisht, ka mundur ta gjejë vetëm në anën tjetër të jetës, duke lënë prapa vetes ikonën e shndërruar në legjendë, respektivisht në Yll Polar, që do ta kujtojmë për rolet e mëdha, për qëndrimin e tij fisnik dhe për një pikëllim të pashlyeshëm që u bë pjesë e biografisë së tij.
Kthimi në vendin e fëmijërisë dhe të rinisë
Me aktin e tij, Bekimi tregoi edhe diç shumë domethënëse: çdo njeri, sado larg të endet nëpër botë, sado lart të ngjitet në majat e famës botërore, në thellësinë e shpirtit të vet përherë e bart një hartë të vendit ku e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Për të, ajo hartë nuk ishte vetëm nocion gjeografik. Ishte qyteti i Prizrenit të lashtë, ishte era dhe gurgullima e Lumbardhit, i njohur si Bistrica në kohën e tij, kur aty afër banonte me prindërit, dhe gjatë verës lahej në lumë, tek Marashi. Ai lumë nuk ishte vetëm një rrjedhë uji, ishte djepi i kujtimeve të tij më të hershme, dëshmitar i ëndrrave të para dhe ruajtës i virgjërisë, përpara se fama dhe jeta ta formonin.
Bekimi ishte njeri botëror në kuptimin e plotë të fjalës, poliglot që fliste nëntë gjuhë, dhe derisa nga jashtë vepronte si kozmopolit pa kufij, brenda gjithmonë mbante atë djaloshin nga Prizreni që dëgjonte gurgullimën e Bistricës. Ai lumë ishte konstanta e tij, refreni i qetë në simfoninë boshe të jetës së tij. Dëshira e tij e fundit që hiri i trupit të tij të hidhet pikërisht në ujërat e këtij lumi, nuk ishte vetëm vullnet testamentar, por akt thellësisht simbolik i pajtimi. Pajtimi me vetveten, me të kaluarën e vet dhe me identitetin që shpesh ishte i mohuar në kohët kur urrejtja e tejkalonte arsyen. Me hedhjen e hirit në atë lumë, ai nuk u humb, ai u kthye. U kthye në përqafimin e asaj që kurrë nuk pushoi së dashuruari, në fëmijërinë e vet. Kjo ishte fitorja e shpirtit mbi kalimtaren. Uji i Bistricës, që me shekuj rrjedh nëpër Prizren, u bë shtëpi e përhershme për njeriun i cili kërkonte paqe në botën që ishte bërë tepër e trazuar për shpirtin e tij artistik dhe i cili Prizrenit, që aq shumë e deshi, i shkroi Odën si askush deri më sot, në librin e vet të kujtimeve “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.
Nëse e vështrojmë këtë akt përmes prizmit të kohës, kuptojmë se ishte dialogu më i sinqertë që një njeri mund të realizonte me rrënjët e veta. Sepse, derisa ujërat vazhdojnë të rrjedhin, ata bartin një pjesë të Bekimit drejt deteve e oqeaneve të largëta. Por shpirti i tij mbetet i ankoruar aty, ku veç pati nisur. Kjo na mëson një leksion të rëndësishëm: dinjiteti nuk qëndron në faktin si e përfundojmë suksesin tonë, por në atë nëse mund të mbetemi besnikë ndaj asaj që kemi qenë në fillim. Duke shikuar ato skena, nuk mund të mos ndiejmë mall, pikëllim por edhe lehtësi. Lehtësi, sepse Bekimi nuk ishte më i ngarkuar as me etiketa, as me ndarje, as me peshën e paragjykimeve të të tjerëve. Vetëm ishte i lirë. Iu kthye lumit, iu kthye nënës natyrë, iu kthye heshtjes që e kishte kërkuar aq gjatë. Jeta e tij, e shkruar në ekran, në skenë dhe në jetë, me këtë akt e mori formën e vet të rrumbullakuar.
Ai na la si amanet që, pavarësisht stuhive që na përcjellin, të mos harrojmë kurrë nga ku jemi nisur. Ngase atje, në atë burim të virgjërisë sonë, qëndron përgjigjja në pyetjen – kush jemi në të vërtetë? Prandaj, le ta këndojë gjithmonë Bistrica këngën e vet për nder të tij, sepse ai nuk ishte vetëm aktor, por kronist i një kohe, njëri nga ata njerëz të rrallë që patën guximin të ishin vetvetja, madje edhe kur ky ishte roli më i vështirë i mundshëm në jetën e tyre. Kthimi i tij lumit të fëmijërisë është përkujtues për të gjithë ne që ta kërkojmë paqen tonë. T’i kultivojmë rrënjët tona dhe, në fund të ditës, ta gjejmë atë vend ku shpirti ynë ndihet më i sigurt.
ebenfalls
„Wir sind stolz auf dich, aber…“
Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër mbi këtë histori prekëse dhe komplekse mbi jetën dhe veprën e ikonës së filmit të quajtur Bekim Fehmiu, nuk mund të mos shtrohet pyetja: Çfarë e bën vërtet një artist të madh e të pavdekshëm? Kanë kaluar shumë vjet nga momenti kur ky kolos e braktisi skenën, por emri i tij, si ylli që vazhdon të shkëlqejë edhe kur shuhet, ende jehon në korridoret e historisë së filmit. Sepse, Bekimi nuk ishte vetëm aktor/artist, ai ishte vertikalja dhe horizontalja morale e një kohe, simboli i njeriut i cili refuzoi artin e vet ta kthejë në mall për pazar, kurse qëndrimet e veta në vegël politike. Karriera e tij, nga rrugët me pluhur të Prizrenit deri te sallat më prestigjioze të studiove filmike të Hollywoodit, ishte rrugëtim i njeriut i cili ashtu e kërkoi lirinë mbi të gjitha. Largimi i tij nuk ishte fundi, por çasti kur historia e tij pushoi së qeni vetëm biografi dhe u bë mit. Kur i bëjmë një vështrim jetës së tij, nuk shohim vetëm tragjedinë e vetmisë apo thyerjen e idealeve, veç e shohim guximin e madh. Guximin për të thënë JO kur shumica hesht. Guximin për të ruajtur integritetin, kur të gjithë e shesin për çastin e famës.
Me këtë, Bekimi na ka mësuar se dinjiteti është e vetmja pasuri të cilën askush nuk mund të na e marrë, pavarësisht sa është mizore bota përreth nesh. Trashëgimia e tij nuk është vetëm në filma që la pas, por në atë përkujtuesin pa zhurmë ama të fuqishëm, se artisti duhet të jetë para se gjithash njeri me ndjenja, i drejtë dhe konsekuent ndaj vetes. Prandaj, filozofia e tij e jetës, e thurur në çdo gjest dhe në çdo rol, mbetet udhërrëfyes dhe dëshmoi se madhështia nuk qëndron në atë sa fluturojmë lart, por sa qëndrojmë fuqishëm mbi tokë, kur nisin të fryjnë stuhitë e mëdha.