Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

Anne Carson stellt Konventionen und die Wahrheit anderer in Frage.

In Anne Carsons Werk gibt es nichts Überflüssiges...

In Anne Carsons Werk gibt es nichts Überflüssiges...

“Vepra e Carsonit sfidon konvencionalen dhe përkufizimet. Ajo u tregon të rinjve se mund të mendojnë ndryshe për çdo gjë, të parashtrojnë pyetje më të mira dhe të mos kënaqen me të vërtetën e të tjerëve”, thotë regjisori kanadez, Michael Devine, në një bisedë për KOHËN në të cilën analizon veprën e nobelistes Anne Carson. Devine, i cili është regjisor i mbi 40 shfaqjeve teatrore në nëntë gjuhë, thotë se në veprën e Carsonit nuk ka asgjë të tepërt

Në vitin 2023, regjisori kanadez, Michael Devine, mori përsipër që ta inskenojë në teatër për herë të parë në Kanada veprën e Anne Carsonit, “H of H Playbook”. Nëpërmjet kësaj vepre, Carson – e cila këtë javë u shpall laureate e “Nobelit” për letërsi – kthen Herakliun e mitologjisë greke në ditët e sotme. Michael Devine, i cili njihet po ashtu si aktor, dramaturg e producent, është njohës i thellë i veprave të Carsonit. Për të, ajo përfaqëson krijuesen që sfidon normat tradicionale. Devine, i cili është regjisor i mbi 40 shfaqjeve teatrore në nëntë gjuhë, në një intervistë për KOHËN thotë se në veprën e Carsonit nuk ka asgjë të tepërt. Sipas regjisorit, shfaqjet e të cilit janë dhënë në Kanada, Hungari, Serbi, Rumani, Ukrainë, Finlandë, Kosovë e vende të tjera, poetja, eseistja e përkthyesja Carson merr mite dhe legjenda që janë mbuluar nga pluhuri e janë ngurtësuar me kalimin e kohës. Dhe atyre u jep jetë. Në pikëvështrimin e regjisorit, i cili edhe si dramaturg ka punuar në pesë kontinente, përkthimet e Carsonit përcjellin një ndjeshmëri moderne, por edhe mbeten të rrënjosura në tekstet dhe tregimet origjinale.

“Vepra e Carsonit sfidon konvencionalen dhe përkufizimet. Ajo u tregon të rinjve se mund të mendojnë ndryshe për çdo gjë, të parashtrojnë pyetje më të mira dhe të mos kënaqen me të vërtetën e të tjerëve”, thotë regjisori, i cili para dy dekadash realizoi një bashkëpunim edhe në Kosovë me dramaturgun Jeton Neziraj.

KOHA: Çfarë ju bëri për vete në veprën e Carsonit që ju frymëzoi për inskenim teatror?

Devine: U njoha me veprat e Anne Carsonit për teatrin, veçmas me ato të vëna në skenë në “Classic Stage Company” në New York, ku kam punuar, disa vjet më parë. Por, në thelb, të gjitha veprat e saj kanë natyrë teatrale. Format e saj i kapërcejnë kufijtë konvencionalë dhe ajo krijon një ndërthurje të përvojës intime me atë transcendente, e cila përcakton se çfarë duhet të jetë teatri.

KOHA: Keni lexuar shumë nga veprat e Carson. Si i vlerësoni ato dhe çfarë do të veçonit nga dhuntia e saj letrare?

Devine: Në veprën e saj nuk ka asgjë të tepërt. Prirja e shkrimtarit për t’u zgjatur, kënaqësia e tepruar e egos, mungojnë tërësisht. Gjithçka në poezinë, prozën dhe përkthimet e saj është aty për një arsye, dhe çdo frazë është si një guralec i hedhur në një pellg, duke krijuar jehona që lidhen me frazat e tjera dhe formojnë modele. Rezultati është muzikor. Ne mësojmë po aq nga toni dhe atmosfera e shkrimit të saj sa edhe nga vetë fjalët.

KOHA: Çfarë do të thotë çmimi “Nobel” i Carsonit për letërsinë kanadeze dhe, më pas, për letërsinë botërore?

Devine: Kanadaja ka një peshë në letërsinë botërore që e tejkalon atë që do të pritej nga madhësia e saj, me shkrimtarë si Margaret Atwood, Michael Ondaatje, Mavis Gallant dhe të tjerë që kanë arritur nam botëror. Ne jemi krenarë për trashëgiminë tonë artistike dhe për atë që këta shkrimtarë tregojnë për Kanadanë dhe vendin e saj në bashkësinë më të gjerë botërore. Në një kuptim të veçantë, dhënia e çmimit “Nobel” një shkrimtareje si Anne Carson, vepra e së cilës sfidon kaq shumë format tradicionale, është një sinjal i mrekullueshëm, një ftesë për pjesën tjetër të botës që ta lexojë veprën e saj.

Michael Devine

KOHA: Cilat nga veprat e saj vlerësoni më shumë dhe përse?

Devine: “The Autobiography of Red” është e jashtëzakonshme, një lloj zhanri më vete. Ajo merr si pikënisje një pjesë të mitit të Herakliut, i cili shpesh shpërfillet, dhe e shndërron atë në diçka thellësisht emocionale, pothuajse lënduese dhe krejtësisht bashkëkohore. “H of H Playbook” është një tjetër vepër që u shmanget kategorizimeve. Ajo ndërthur çaste poetike me dialog të drejtpërdrejtë bisedor, të stilit amerikan. Herakliu, në njëfarë mënyre, paraqitet edhe më i madh se vetë figura mitike, pikërisht përmes dështimeve të tij krejt njerëzore. Edhe stili i vetë librit, që ndërthur vizatimet e Carsonit me fragmente teksti dhe fotografi të faqeve të grisura, është një nga përdorimet më të paharrueshme të formës si përmbajtje që kam hasur ndonjëherë.

KOHA: Si e shihni mënyrën se si ajo ndërthur letërsinë greke në veprën e saj, si dhe krahasimet që krijon?

Devine: Unë jam aktor i formuar në traditën klasike, ndaj dashuria ime për mitet e lashta greke është e kahershme dhe e thellë. Gjithmonë jam ndier i zhgënjyer nga përkthimet pedante dhe tepër të fjalëpërfjalshme. Theksi tradicional te “saktësia” është një iluzion. Greqishtja e lashtë dhe gjuhët moderne evropiane, si anglishtja, janë tepër të ndryshme nga njëra-tjetra nga pikëpamja kulturore dhe ndodhen tepër larg në kohë e në kontekst, saqë përkthimi fjalë për fjalë nuk mund të funksionojë.

Talenti i jashtëzakonshëm i Carsonit buron nga zotërimi i saj i plotë i greqishtes së lashtë dhe nga gatishmëria për t’u larguar nga përkthimi fjalë për fjalë, duke e sjellë atë në fjalë që jo vetëm përcjellin një ndjeshmëri moderne, por edhe mbeten të rrënjosura në tekstet dhe tregimet origjinale.

KOHA: Përse brezat e rinj kanë nevojë për letërsi si ajo e Carsonit?

Devine: Në vitin 2006, bashkëpunova me Jeton Nezirajn në projektin “Enea 06”, i cili u prodhua nga kompania e tij, qendra “Multimedia”, në “Dodonë”, në Prishtinë. Për këtë projekt shkrova “Fantazma e Eneas” (“Aeneas Ghost”), për luftëtarin e famshëm ilir, i cili e gjen veten në jetën e përtejme, të harruar nga të gjithë. Jetoni shkroi “Enea i plagosur” (“Aeneas Wounded”), ku protagonisti vendoset në ferrin kaotik të një spitali lufte. Dëshira jonë ishte t’i lidhnim spektatorët me të kaluarën e popujve të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke u kthyer deri te legjenda e eksodit nga Troja. Historia duhet të ketë një domethënie. Nëse përqendrohemi vetëm tek e tashmja, te fitimi i parave dhe blerja e gjërave, humbasim ndjenjën e lidhjes së ndërsjellë me njerëzit e tjerë, të ëndrrave dhe vlerave që ndajmë me njëri-tjetrin.

Ajo që ka bërë Anne Carson është e ngjashme. Ajo merr mite dhe legjenda që janë mbuluar nga pluhuri dhe janë ngurtësuar me kalimin e kohës, dhe u jep jetë. Jeta që shohim në veprën e saj, emocionaliteti, paqëndrueshmëria dhe paparashikueshmëria e saj, është e njëjtë me jetën tonë. Ajo na tregon se këto gjëra kanë ndodhur edhe më parë. Na siguron se nuk jemi vetëm. Se jemi pjesë e një historie vërtet të mrekullueshme.

Teatri dhe letërsia e madhe të bëjnë pjesë në atë botë të përbashkët, në atë histori të përbashkët, në një mënyrë që një ekran apo një faqe interneti nuk mund ta bëjë kurrë.

Ekziston, gjithashtu, edhe ajo që Carson dëshmon përmes veprës së saj: forma është përmbajtje. Gjithçka që konsumojmë sot është e paketuar, e futur në kuti, e sigurt dhe e kontrolluar. Vepra e Carson sfidon konvencionalen dhe përkufizimet. Ajo u tregon të rinjve se mund të mendojnë ndryshe për çdo gjë, të parashtrojnë pyetje më të mira dhe të mos kënaqen me të vërtetën e të tjerëve.