Një reklamë me aktoren amerikan Sydney Sweeney ka nxitur reagime nga sportistet që kanë thënë se ajo po e seksualizon sportin femëror.
Në një reklamë për platformën për parashikime sportive “Novig”, Sweeney është paraqitur thuajse e zhveshur, duke i mbuluar pjesët intime me pajisje sportive.
Shumë sportive e kanë kritikuar reklamën në rrjete sociale duke e cilësuar mosrespekt ndaj grave.
“Nuk mund ta përshkruaj se sa e indinjuar ndihem kur e shoh këtë”, ka shkruar Ariarne Titmus, fituese e katër medaljeve të arta olimpike në not. “Si mund të jetojmë në një botë ku komercializimi i trupit të gruas dhe seksualizimi i sportit të grave janë ende dukuri të pranishme?”
Sprinterja britanike Amy Hunt foli për BBC-në për çështjen, pasi doli e katërta në Kampionatin që po mbahej në Budapest të Hungarisë.
“Sydney Sweeney, kështu duken gratë në sport”, u shpreh ajo duke iu drejtuar kamerës. “Muskuj, punë e madhe, djersë, gjak, lot”.
Ish-gjimnastja amerikane Gracie Kramer po ashtu e kritikoi reklamën.
“E kam kaluar gjithë jetën duke garuar në një sport ku gratë janë tejseksualizuar, janë marrë vetëm me trupat tanë dhe jemi detyruar të luftojmë që të shiheshim seriozisht për atë që jemi në gjendje ta bëjmë”, ka shkruar ajo në Instagram.
Kramer ka postuar seri fotografish të ushtrimeve të sportisteve duke thënë se “ja si duken gratë në sport”.
Sofie Fella, ragbistja kinezo-gjermane, ka thënë se gratë sportiste mund të shërbejnë si modele për vajzat sepse ato ia dalin të shkëputen nga “idealet” e shoqërisë për bukurinë dhe feminitetin.
“Dhe prandaj reklama e Sydney Sweeneyt është aq jorespektuese ndaj çdo sportisteje në botë”, ka thënë ajo në një postim në Instagram.
“Novig” nuk ka komentuar reagimet. Ngjashëm as ekipi i Sweeneyt.
Ndërkaq gjatë fundjavës ajo publikoi një sërë kopertinash nga revista “Body Issue” të ESPN-së, botim i veçantë vjetor që shfaq sportistë duke pozuar lakuriq ose gjysmëlakuriq.
29-vjeçarja nga Amerika ka marrë famë për rolet në “Everything Sucks!”, “The Handmaid’s Tale” dhe “Sharp Objects”. Bujë bëri me portretizimin e Christy Martin, boksieres amerikane.