Reperi i njohur Jay-Z ka folur me shumë vlerësim për bashkëshorten e tij, Beyonce, duke pranuar se në fillimet e lidhjes së tyre ishte më i papjekur dhe kishte frikë të shfaqte ndjenjat.
Jay-Z, 56 vjeç, dhe Beyonce nisën lidhjen në fillim të viteve 2000, ndërsa u martuan në vitin 2008. Sipas reperit, marrëdhënia me këngëtaren e ka ndihmuar të bëhet më i hapur dhe më i shprehshëm emocionalisht.
Duke folur për këngën “4:44”, në të cilën ai trajton tema si marrëdhëniet, tradhtia dhe atësia, Jay-Z tha se e kishte të vështirë ta dëgjonte këngën pasi e kishte përfunduar.
Në një pjesë të këngës, reperi reflekton për fillimet e marrëdhënies me Beyoncé dhe pranon se ajo ishte pjekur më shpejt se ai.
Jay-Z tani ka pranuar se, pavarësisht diferencës së moshës prej 12 vjetësh, ishte ai që ndihej më i papjekur në atë periudhë.
“Isha shumë i papjekur dhe aq i frikësuar”, ka rrëfyer ai, duke shpjeguar se nuk dinte si ta kalonte marrëdhënien nga miqësia dhe bisedat telefonike në një lidhje romantike.
Sipas tij, në vend që t’i kërkonte drejtpërdrejt Beyonces të bëheshin çift, ai i tha: “Mos më turpëro”, duke e përdorur këtë si një mënyrë për të shprehur ndjenjat pa u ekspozuar emocionalisht.
Ndërkohë, Jay-Z ka folur edhe për ndikimin që Beyonce vazhdon të ketë tek ai. Reperi ka thënë se ndihet “jashtëzakonisht i frymëzuar” prej saj dhe e ka cilësuar atë si një artiste të jashtëzakonshme dhe një person “të patrembur”.
Ai ka vlerësuar veçanërisht gatishmërinë e saj për të provuar gjëra të reja në muzikë, duke thënë se ndërsa ai ndonjëherë bëhet shumë i vetëdijshëm për veten, Beyonce thjesht eksperimenton dhe ndjek atë që ndien në moment.