Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Showgeschäft

„Wie man auf der Erde lebt“ über die Zukunft der Menschheit und ihre Verbindung zur Natur

„Wie man auf der Erde lebt“

Benedict Cumberbatch është protagonisti i dokumentarit të ri për natyrën, “How to Live on Earth”. Me regji të Fredi Devas dhe i xhiruar në 11 lokacione në mbarë botën, projekti shqyrton mënyrat se si mund të jetojmë në harmoni me natyrën, në vend që të veprojmë kundër saj. Puna rreth realizimit të tij ka nisur qysh në vitin 2024.

Cumberbatch, i cili ka realizuar narracionin për dokumentarin e Devas të vitit 2020, “Antarctica”, fillimisht hezitoi të shfaqej para kamerës në filmin e fundit të regjisorit. Megjithatë, falë përfshirjes së ekspertëve të shumtë që japin mendimet e tyre përgjatë dokumentarit, ai kuptoi se nuk do të ishte i vetmi që do të mbante peshën kryesore të rrëfimit.

“Fred Devas ishte dikush me të cilin kisha punuar më parë dhe, sigurisht, jam një adhurues i madh i gjithçkaje që Johnnie dhe të gjithë në ‘Open Planet’ kanë bërë sa i përket dokumentarëve për natyrën. Ne kishim bërë një projekt... nuk më kujtohet si quhej, por ishte për Antarktikën dhe e realizuam gjatë izolimit në vitin 2020, kur ndodhesha në Zelandën e Re. Ishte angazhimi im i parë profesional pasi ndalova punën gjatë xhirimeve të ‘The Power of the Dog’ atje. Ishte një rikthim i mrekullueshëm nga sfera familjare në atë profesionale dhe, gjatë asaj kohe, krijuam një miqësi të jashtëzakonshme. Ishte një përvojë shumë e këndshme dhe kjo më zgjoi vërtet kureshtjen”, ka thënë Cumberbatch.

Ai ka theksuar se në fillim ishte nervoz për atë se cili do të ishte roli i tij dhe nuk donte të hynte në territorin e shenjtë të Sir David Attenborough, sepse siç ka thënë ai është një hapësirë tashmë shumë mirë e konsoliduar prej tij dhe të tjerëve. 

“Pse unë? E dini, të gjitha këto pyetje që ia parashtojmë vetes. Por, teksa skenari evoluonte, idetë merrnin formë dhe unë angazhohesha gjithnjë e më shumë me projektin, personaliteti i tij filloi të merrte formë dhe kuptova se çfarë ishte. U ndjeva i emocionuar që isha pjesë e diçkaje që, mendoj, është shumë ndryshe në mënyrën se si e paraqet informacionin. Gjithashtu, çdo gjë që bëj në kuadër të angazhimit tim për ndërgjegjësimin publik ka gjithmonë në qendër ekspertët, dhe në këtë film kemi tre ekspertë të jashtëzakonshëm që flasin për tri shtyllat e pyetjes se si të jetojmë në Tokë: si ta ushqejmë të ardhmen, si t’i japim vlerë natyrës dhe si të ndihemi më njerëzorë përmes lidhjes me natyrën. Prandaj nuk ndjeva se duhej të mbaja i vetëm gjithë barrën e rrëfimit. Mund të sillja edhe pak lehtësi dhe personalitet në këtë rol, diçka që, po, do të ishte një qasje e freskët”, ka theksuar ai.

Producenti ekzekutiv i filmit, Jonnie Hughes, nuk kishte dyshime për përshtatshmërinë e Cumberbatchit për këtë rol.

“Benedicti, padyshim, ka një shtrirje të jashtëzakonshme globale dhe ne kishim nevojë për këtë. Kam punuar shumë edhe me Sir Davidin dhe, sigurisht, kjo është diçka e jashtëzakonshme. Por publiku e di tashmë se çfarë të presë dhe, si rrjedhojë, mund të tregosh një lloj të caktuar historie. Ne menduam se, në këtë projekt, duhej të sillnim një mënyrë tjetër rrëfimi dhe një tingull tjetër. Me famën globale të Benedictit, por edhe me përvojën e tij në interpretimin e personazheve komplekse dhe aftësinë për të mbajtur gjallë një argument apo diskutim – ishte zgjidhja perfekte. Dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur që ai tha po”, ka theksuar ai.

Dokumentari u prodhua nga studioja “Open Planet” në bashkëpunim me “Villars Institute” dhe platformën e investimeve në kapitalin natyror, “Silvania”. Kjo mbështetje filantropike mundësoi që filmi të publikohej falas në YouTube më 20 shtator, duke e bërë të qasshëm për një audience gjerë në mbarë botën.

“’Silvania’ dhe ‘Villars’ e kanë mbështetur filmin në mënyrë filantropike. Andaj, projekti nuk ka nevojë të rikuperojë kostot përmes arkëtimeve në kinema dhe është i qasshëm për të gjithë, në formate edukative dhe në forumet e politikave publike. Institucionet financiare po e kërkojnë dhe, e dini, filmi është gjithashtu i përshtatshëm për t’u modifikuar sipas audiencës për të cilën prezantohet, ndërkohë që është i disponueshëm në një platformë globale ku çdokush mund ta shikoj falas. Dhe kjo është e mrekullueshme. Kështu duhet të jetë. Dhe megjithatë, ai është ende fitimprurës, sepse nëse njerëzit frymëzohen nga ky film për të vepruar, ndihen shpresëplotë dhe bëjnë atë që munden për të mbështetur disa nga nismat e paraqitura në film dhe mesazhin e tij, por edhe për të ndryshuar mënyrën se si i kuptojmë perspektivat mbi mënyrën se si ta ushqejmë të ardhmen, si t’i japim sërish vlerë natyrës dhe si të jemi e të ndihemi njerëzorë, atëherë kjo na sjell dobi të gjithëve. Fitimi qëndron te rezultati dhe kjo konsideroj se është një e ardhme e pasur”, tha Cumberbatch në intervistën e fundit për “Associated Press”. 

“Do të thosha gjithashtu se, për shkak se nuk ka kanale televizive të përfshira, ne mund ta ofrojmë filmin si mundësi shfaqjeje për këdo. Tashmë 250 persona na kanë shkruar dhe kanë kërkuar ta shfaqin në kinema, teatro, në aktivitete të ndryshme apo në ngjarje të tjera. Dhe ne mund t’u themi po këtyre kërkesave, nëse kjo do të ndihmojë, nëse do të nxisë diskutimin. Për më tepër, të gjitha pamjet që kemi xhiruar për këtë film do t’i publikojmë në uebfqen ‘openplanet.org’, e cila, nëse mund ta quajmë kështu, është një bibliotekë pamjesh për të mirën e përbashkët dhe çdokush mund t’i përdorë ato”, shtoi tutje producenti Hughes.

“How to Live on Earth” paraqitet si një udhëzues praktik që eksploron lidhjen jetike të njerëzimit me natyrën dhe nevojën për të bashkëpunuar me të, në mënyrë që të sigurohet e ardhmja e njerëzimit.