Netflixi ka publikuar pamjet e para të trilerit të ardhshëm “Unabomber”, me Jacob Tremblay në rolin kryesor. Në film luajnë gjithashtu Russell Crowe, Shailene Woodley, Annabelle Wallis, Alexander Ludwig, Steven Ogg dhe Marc Menchaca, ndërsa regjisor është Januz Metz.
Filmi ndjek historinë e Ted Kaczynskit, të luajtur nga Tremblay, nga koha kur ishte student 16-vjeçar në “Harvard”, deri në shndërrimin e tij në të famëkeqin e njohur me nofkën “Unabomber”.
Pasi iu nënshtrua eksperimenteve psikologjike kontroverse nga profesori Henry Murray, i portretizuar në film nga ylli australian Crowe, e kaluara e trazuar e Kaczynskit rishfaqet dekada më vonë, kur ndjekja për kapjen e tij, e udhëhequr nga agjentja e FBI-së Joanne Miller, e luajtur nga Woodley, nxjerr në pah pasojat tronditëse të ambicies dhe izolimit.
Sulmet e Kaczynskit vranë tre persona dhe plagosën 23 të tjerë. Përndjekja e “Unabomber” nga autoritetet kishte zgjatur plot 17 vjet. Sulmi i tij i parë me bombë ndodhi në vitin 1978, ndërsa në vitin 1996 ai u gjet më në fund në një kabinë në mes të pyllit. Ishte ndjekja më e gjatë për kapjen e një të dyshuari në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Unabomber” do të publikohet globalisht në platformën Netflix më 25 shtator.