Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Showgeschäft

Ben Affleck verteidigt den Einsatz künstlicher Intelligenz im neuen Film „Animals“.

Ben Affleck

Aktori dhe regjisori hollivudian Ben Affleck ka mbrojtur vendimin e tij për të përdorur inteligjencën artificiale në filmin e tij të ri të Netflixit “Animals” duke këmbëngulur se  ajo është thjesht “një formë tjetër e informatikës”. 

Aktori dhe regjisori hollivudian u ul për herë të  fundit pas kamerës për të drejtuar filmin e tij të ri për gjigantin e transmetimit online  - një thriller kriminal, të cilin ai gjithashtu e ka shkruar dhe ku luan së bashku me Gillian Anderson dhe Kerry Washington. Ai ka pranuar se gjatë realizimit të filmit përdori inteligjencën artificiale për shumë gjëra.

“E përdora AI-në për shumë gjëra në atë film. Jam paksa ngurrues të tregoj se cilat ishin ato, sepse në industrinë time ne përpiqemi të ruajmë iluzionin e realitetit. Është  pak a shumë sikur të shkoje në  një shfaqje magjie dhe magjistari të dilte në skenë e të thoshte: ‘Para se të filloj, dua t’ju bëj me dije se ka edhe një lepur tjetër këtu. Dhe ky është pjesë e shfaqjes.’ E kupton, kjo e prish disi magjinë, apo jo? Por po, ne e përdorëm dhe, në fakt, mendoj se ishte një shembull i mirë [se si të përdoret AI në mënyrë etike], sepse është një film shumë njerëzor”, ka thënë ai.

Affleck shtoi se sapo krijuesit e filmave të fitojnë “një ndjenjë kontrolli” mbi këtë teknologji, ata janë në gjendje të shohin përtej të gjitha shqetësimeve të tyre.

“Është një formë tjetër e informatikës… një përparim teknologjik që është vërtet në vazhdën e përmirësimeve teknologjike që kemi bërë prej kohësh në industrinë e filmit dhe televizionit”, ka thënë ai.

Megjithatë, regjisori këmbënguli se një regjisor nuk do të jetë kurrë në gjendje thjesht të “shkruajë një komandë (prompt) dhe të krijojë një film që njerëzit duan ta shohin”.

Komentet e Affleckut vijnë pasi ai ia shiti kompaninë e tij të inteligjencës artificiale, InterPositive, Netflixit për një shumë të raportuar prej 600 milionë dollarësh.

Ai e themeloi kompaninë me bazë në Los Angeles në vitin 2022, me synimin për të zhvilluar mjete të bazuara në AI që do t’u ndihmonin kineastëve në proceset e prodhimit dhe post-produksionit. Marrëveshja me Netflixin u përfundua në fillim të këtij viti.

Affleck do të vazhdojë të shërbejë si këshilltar i lartë i Netflixit, duke ofruar udhëzime të vazhdueshme për zhvillimin e teknologjisë.

Në një video të publikuar nga Netflix së bashku me njoftimin për blerjen, aktori dhe regjisori tha se teknologjia është krijuar për të mbështetur kineastët, dhe jo për të gjeneruar automatikisht përmbajtje.

“Nuk bëhet fjalë për të shkruar një komandë dhe për të gjeneruar diçka nga asgjëja. Shumica e njerëzve e mendojnë AI-n si krijimin e diçkaje nga asgjëja: ‘Do të shkruaj diçka në kompjuter dhe ai do të më japë një film’. Nuk është kjo ajo që është”, ka thënë tutje Affleck.