Artistja e njohur, Ariana Grande, i ka dhënë fund turneut të saj “Eternal Sunshine” në Londër, në një mbrëmje emocionuese, pas së cilës pritet të bëjë një pushim nga jeta publike, ka shkruar BBC.
Gjatë koncertit të fundit, këngëtarja u përlot disa herë, sidomos gjatë interpretimit të këngës “One Last Time”, e cila është kthyer në një simbol për të mbijetuarit e sulmit terrorist të Manchesterit në vitin 2017.
“Londër, do të kem nevojë që të më ndihmoni në këtë moment”, u tha Grande fansave, ndërsa u ul pranë tyre gjatë performancës.
33-vjeçarja kishte njoftuar më herët se do të tërhiqej për një periudhë nga aktivitetet publike, pas muajsh spekulimesh dhe komentesh të shumta në internet për shëndetin dhe pamjen e saj.
Për këtë arsye, ajo hoqi dorë edhe nga pjesëmarrja në produksionin “Sunday in the Park with George”, që pritej të shfaqej në Londër vitin e ardhshëm. Edhe kolegu i saj nga “Wicked”, Jonathan Bailey, u tërhoq nga produksioni.
Në skenë, Grande nuk tregoi shenja të ndonjë problemi serioz shëndetësor. Megjithatë, ajo performoi me një dëmtim në këmbë, për shkak të të cilit iu desh të zëvendësonte takat e larta me çizme me platformë deri te gjuri.
Pavarësisht dëmtimit, ajo vazhdoi të kërcente dhe të lëvizte lirshëm në skenë. Në një moment, zëri i saj u lëkund gjatë këngës “Nowhere, Nobody”, ndërsa këndonte vargun: “Është e vështirë të besosh në një fund perfekt”.
Momenti ishte i shkurtër dhe Grande shpejt rifitoi kontrollin, duke përfunduar koncertin me një performancë të fuqishme.
Në fund të shfaqjes, ajo falënderoi fansat për mbështetjen.
“Kjo ka qenë një nga përvojat më të bukura dhe më të jashtëzakonshme të jetës sime. Dua t’ju shpreh mirënjohjen time pa shpërthyer plotësisht në lot. Do ta çmoj gjithmonë këtë përvojë. Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur. Faleminderit për çdo përpjekje dhe për faktin që vazhdoni ta bëni këtë kaq të veçantë. Duhet të vendosen kufij”, ka thënë këngëtarja.
Vendimi për t’u tërhequr nga jeta publike erdhi pas shqetësimeve të shprehura nga disa fansa për peshën dhe pamjen e saj, sidomos pas publikimit të videoklipit të këngës së saj të re “Petal”.
Zyrtarja nga ekipi i Grandes për marrëdhënie me publikun, ka thënë se ajo po bënte një “tërheqje nga ekspozimi publik”, për shkak të “vëmendjes së pafundme dhe të vazhdueshme publike”.
Një burim pranë këngëtares ka thënë se Grande po performonte “në mënyrë të shëndetshme dhe të suksesshme, në një nivel shumë të lartë, natë pas nate”.
Vetë Grande u shpreh se vendimi i saj ishte marrë nga një pozicion i menduar mirë.
“Kjo nuk mund të ishte më larg së vërtetës. Duhet të vendosen kufij. Edhe qeniet njerëzore kanë nevojë për një pushim ndonjëherë”, ka thënë ajo për shqetësimet se komentet negative po e dëmtonin.
Turneu, i cili nisi në SHBA në muajin qershor, ishte përshkruar nga Grande si “një festë e fundit”, pasi ajo dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë aktrimit, pas suksesit dhe nominimit për çmim “Oscar” për rolin në filmin “Wicked”.
10 koncertet e saj në “O2 Arena” të Londrës tërhoqën rreth 200 mijë fansa, shumë prej të cilëve udhëtuan nga Kina, Australia dhe vende të ndryshme të Evropës.
Në një nga koncertet, Grande befasoi publikun duke sjellë në skenë kolegen e saj nga “Wicked”, Cynthia Erivo, për të kënduar së bashku “For Good”.
Kritikat për turneun ishin kryesisht pozitive.
Rolling Stone e ka cilësuar Grande si “njërën prej këngëtareve më të mira të gjeneratës së saj”, ndërsa The Telegraph e ka përshkruar shfaqjen si “të përsosur”.
Në koncertin e fundit, Grande e mbylli shfaqjen si zakonisht: e lidhur me një pajisje sigurie, u ngrit drejt çatisë së “O2 Arena” dhe u zhduk nga skena.
BBC shkruan se tani, fansat mbeten me pyetjen: Kur, dhe nëse, do ta shohin sërish Ariana Grande në skenë?
Për shumë prej tyre, përgjigjja është e thjeshtë: vendimi duhet të respektohet.
“Nëse ajo ka nevojë për një pushim, le ta marrë. Ne, fansat e vërtetë, e kuptojmë”, ka thënë një fans francez.
Një tjetër fanse nga Polonia ka thënë se “është e trishtueshme që njerëzit spekulojnë për shëndetin e dikujt tjetër. Është po ashtu e trishtueshme që ajo duhet të marrë një vendim për të rifituar kontrollin mbi veten dhe energjinë e saj”.
“Është plotësisht vendimi i saj. Mendoj se njerëzit duhet ta respektojnë mënyrën se si ndihet dhe atë që i nevojitet”, ka shtuar një tjetër fanse.