Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Region

Bosnien warnt die USA vor Lobbybemühungen der Republika Srpska

Elmedin Konakovic

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, i ka shkruar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për lobimin e Republikës Sërpska në Washington, ku ajo ka angazhuar disa aleatë të presidentit Donald Trump.

Në letrën për të cilën ka raportuar “Financial Times”, është shprehur shqetësim për “përdorimin e fondeve të Republikës Sërpska për të krijuar ndikim politik në SHBA, në emër të strukturave politike që janë të lidhura ngushtë me Moskën”.

Konakoviq ka theksuar që gjykata më e lartë në Bosnjë-Hercegovinë ka vendosur që Republika Sërpska, entitet vetëqeverisës që është pjesë e BeH-së, nuk mund ta përdorë buxhetin e saj për të paguar lobues që shtyjnë përpara kërkesën për pavarësi.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë komentuar letrën.

Letra bëhet publike pak pasi “The New York Times” raportoi se aleatët e Trumpit, Chris LaCivita dhe James Blair, janë paguar qindra mijëra dollarë për të ofruar këshilla për fushatën në enklavën me shumicë serbe, në prag të zgjedhjeve të mbajtura në fillim të muajit.

Nuk janë publikuar dëshmi që sugjerojnë se Blair dhe LaCivita lobuan për pavarësinë e entitetit.

Millorad Dodik, ish-presidenti ultranacionalist i Republikës Sërpska, ka lidhje të thella dhe të kahmotshme me Rusinë dhe ka takuar presidentin Vladimir Putin në Moskë në shtator. Edhe pse ai e ka të ndaluar të mbajë poste politike, vazhdon të dominojë skenën politike si lider i partisë SNSD.

Në dy vjetët e fundit, Republika Sërpska ka shpenzuar miliona dollarë për të angazhuar lobues, të afërt të Trumpit, në përpjekje për të liruar sanksionet ndaj Dodikut dhe për të bërë presion për rishqyrtim të Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995.

Administrata Trump i ka hequr sanksionet ndaj Dodikut vitin e shkuar.

“Nga po vijnë këto miliona dollarë? Përse nuk po shpenzohen për interesa të qytetarëve të Republikës Sërpska dhe Bosnjë-Hercegovinës?” ka pyetur senatorja amerikane Jeanne Shaheen gjatë vizitës së fundit në Bosnjë javën e shkuar. “Nuk e di se nga po i merr Dodiku ato para për të paguar konsulentë”, ka thënë tutje senatorja demokrate e Komitetit për Punë të Jashtme.

Konakoviq u ka dërguar letër edhe sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, prokurorit të përgjithshëm Todd Blanche dhe anëtarëve të Kongresit nga të dyja partitë.

Në letrën për Bessentin, ministri boshnjak ka kërkuar që Thesari të konsiderojë rivendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut nën ligjin e miratuar së fundmi nga Kongresi, që parashikon t’u ndalohen vizat dhe t’u ngrihen asetet financiare individëve që kërcënojnë stabilitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor.