Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Meinung

Vendimi historik i KPK-së, a i dha fund Republikës Ahtisariane?

Vendimi i Këshillit Prokurorial nuk është thjesht një akt refuzimi i rikthimit të disa prokurorëve me etni serbe në institucionet kosovare, të cilët, de facto por jo edhe dhe de jure ishin një “kalë Troje”, që kujdestaronin, online, lidhur me të drejtat, por edhe obligimet e qytetarëve serbë (ndryshe, më të superprivilegjuarit, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, e ndoshta edhe në botë!?), por është edhe një fazë emancipuese dhe pjekurie për ta kaluar testin nga një “shtetësi negociuese ahtisariane” në një “shtetësi normative”, ku ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të vlejnë njëjtë për gjithë qytetarët e saj. 

Zaten, ky vendim shënon edhe fillimin e “shkurorëzimit” definitiv nga pasojat që do të mund të kishin pasuar po të merrej një vendim i kundërt.

Ky vendim racional dhe kompetent i Këshillit Prokurorial dëshmon edhe një fakt tejet të rëndësishëm, që ka të bëjë me pavarësinë e gjykimeve dhe interpretimeve kushtetuese, sidomos kur janë në pyetje bllokimi dhe funksionimi i institucioneve shtetërore nga bojkotet cilado qofshin ato me natyrë politike. Sidoqoftë, ky vendim duhet thënë, po ashtu, se gjithë arkitekturën e përkëdheljes dhe koketimit me shtetin serb, që e instaluan “yes-men”-at e kushtëzuar me pushtetmbajtje të pasluftës, e zhvendosi konfliktin e paqenë etnik në binarët e duhur të rendit dhe të ligjit.

Tash e tutje, si 3% i serbëve lokalë, po edhe shteti i Serbisë, duhet ta kuptojnë se Republikës ahtisariane po i vjen fundi dhe se "Republika e Tretë" që gjithë qytetarët e këtij vendi do i trajtoj njësoj si çdo vend tjetër evropian, po e zhvendos ngadalë dhe sigurt konfliktin e pa qenë nga terreni i përkatësisë etnike në terrenin e rendit institucional dhe ligjit funksional.

Nëse përmes ca hipotezave bëjmë një analizë sociologjike, do ta kuptojmë më mirë këtë vendim të Këshillit Prokurorial.

ebenfalls Meinung Kann die „Dritte Republik“ dem Ziel einer landesweiten Führung vorausgehen?

Hipoteza e parë ka të bëjë me influencën apo fillimin e shtrirjes së mundësive për një sovranitet (po i themi) të ri e tamam shtetëror, që ka të bëjë kryesisht me tejkalimin e logjikës së mëhershme institucionale, e cila bënte kompromise dhe negocionte për çfarëdo teme apo çështjeje minore kur ishin në pyetje interesat e serbëve lokalë (lexo: më shkurt, të Serbisë!) në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti i Republikës po delegon mesazhin e qartë se teket dhe hyrje-daljet nga institucionet e këtij vendi nuk mund të përdoren assesi si instrumente të presionit politik. Megjithatë, në gjykimin tonë, dilema kryesore ende mbetet, sidomos kur janë në pyetje afirmimi i kompetencave dhe autonomisë së plotë të këtyre institucioneve, që ngadalë, por sigurt, po e shndërrojnë sovranitetin e kushtëzuar në atë të plotë. Po themi kështu edhe për shkak se, në këtë rrugëtim, duhet parë, por edhe dëgjuar, si miqtë, ashtu edhe aleatët e hisedarët e sovranitetit të kushtëzuar. Nëse ata janë pro, kjo nënkupton se Kosova po shndërrohet nga një shtet “centaur” (shih kuptimin në mitologjinë greke) në një shtet tipik evroperëndimor, që i respekton si normat, ashtu edhe standardet e verifikuara që edhe ata i zbatojnë në vendet e tyre. Mirëpo, po qe se ata e kundërshtojnë këtë vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kjo i bie se disa prej tyre janë shumë të interesuar që Kosova të mos bëhet asnjëherë shtet normal dhe vend demokratik. Mendoj se, kur jemi te kjo çështje dilematike, diplomacia jonë do të duhej të ishte shumë më agresive, në kuptimin pozitiv, për ta avokuar me mjeshtëri, përmes një “diplomacie fluturuese”, krejt, po i themi, “projektin” e instalimit të sovranitetit shtetëror të Kosovës.
Ndërkaq, hipoteza tjetër, që po e shquaj si hipotezë e delegjitimimit të bojkotit si strategji politike, ka të bëjë me faktin se gjyqtarët serbë, përmes bojkotit të organizuar dhe të motivuar politikisht, që e ushtruan me direktiva të Serbisë (alias Aleksandër Vuçiqit) në vitin 2022, dëshmojnë më së miri se strategjia e bojkotit institucional ishte një strategji e dështimit total nga ana e Serbisë. Kjo nënkupton se bojkoti, si mjet presioni politik i Serbisë, së harlisur nga përkëdheljet e Brukselit e, tashmë së voni, edhe të Washingtonit, që do të bëhet përmes Dialogut Strategjik, ka dështuar; ndërsa pjesëmarrja aktive, përmes standardeve të meritokracisë dhe përgatitjes profesionale, që do të verifikoheshin përmes konkursit, ashtu siç ndodh në mbarë Evropën, është rruga e vetme dhe legjitime për t’i rimarrë këto pozicione kyçe për funksionimin e shtetit juridik të Republikës së Kosovës.

Një hipotezë tjetër ka të bëjë me procesin e transformimit të raporteve shtet–pakicë etnike. Vendimi i Këshillit Prokurorial, do të duhej të shënonte fundin e tipit dhe modelit kushtetues, ku integrimi institucional i pakicave minoritare do të varej kryesisht nga dinamika e dialogut politik me Beogradin.
Kurse, nëse gjithë këtë “odisejadë” e analizojmë nga perspektiva weberiane e racionalizimit burokratik, kuptojmë se vendimi në fjalë, kur janë në pyetje temat që kanë të bëjnë me logjikën administrative, në fakt nuk do të duhej të funksiononte mbi bazën e besnikërisë politike, por ekskluzivisht mbi parametrat, rregullat dhe standardet e ligjeve dhe Kushtetutës së atij vendi. Thënë më ndryshe, refuzimi i bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka pasur për synim dhe imperativ të vetëm mbrojtjen dhe shtimin e besueshmërisë maksimale në sistem, pastaj rritjen e sigurisë juridike dhe, formalisht, ruajtjen e sovranitetit të Republikës. Ky vendim hap rrugë dhe mundësi për afirmimin e gjyqtarëve të rinj serbë, që nuk kanë ngarkesa e hipoteka të së kaluarës, por që e pranojnë realitetin e ri të krijuar tash e gati tri dekada në Republikën e Kosovës. Uroj që pikërisht kjo të ndodhë; ndryshe, Kosova nuk ka më kohë për të humbur me sovranitetin e kushtëzuar dhe të cunguar si deri më tani...