Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Meinung

Die Nordatlantische Allianz ist tot. Es lebe die Allianz!

Dënimi skandaloz i Dhomave të Specializuara ka rizgjuar debatin rreth themelimit të Gjykatës, përcjellë me rifreskim akuzash se kush votoi për dhe kundër. Është mbase e kuptueshme të kemi të tilla debate në këto momente emocionesh ekstreme. Mirëpo një debat i tillë nuk ndihmon në këtë kohë; është irrelevant dhe jashtëkohor.

Më relevant për të kuptuar është roli i aleatëve të Kosovës në presionin drejt themelimit të Gjykatës. Saktësisht, roli i administratës amerikane dhe i njerëzve tradicionalisht miq të shtetit dhe popullit të Kosovës, si Hillary Klinton. Ajo ishte sekretare e Stejt Departamentit Amerikan nga 2019 deri më 2023, pra pikërisht në periudhën para dhe pas themelimit të Gjykatës.

Ajo çka dimë

Ajo çfarë dihet është se që nga lufta e tutje Kosova dhe UÇK kanë qenë shënjestër e akuzave më të tmerrshme të krimeve të aluduara, përfshirë këtu edhe trafikimin e organeve të njeriut. Pjesëtarë të UÇK-së kanë qenë nën llupën zhbiruese të një sërë gjykatash – Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjykatave vendore. Dhe në fund, më 2010, patëm raportin e senatorit zviceran Dick Marty ku pretendohen gjithë këto krime të tmerrshme, përfshirë dhe përgjegjësinë e pretenduar penale që shkonte deri në krye të UÇK-së. Raporti, siç e dimë, u aprovua me rezolutë në Këshillin e Evropës, i sponsorizuar nga delegati rus i partisë së Putinit “Rusia e Bashkuar”, Konstantin Kosaçev, dhe Millosh Alidrugiq i partisë së Koshtunicës, në mes tjerash.

Pas disa vitesh debat, kritika e fajësime, Kuvendi i Kosovës më 2015 aprovoi amendamentet e nevojshme kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara. Kësaj i parapriu një presion i jashtëzakonshëm nga aleatët perëndimorë, dhe sidomos i amerikanëve. Pretendimi ishte që më mirë të votohej një gjykatë “vendore” sesa t’i lihej kjo mëshirës së rusëve e kinezëve në OKB. Ishte beteja e fundit për “heqjen e resë së zezë” nga lufta e drejtë e UÇK-së, si thoshte presidenti Thaçi. Edhe në atë kohë, edhe pas aktakuzës kundër tij dhe të tjerëve, besimi i lidershipit kosovar në sundim të ligjit dhe drejtësi ndërkombëtare ishte i pashoq dhe leksion për qeveritë më të avancuara. Përkushtimi ndaj ligjit ishte aq i madh saqë të shkohej përtej drojës se ç’mund të ndodhte nga një proces i montuar, apo prej privimit personal nga liria e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve.          

Ajo çka nuk dimë

Ajo çfarë dimë është se agjenturat serbe dhe ruse kurrë nuk reshtën së luftuari kundër legjitimitetit të luftës së drejtë të UÇK-së. Agjenda të tilla politike ndikuan jo veç në zhvillimet që i paraprinë Gjykatës, por edhe në punimet dhe konkluzat e kësaj Gjykate. Mirëpo kjo nuk është për t’u çuditur. Një gjë e tillë edhe pritet nga kundërshtari politik, kundërshtar që mohon edhe ekzistencën e shtetit tënd.

Ajo çfarë ndoshta do të mbetet përjetë diskutabile është presioni i tmerrshëm amerikan për themelimin e Gjykatës. Cilat ishin arsyet e vërteta të këtij presioni? Pretendimi se arsyeja ishte shpalosja e të vërtetës dhe drejtësia nuk ka se si të mos tingëllojë i mangët dhe jobindës. Kjo sepse, siç e dimë, amerikanët ishin arkitektët dhe përkrahësit më të mëdhenj të çdo procesi nëpër të cilin kaloi Kosova që nga Rambuje e këndej. Partnerët më të afërt të administratës amerikane ishin pjesëtarët e UÇK-së me Thaçin, Haradinajn, etj. Për më tepër, ishte bindje e thellë e qeverive amerikane të njëpasnjëshme – dhe jo vetëm e dëshmitarëve në Hagë si Gjenerali Clark apo Ambasadori Hill – se njerëz si Thaçi dhe liderë të tjerë ishin personalisht të pafajshëm për krimet e pretenduara të asaj kohe.

Atëherë pse gjithë ky presion? Deri në ditën e verdiktit, ekzistonte një besim se, përkundër sakrificave të tmerrshme, lirimi i tyre do të justifikonte besimin në Amerikë. Ishte kalvari i domosdoshëm nëpër të cilin u desh të kalonin. Edhe pse në dukje të vetëm, Amerika ishte prore aty, afër të akuzuarve. Ky ishte besimi. Deri në ditën e verdiktit!

Braktisja?

Kjo periudhë pas ditës së verdiktit na shtyn t’i shtrojmë disa pyetje serioze. Një nga to është: a u braktisëm nga aleati më i madh - administrata amerikane? A ishte kurth ky presion për votimin e Dhomave të Specializuara? Nëse po, çfarë kurthi ishte, me çfarë prapavije? Ç’do të thotë kjo për besimin që kemi pasur në Aleancën Veri-Atlantike dhe, veçanërisht, në ShBA? Ç’do të thotë kjo për rrugëtimin para të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, në këto kohë përçarjesh të mëdha gjeopolitike?

Është një teori, e ngritur nga Jason Steinbaum, ish-këshilltar i Komisionit për Çështje të Jashtme në Kongresin Amerikan, që thotë se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte pjesë e pazarit ndërkombëtar në mes administratës së Obamës dhe Rusisë në shkëmbim të përkrahjes së kësaj të fundit për marrëveshjen për armët nukleare me Iranin në vitin 2015.

Mbetet të verifikohet një teori e tillë, por kalkulime të tilla në kohë lëkundjesh të mëdha gjeopolitike, nuk janë larg mendsh. Kjo gjë e vendos në pah brishtësinë tonë të jashtëzakonshme si shtet dhe si popull. Dhe pashmangshmërisht ngrihen pyetje ekzistenciale për aleancat dhe miqësitë tona. A kemi qenë të verbër në besimin tonë në Aleancën Veri-Atlantike? A kemi qenë naivë?

Mendoj se nuk kemi qenë as të verbër e as naivë. Mendoj se ata që duhet ta dinë, e dinë se miqësitë në mes shtetesh janë të prira, pikë së pari, nga interesi gjeostrategjik dhe politik. Por mendoj se kemi qenë dembelë në këtë drejtim. Kemi fjetur mendjen duke e lënë veten të kridhemi tepër shumë në rehatinë e përqafimit që, nganjëherë, di edhe të përvëlojë. Për një kohë të gjatë kemi përsëritur fraza bajate të ”miqësisë së përhershme me Amerikën” dhe aleancën me shtetet evropiane. Por nuk kemi bërë as një hap konkret drejt revitalizimit të këtyre marrëdhënieve. Miqësia jonë është ngrirë në kohën e presidentit Klinton e kryeministrit Bler.

Ndërsa sot, është koha e fundit që të rishikohen të gjitha këto miqësi dhe marrëdhënie. A është Aleanca Veri-Atlantike e vdekur? Mbase jo, por ajo po ndryshon përtej imagjinatës sonë. Dhe ne, si Kosovë dhe popull shqiptar, duhet të rigjejmë veten brenda kësaj Aleance. Por, po ashtu, të mos kënaqemi me këtë por të diversifikojmë aleanca. Në këtë rrafsh, përafrimi në çdo fushë me shtetin shqiptar është absolutisht i domosdoshëm. Edhe mos qoftë për arsye të afërsinë natyrale vëllazërore, është interes imediat i dyanshëm. Brenda Ballkanit, Kosova duhet të përafrojë raportet edhe me Kroacinë e, ku të ketë hapësirë, edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Do të ishte ky Boshti i të Mirës Strategjike që do t’i bënte ballë boshtit të ligë që rrezaton nga Beogradi. Dhe, të shikohet edhe më tej: te Turqia, e madje edhe te shtete me të cilat ka raporte ende të pazhvilluara sa duhet, si Izraeli e Arabia Saudite.

Kjo nuk është për t’i thënë jo Amerikës. Raporti me këtë të fundit kërkon një resetim urgjent. Por ky është një reflektim i një përgjigjeje të Kosovës ndaj pllakave tektonike që po lëvizin nën këmbët tona vazhdimisht.