Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Meinung

Entsteht nach dem Haager Gerichtshof eine neue albanische Bewegung?

Protesta, nëse arrin të “çlirohet” nga prangat e kornizave tradicionale partiake, ajo, në fakt, do të arrijë të krijojë kondita të reja “negociuese”, si me Serbinë, ashtu edhe me qendrat e reja vendimmarrëse që po shihet se kanë marrë si formë, ashtu edhe përmbajtje, tejet dalluese nga ato të pasluftës

1.

Duket që Serbia dhe arkitektët e djallëzuar të Aktgjykimit drakonik të Hagës, që kanë parashikuar, por që, dorën në zemër, edhe kanë punuar me zell për këto gati tri dekada, që të ndodhë një polarizim i skajshëm, po edhe një fragmentim identitar, apo një përçarje e madhe, e ndoshta edhe një skenar apokaliptik në formë të një lufte civile, do të ndahen të zhgënjyer. Sepse, anipse ne si shoqëri, në ndërkohë, ishim të zhytur në deliriumin e vetëkënaqësisë kolektive që e prodhoi akti i shpalljes së pavarësisë, ai i fillimit të procesit të shtetdërtimit, protestat që po organizohen aktualisht duket që shpresën e Serbisë për fragmentim, përçarje e polarizim, në gjykimin tim sociologjik, do ta prolongojnë edhe për një kohë. E them kështu edhe për shkak se këto protesta ka shumë gjasa që të mund të konvertohen, midis tjerash, në dy binarë linearë. Binari i parë, që mua po më duket se veç është kah merr formën e një homogjenizimi emocional e kombëtar dhe të një potenciali pozitiv për konsolidim. Dhe binari i dytë, që mund të na çojë në një rrezik potencial për polarizim e tension të shfrenuar rajonal, ku Serbia këtë aktgjykim do ta përdorë në të gjitha forumet vendimmarrëse për të vazhduar më tej kontestimin e shtetësisë.

2.

Ajo çfarë jam kureshtar ta di dhe kuptoj në këtë rast ka të bëjë me hipotezën se a mundet një aktgjykim (politik) i tillë gjyqësor, përtej dimensionit të tij juridik, të prodhojë pasoja të thella sociologjike mbi shoqërinë e frustruar tashmë kosovare? Dhe a mundet ky aktgjykim i Gjykatës Speciale të Hagës të shndërrohet me lehtësi në një lloj katalizatori të ri homogjenizues kombëtar gjithëshqiptar? Pra, thënë edhe më thjeshtë: a mundet ky aktgjykim të kapërcejë kufijtë e Kosovës dhe të prodhojë një kauzë të re në gjithë hapësirën ballkanike që do t'i përshtatej edhe rendit të ri global që veç ka nisur të vijëzohet me ardhjen e Donald Trumpit në Zyrën Ovale amerikane? Janë këto dilema "hamletiane", por jo edhe të pamundura, nëse kihet parasysh se dikush konsideron apo ka edhe plane konkrete dhe vlerëson se ka ardhur koha e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare? Po themi kështu, gjithnjë duke u bazuar në një fakt të ditur sociologjik, se rrethanat sociopolitike, kur bashkëdyzohen me kriza moralo-politike, ato shumë shpejt dinë t'i determinojnë, po edhe përcaktojnë zhvillime dhe procese të caktuara politike, po edhe krijimin e konditave të reja për një narrativë të re mobilizuese, e madje edhe liderë të rinj. Pyetja jonë, në fakt, nuk është thjesht retorike, sepse protestat që po vazhdojnë pandalur në Prishtinë pas aktgjykimit, në një mënyrë, po tregojnë se kemi të bëjmë me një proces që nuk mund të shpjegohet vetëm me kategoritë e zakonshme të reagimit emocional politik. Ajo që po ndodh, mua po më duket se këtu kemi të bëjmë, midis tjerash, edhe me një narrativë të re, e që po niset si një proces i pakënaqësisë spontane identitare e simbolike, por që po interpretohet nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë jo më si dënim drakonik i individëve, por si një ngjarje që prek në thellësi një pjesë të kujtesës kolektive të luftës, të çlirimit dhe të vetë shtetformimit të Kosovës.

3.

Dhe nëse bëjmë pyetjen e radhës, se ku qëndron ai paradoksi i parë sociologjik i krejt kësaj arkitekture protestuese? Pra, cilat janë shanset që shoqëria aktgjykimet individuale për secilin veç e veç t'i përjetojë dhe perceptojë si aktgjykim për krejt luftëtarët e UÇK-së? Pra, në këtë ekuacion, ku përgjegjësia individuale juridike fillon të katapultohet apo transferohet në terrenin e një përjetimi më të gjerë kolektiv, ashtu siç po e manifestojnë protestuesit gjatë këtyre ditëve, gjasat për një dinamikë të re dhe një narrativë të munguar opozitare në gjithë këto vjet të paraluftës, janë më se reale. Dhe është pikërisht kjo mënyrë e reagimit ajo arsyeja se përse protestat në Prishtinë nuk duhen parë vetëm si reagim spontan ndaj një aktvendimi gjyqësor. Megjithatë, në gjykimin tim, protesta, nëse arrin të "çlirohet" nga prangat e kornizave tradicionale partiake, ajo, në fakt, do të arrijë të krijojë kondita të reja "negociuese", si me Serbinë, ashtu edhe me qendrat e reja vendimmarrëse që po shihet se kanë marrë si formë, ashtu edhe përmbajtje, tejet dalluese nga ato të pasluftës. Mirëpo, nëse mbetet vetëm rob i interesave klanore, grupore, partiake e ideologjike, e jo edhe interesave strategjike të Republikës, protesta, jam shumë i bindur, që do të mbetet vetëm një ikonografi partiake dhe një folklorizëm i dështuar defrustrues, e asgjë më shumë.

(Der Autor ist Soziologe.)