Në mundje, si në asnjë sport tjetër në Lojëra Mesdhetare deri më tani, ka pasur zhvillime të veçanta sa i takon Shqipërisë, Kosovës, por edhe garuesve shqiptarë. Shqipëria i ka fituar tri medalje mesdhetare në sportin e mundjes, Kosova nuk e ka shënuar asnjë fitore të vetme. Tri medalje në mundje i ka edhe Maqedonia e Veriut.
Derisa për Shqipërinë dy medalje i fituan mundësit me prejardhje nga Dagestani i Rusisë, për Maqedoninë e Veriut dy medaljet më të vlefshme deri më tani i kanë fituar mundësit shqiptarë nga Shkupi.
Dikur Kosova ishte në nivel me Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sa i takon mundjes, nëse jo më lartë. Por ka kohë që po rrëshqet poshtë e më poshtë. Dhe gara në Lojëra Mesdhetare e dëshmon këtë.
Egzon Xhoni i humbi dy përballjet në kategorinë deri 74 kilogramë në stil të lirë. Lonisa Reka u mposht në luftën e parë në 50 kilogramë, stil të lirë, njëjtë si Dorentina Nezaj në kategorinë deri 53 kg.
Shqipëria u prezantua me shtatë mundës, ku përfshihen edhe Islam Dudaev e Zelimkhan Abakarov. Ata janë të lindur në Dagestan, por nga viti 2022 garojnë me shumë sukses për Shqipërinë. Dhe në bazë të rezultateve janë dy prej tre sportistëve më të mirë që kanë garuar ndonjëherë për Shqipërinë. Abakarovi për Shqipërinë ka të fituara medalje të artë dhe të bronztë botërore, tri të arta e një të bronztë evropiane dhe të artë e të argjendtë në Lojëra Mesdhetare. Në Lojërat Mesdhetare që po mbahen aktualisht në Taranto të Italisë, e fitoi të argjendtën në 65 kilogramë, stil të lirë.
ebenfalls
Die Geschichte von Driton Kukë: Herausforderungen, Zweifel, Emotionen
Dudaevi ka medalje të bronztë olimpike, medalje të artë dhe të bronztë evropiane dhe të artë e të bronztë mesdhetare. Të premten e fitoi të artën në “Taranto 2026” në kategorinë deri 74 kg, stil të lirë.
Pos të artës së Dudaevit dhe të argjendtës së Abakarovit, Shqipëria në mundje fitoi edhe medalje të bronztë me Ardit Zenelin në kategorinë deri 67 kilogramë, në stilin greko-roman.
Zeneli i kishte dy fitore e një humbje. Në fakt kaq ka mjaftuar thuajse në të gjitha kategoritë në mundje për medalje, për shkak të konkurrencës jo shumë të madhe.
“Jam shumë i lumtur, faleminderit për mbështetjen. Shqipëria është shtëpia ime tani”, ka thënë Dudaev, duke falënderuar trajnerët dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Mundjes.
Në bazë të sukseseve, Chermen Valiev, është në treshen e sportistëve më të mirë të Shqipërisë. Ai po ashtu fitoi medalje bronzi në Lojëra Olimpike, derisa ka medalje të argjendtë botërore dhe të artë evropiane. Valiev, që është nga Osetia Veriore e Rusisë, aktualisht është i lënduar. Për Shqipërinë garon nga viti 2024.
Shqipëria i ka vetëm dy medalje olimpike deri më tani, të Valievit dhe Dudaevit.
ebenfalls
Kosovo-Judokas bei Balkanmeisterschaften nicht zu stoppen
Mundës nga Rusia ka edhe Maqedonia e Veriut. Por janë dy shqiptarë që sollën deri më tani medaljet më të vlefshme mesdhetare për këtë vend. Të hënën, Rexhep Hajdari fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 97 kilogramë në stil të lirë. Fati Vejseli u lëndua dhe humbi në finale të kategorisë deri 74 kilogramë. Pësoi nga Dudaevi i Shqipërisë dhe fitoi të argjendtën. Ndërkohë të bronztë për Maqedoninë e Veriut ka fituar Ahmad Magomedovi.
Gara e mundjes në Lojëra Mesdhetare ka dëshmuar shumë gjëra. Ndonëse jo prej garave më të forta, ka treguar se Kosova po i largohet gjithnjë e më shumë podiumit, që shqiptarët vazhdojnë të jenë sportistët më të suksesshëm në Maqedoni të Veriut, me gjithë sfidat, dhe që sportistët që lëvizin nga njëri vend në tjetrin tashmë janë shumë të rëndësishëm për ngjarjet ndërkombëtare.