Islam Selmani është kampion mesdhetar në karate. Ai fitoi të artën të martën në Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026".
Në finale të kategorisë deri 60 kilogramë, Selmani fitoi ndaj karateistit turk, Burak Ozdemir. Ndaj tij fitoi 1:0. Lufta ishte e fortë, por karateisti kosovar realizoi pikën e vetme.
Për Kosovën është medalja e shtatë në “Taranto 2026”, e dyta e artë. Të artë fitoi edhe Donjeta Sadiku në boks. Të argjendtë ka xhudistja Laura Fazliu, ndërsa të bronzta kanë fituar xhudistët e tjerë, Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Flaka Loxha e Fatjona Kasapi.
Boksi e karateja përfunduan garimin javën e kaluar. Dhe të martën ishte radha e karateistëve kosovarë.
Selmani e nisi ditën me fitore 2:0 ndaj Sami Tas të Francës. Në çerekfinale e mposhti qipriotin Andreas Gavriel. Qiprioti ishte duke udhëhequr, por u diskualifikua. Në gjysmëfinale, 21-vjeçari Selmani ishte bindës ndaj grekut të suksesshëm, Christos Xenos. Ndaj tij fitoi me rezultatin e thellë 11:5. Xenos është prej karateistëve më të mirë në botë. Ka tituj të botës e të Evropës. Por ishte inferir përballë karateistit të trajnerit Isak Curri.
“Po ndihem shumë mirë pasi ia dola të bëhem kampion, marrë parasysh se isha i lënduar. E kam pritur këtë sukses. Ishte shumë vështirë. Kisha përballë garues të nivelit të lartë. Të gjithë janë në Top-30 të botës. Në gjysmëfinale e kam mposhtur bindshëm grekun që është medalist olimpik dhe kampion botëror. Suksesin ia dedikoj gjithë Kosovës”, ka thënë Selmani.
Ai llogaritet prej karateistëve më të mirë që ka pasur Kosova. Vjet ishte i dyti në botë. Në Lojëra Mesdhetare, ku konkurrenca është shumë e fortë në karate, fitoi titullin e kampionit. Me paraqitjen bindëse të së martës vetëm ka konfirmuar nivelin superior që e ka.
Të martën garuan edhe disa karateistë të tjerë kosovarë.
Qëndresa Ibrahimi e fitoi luftën e parë në kategorinë deri 55 kilogramë. Por më pas pësoi dy humbje dhe mbeti pa medalje. U rendit e pesta.
Albulenë Gërvalla u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 50 kilogramë. Pengesa e para ishin të pakalueshme edhe për Elmedina Istogun e Vlerë Qerimin. Istogu garoi në kategorinë deri 61 kilogramë. Humbi në luftën e parë e më pas edhe në repesazh. Dy humbje i kishte edhe Qerimi në kategorinë deri në 68 kilogramë.
I fundit që garoi të martën ishte Betim Maliqi në kategorinë deri në 75 kilogramë. Ai nisi me fitore ndaj boshnjakut Ali Arnautoviq. Ndaj tij fitoi 6:3. Por në luftën e dytë humbi 2:0 nga Abdalla Abdelgaw i Egjiptit.
Të mërkurën në tatami dalin edhe karateistë të tjerë të Kosovës.