Studimet tregojnë se programet e strukturuara të aktivitetit fizik mund të ndikojnë në mbijetesë dhe në cilësinë e jetës së pacientëve me kancer. Megjithatë, mungesa e mbështetjes dhe e mbulimit nga sigurimet shëndetësore ua vështirëson qasjen pacientëve me të ardhura të ulëta
Lee Colker, 66 vjeç, po përballej me lodhje të paparashikueshme dhe vështirësi në përqendrim pasi kishte nisur një studim klinik për kancerin metastatik të veshkave. Kur mjekët e Qendrës Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut i thanë se ushtrimet fizike mund t’ia përmirësonin energjinë, ai pranoi menjëherë të merrte pjesë në një program të mbikëqyrur nga një trajner i specializuar për pacientët me kancer.
“Ky ishte faktori vendimtar për mua”, ka thënë Colker për Die New York Times.
Programi është pjesë e një përpjekjeje gjithnjë e më të madhe për të përfshirë aktivitetin fizik në kujdesin ndaj pacientëve me kancer, ndërsa shtohen provat për përfitimet e tij.
Një studim i rëndësishëm, i publikuar në vitin 2025, ka treguar se pacientët me kancer të zorrës së trashë që ndoqën një program të strukturuar ushtrimesh për tre vjet kishin më pak gjasa që sëmundja t’u rikthehej dhe gëzonin cilësi më të mirë të jetës.
Pas tetë vjetësh, 90 për qind e pacientëve që ndoqën programin ishin ende gjallë, krahasuar me 83 për qind të atyre që nuk morën pjesë në të.

Programi kushtonte rreth 3 mijë dollarë për person. Një studim i mëvonshëm ka treguar se ai mund të kursente edhe shpenzimet e sistemit shëndetësor, duke ulur nevojën për shtrime në spital, vizita në urgjencë dhe kontrolle të paplanifikuara.
“Po të kishim një ilaç me përfitime të tilla, ai do të bëhej menjëherë pjesë e trajtimit standard dhe do të mbulohej nga kompanitë e sigurimeve”, ka thënë Christopher Booth, onkolog dhe drejtues i studimit.
Pse nuk përfitojnë më shumë pacientë?
Udhëzimet mjekësore rekomandojnë që pacientët me kancer të zorrës së trashë të kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, me intensitet mesatar deri të lartë. Por shumë prej tyre kanë nevojë për trajnerë, programe të përshtatura dhe mbikëqyrje të vazhdueshme për t’i përballuar ushtrimet dhe për t’i bërë pjesë të rutinës.
Problemi është se këto programe ende nuk mbulohen gjerësisht nga sigurimet shëndetësore. Shumica ofrohen në qendra të mëdha onkologjike dhe financohen nga donacionet ose pagesat e vetë pacientëve. Kjo i lë në disavantazh personat me të ardhura të ulëta dhe ata që jetojnë larg qendrave të specializuara.
“Ne mund t’u themi pacientëve se, nëse ushtrohen, mund të jetojnë më gjatë. Por, fatkeqësisht, nuk kemi ende infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë studiuesi Scott Ramsey.

Ushtrimet duhet të përshtaten për çdo pacient
Sipas ekspertëve, nuk mjafton t’u thuhet pacientëve të lëvizin më shumë. Programet duhet të përshtaten me gjendjen fizike, simptomat dhe nevojat e secilit.
“Ushtrimet nuk kanë të bëjnë vetëm me biologjinë, por edhe me sjelljen”, ka thënë Kathryn Schmitz, studiuese e onkologjisë së ushtrimeve fizike në Qendrën e Kancerit Hillman, në Pitsburg.
Ajo drejton programin “Moving Through Cancer”, ku merr pjesë edhe Colker.
Një tjetër përfituese është Kimberly Barker, 68 vjeçe, e cila vuante nga dhimbjet e mesit dhe ijeve, si dhe nga lodhja pas trajtimit për kancerin e fshikëzës urinare dhe të mitrës.
“Isha gjithmonë e lodhur, pa energji dhe pa qëndrueshmëri fizike”, ka treguar ajo.
Barker ka ndjekur seanca javore me një trajnere për 12 javë dhe vazhdoi ushtrimet edhe pasi programi përfundoi. Me kalimin e kohës, ajo rifitoi energjinë dhe iu rikthye aktiviteteve që pëlqente. Së bashku me bashkëshortin, rifilloi edhe shëtitjet me biçikletë.
Një hap i ri në trajtimin e kancerit
Duke u bazuar në rezultatet pozitive dhe studimet që tregojnë kursime në shpenzimet shëndetësore, Qendra Mjekësore e Universitetit të Pitsburgut planifikon të përfshijë programin në sigurimin shëndetësor të punonjësve të saj për pacientet me kancer të gjirit, duke nisur nga viti i ardhshëm.
Sipas Schmitz, ky do të ishte rasti i parë në SHBA kur një sistem shëndetësor ofron mbulim nga sigurimet për një program të tillë të aktivitetit fizik në onkologji.
Nëse nisma rezulton e suksesshme, institucioni synon ta zgjerojë programin për të gjitha llojet e kancerit në vitin 2028.
“Kjo nuk është më thjesht diçka që do të ishte mirë ta kishim. Është një ndërhyrje terapeutike që duhet të zbatohet për të gjithë pacientët”, ka theksuar Schmitz.