Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Lifestyle

Warum das Zulassen von Fehlern das Selbstvertrauen von Kindern stärken kann

Kinder

Të ndërhysh sa herë që diçka shkon keq mund të jetë një reagim i natyrshëm për prindërit, por një qasje prindërore i nxit nënat dhe baballarët t’u japin fëmijëve hapësirë që t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Prindërit mund të ndiejnë instinktivisht dëshirën për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga çdo gabim, por lejimi i tyre të dështojnë mund t’i ndihmojë të bëhen më të sigurt në vetvete dhe më të qëndrueshëm përballë vështirësive.

Ndryshe nga i ashtuquajturi “prindërimi helikopter”, ku të rriturit mund të përfshihen tepër në vendimet dhe vështirësitë e fëmijëve, prindërit që ndjekin qasjen “lighthouse” u japin gradualisht fëmijëve më shumë liri për t’i zgjidhur vetë gjërat.

Joe Farrell, psikoterapist dhe pronar i Peninsula Child Family Services në Virxhinia, ka thënë për revistën “Parents” se megjithatë prindërimi “lighthouse” nënkupton vendosjen e kufijve por duke i lejuar të marrin vendime edhe vetë. 

“Prindërimi ‘lighthouse’ qëndron diku në mes: nuk përfshihesh tepër, por gjithashtu nuk bëhesh as lejues dhe i distancuar. Duke qenë aty për t’u ofruar fëmijëve mbështetje dhe udhëzim, por pa ua zgjidhur thjesht problemet, u jepni mundësinë të ndiejnë se kanë mjetet e nevojshme për të përballuar gjithçka që jeta mund t’u sjellë”, ka thënë psikoterapisti Farrell.

Kjo mund të nënkuptojë që prindërit të përmbahen qëllimisht nga ndërhyrja kur diçka shkon keq.

“Është e vështirë të tërhiqesh pak dhe t’i lejosh fëmijët të rriten e të mësojnë vetë. Duhet t’i lejosh të dështojnë”, shtoi tutje Farrell.

Në vend të kësaj, prindërit inkurajohen t’i trajtojnë gabimet si mundësi për të mësuar, dhe jo si raste për t’u thënë fëmijëve se i kishin paralajmëruar qysh nga fillimi.

Farrell ka treguar gjithashtu se çfarë mund të mësohet nga kjo.

“Çfarë mund të mësojmë nga kjo? Nuk bëhet fjalë për t’iu frikësuar rezultatit të mundshëm të keq, por për ta pranuar deri diku dhe për ta shfrytëzuar si një mundësi për të mësuar. Niveli i pavarësisë duhet të rritet me kalimin e moshës. Fëmijët e vegjël, natyrisht, kanë nevojë për shumë më tepër mbikëqyrje sesa adoleshentët”, ka thënë tutje psikoterapisti.

Megjithatë, prindërimi “lighthouse” nuk do të thotë të injorosh sjelljet potencialisht të rrezikshme. Farrell thotë se prindërit duhet të ndërhyjnë nëse dyshojnë për përdorim droge, dalje fshehurazi nga shtëpia ose kërcënime të tjera ndaj sigurisë së fëmijës.

Qëllimi, në fund të fundit, është që prindi të jetë si vetë emri i kësaj qasjeje: si një far që është gjithmonë i dukshëm kur nevojitet udhëzim, por që nuk e drejton çdo lëvizje të fëmijës.