Një studim i ri sugjeron se mënyra se si një person vizaton mund të ndihmojë në zbulimin e shenjave të sëmundjes së Parkinsonit, falë përdorimit të inteligjencës artificiale, ka shkruar ScienceAlert.
Studiues nga India kanë zhvilluar një sistem me AI që analizon mënyrën se si njerëzit vizatojnë forma të thjeshta, duke kërkuar ndryshime të vogla në lëvizjet e dorës, dridhjet dhe koordinimin.
Wie funktioniert der Test?
Në studim morën pjesë 66 persona: 31 prej tyre kishin Parkinson dhe 35 ishin të shëndetshëm.
Pjesëmarrësit përdorën një laps inteligjent, i cili jo vetëm regjistronte vizatimin, por edhe matje të lëvizjeve të dorës gjatë procesit.
Ata duhej të vizatonin dy lloje figurash: spirale dhe vija të vazhdueshme me kënde, të njohura si “meandre”.

Më pas, studiuesit përdorën disa sisteme të inteligjencës artificiale për të analizuar vizatimet dhe të dhënat e mbledhura nga lapsi.
Rezultatet ishin mjaft premtuese. Sistemi arriti të identifikonte personat me Parkinson me 98.95 për qind saktësi për vizatimet meandre dhe 97.74 për qind për vizatimet spirale.
Studiuesit shpjegojnë se vizatimet mund të tregojnë parregullsi që lidhen me dridhjet dhe kontrollin e dobët të lëvizjeve.
“Imazhet e shkruara me dorë tregojnë karakteristikat hapësinore të parregullsive në vijat e vizatuara, deformimeve të shkaktuara nga dridhjet dhe devijimeve të formës”, thuhet në raportin e studimit.
Ndërkohë, të dhënat e mbledhura nga lapsi inteligjent regjistrojnë edhe mënyrën se si lëviz dora në kohë, përfshirë ndryshimet në shpejtësi, presion dhe koordinim.
Ende nuk është një test diagnostik
Pavarësisht rezultateve të larta, studiuesit paralajmërojnë se testi nuk është ende gati për përdorim si metodë diagnostikuese.
Arsyeja kryesore është numri shumë i vogël i pjesëmarrësve, vetëm 66 persona. Një studim kaq i vogël nuk mund të tregojë nëse sistemi do të funksionojë po aq mirë te një numër i madh dhe i larmishëm pacientësh.
Sipas studiuesve rezultatet duhet të konfirmohen përmes studimeve më të mëdha klinike.
“Studimi tregon rolin në rritje të inteligjencës artificiale në zbulimin e hershëm dhe të qasshëm të çrregullimeve neurologjike, duke mbështetur kalimin drejt një kujdesi shëndetësor parandalues dhe të personalizuar”, thuhet tutje në raportin e studimit.
Nëse rezultatet konfirmohen në studime më të mëdha, kjo teknologji mund të ndihmojë në krijimin e një metode jo-invazive, me kosto të ulët dhe potencialisht të përdorshme edhe në distancë për të identifikuar shenjat e hershme të Parkinsonit.
Pra, edhe pse një vizatim i zakonshëm nuk mund të diagnostikojë Parkinsonin, mënyra se si lëviz dora gjatë vizatimit mund të përmbajë të dhëna të vlefshme për shëndetin neurologjik.