Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
ABENDNACHRICHTEN

Flora Brovina, die Ärztin und Humanistin, die zum Symbol des Widerstands wurde, ist gestorben.

Flora

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka përshkruar Brovinën si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të saj. E ish-presidentja e deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e ka kujtuar Brovinën, duke e cilësuar simbol të qëndresës së një gruaje për të drejtat dhe lirinë

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja, Flora Brovina.
Për vdekjen e saj kanë njoftuar familjarët të martën.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka përshkruar Brovinën si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të saj.

“Pas luftës vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të vendit. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan”, ka thënë Haxhiu.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka kujtuar Brovinën si simbol të qëndresës dhe dashurisë për atdheun. 

“Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës. Për mua, për PDK-në dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ajo do të mbetet përjetësisht simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Fjalët janë të pakta për humbjen e saj. Prehu në paqe, Florë!”, ka shkruar Hamza në rrjetet sociale.

Edhe ish-presidentja e deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e ka kujtuar Brovinën, duke e cilësuar simbol të qëndresës së një gruaje për të drejtat dhe lirinë.

“Flora Brovina u bë simbol i qëndresës së një gruaje që, edhe në robëri, nuk hoqi dorë nga Kosova dhe nga e drejta e saj për liri. Aktivitetin e saj nuk e ndali as pas luftës, duke shërbyer në disa mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës. Kujtimi për jetën, sakrificën dhe qëndresën e saj do të mbetet pjesë e pandashme e historisë së Kosovës”, ka thënë ajo.

Brovina ishte një nga figurat e njohura të rezistencës dhe jetës publike në Kosovë. Në vitin 1992, themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe për ndihmë humanitare.

Gjatë luftës në Kosovë, ajo qëndroi në Prishtinë dhe vazhdoi veprimtarinë humanitare e mjekësore.
Më 20 prill 1999, u arrestua nga forcat serbe dhe u burgos në Serbi. Në dhjetor të vitit 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim, nën akuzat për veprimtari terroriste. Vendimi u anulua më pas nga Gjykata Supreme e Serbisë dhe rasti u kthye për rigjykim.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e konsideruan rastin e saj politik dhe kërkuan lirimin e saj. Pas rreth 19 muajsh burgim, u lirua në nëntor të vitit 2000.

Për veprimtarinë e saj, Brovina u nderua me çmime ndërkombëtare.

Si pjesë e PDK-së, ajo ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, ndërsa më 17 shkurt 2008 ishte një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ajo lindi më 30 shtator 1949 në Skenderaj, ndërsa studimet për mjekësi i përfundoi në Zagreb.