Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
ABENDNACHRICHTEN

Die Vereinbarung zwischen LVV und LDK überzeugte Dehari, einen Termin für die Fortsetzung der Sitzung festzulegen.

Avni Dehari

Foto: Driton Pacharada

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vendosur që vazhdimi i seancës të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se e sheh si lajm të mirë arritjen e kësaj marrëveshjeje, ndonëse, sipas tij, ende nuk ka qartësi të plotë nëse ka vota të mjaftueshme për formimin e të gjitha institucioneve. Kreu i Aleancës Ardian Gjini e cilësoi këtë datë përtej çdo afati kushtetues dhe tha se Vetëvendosja po tallet me shtetin

Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja. 

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.

Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës.  

“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t'i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Deharit.

Ftesa e Deharit për vazhdimin e seancës, ka nxitur reagime. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar tallje me shtetin dhe dalje përtej binarëve kushtetues, caktimin e vazhdimit të seancës konstituive më 9 shtator. 

Duke e cilësuar këtë datë përtej çdo afati kushtetues, Gjini i ka quajtur Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin “superkriminelë”.

“Shumica dërrmuese prej nesh e kemi ditë se edhe para 30 ditësh ka pasur shkelje, por kemi besuar se duhet mbajtur një rrugë çelë që Kosova të mos dalë jashtë çdo vije kushtetuese. Ajo që ka ndodhur sot është se një person që i ka zaptuar institucionet në mënyrë të paligjshme dhe është toleruar nga të gjitha partitë me ia caktuar vetes edhe 30 ditë e edhe këto 30 ditë i ka shkelur. Kosova është jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues. Kjo është anarki, thënë më së buti. Do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj të historisë, duke përdorur termet e tyre”, ka thënë Gjini. 

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse seanca e 9 shtatorit do të mjaftojë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.

Në fillim të kësaj jave, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u pajtuan që diplomati dhe juristi kosovar, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Por kandidatura e Sejdiut është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e zgjedhjes së tij.

Ndërsa në LDK po vazhdojnë përplasjet e brendshme pas vendimit të 6 deputetëve, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca tash e sa ditë kanë zhvilluar aksion para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me kërkesën për thirrjen sa më të shpejtë të seancës konstituive të Kuvendit.