Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
ABENDNACHRICHTEN

Es wird erwartet, dass das Parlament eine Erklärung gegen die Verurteilung ehemaliger UÇK-Führer abgeben wird.

Kryesia e Kuvendit - 25 shtator

Foto: Driton Pacharada

Nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka kaluar tashmë në Qeveri. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është zotuar se do të kërkojë që ky projektligj të trajtohet me prioritet. Ndërsa, kryesia e Kuvendit është dakorduar që Kuvendi ta nxjerrë një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin dënues nga Specialja

Nisma për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale tashmë ka kaluar në Qeveri për shqyrtim. Në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kryekuvendarja Albulena Haxhiu, është zotuar se do të kërkojë që kjo nismë të trajtohet me urgjencë.

Përveç kësaj, u njoftua se Kuvendi i Kosovës do të dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.  

“Tash presioni dhe kërkesa e të gjithëve duhet të jetë te Qeveria e Republikës së Kosovës. Unë këtë kërkesë dhe këtë presion e bëra edhe sot në mbledhjen e kryesisë, ku kryetarja e Kuvendit, znj. Haxhiu, u zotua se ajo personalisht do të angazhohet dhe do të komunikojë me kryeministrin Albin Kurti në mënyrë që kjo nismë ligjore të trajtohet me urgjencën e nevojshme”, ka thënë Arian Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Se është zotuar që do të kontribuojë që kjo nismë të trajtohet me prioritet nga Qeveria, e tha edhe Albulena Haxhiu. Megjithatë, ajo shtoi se është gabim që për këtë nismë nuk janë konsultuar edhe avokatët mbrojtës.

“Shumë më e drejtë do të ishte se çfarëdo që do të bënim, të vinim bashkërisht në komisionin për legjislacion dhe të draftonim një ndryshim-plotësim të ligjit ose që paraprakisht të paktën të konsultohen ekspertët e fushës e po ashtu ekipet mbrojtëse. Unë nuk mendoj që bëjmë mirë në qoftë se nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore”, ka theksuar Haxhiu.

Besnik Tahiri nga Aleanca është shprehur se grupi parlamentar të cilit i përket, ofron mbështetje për nismën legjislative, e cila ndodhet në Qeveri.

“Aleanca, çfarëdo iniciative e cila do të sjellë dhe do të ndihmojë drejtësinë dhe kthimin e çlirimtarëve në Kosovë do ta mbështetë”, është shprehur Tahiri.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se PDK-ja nuk është konsultuar me ta për këtë nismë.

“Është e rëndësishme që çështjet e tilla t’i adresojmë në një strategji të mirëfilltë shtetërore pa protagonizma. Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush (me sa unë jam në njohuri) nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët dhe bashkëpunëtorët tanë nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së”, ka thënë Arbëri Nagavci, shefe e grupit parlamentar të LVV-së.

Nagavci tha se çdo protagonizëm në këtë pikë do të sjellë dëme.

Mbrëmë, protestuesit kanë vendosur banerin para hyrjes së Kuvendit, duke paralajmëruar deputetët se në mungesë të mbështetjes për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Specialen, ata do të përballen me popullin.