Me 6 muaj burgim, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Kadri Xhemailin, i akuzuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri në tetor të 2025-s, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur Kurtin përmes rrjetit social Facebook, duke i thënë se do ta privojë nga jeta, konkretisht me fjalët: “Ah Albini e meriton me ja shpue kryt por nejse i vjen reni edhe atij”.
Gjyqtari Rrahman Beqiri tha se i akuzuari është fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet.
“Gjykata bazuar në dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, i shqipton dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili vendim do të ekzekutohet në afat prej 30 ditësh”, ka njoftuar Beqiri.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, por edhe në seancën dëgjimore nuk ishte i pranishëm Kurti, për çka gjyqtari Beqiri tha se ai e ka pranuar ftesën, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar.
ebenfalls
Ein kosovarischer Polizeileutnant wurde wegen Spionage zugunsten Serbiens zu sechs Jahren Haft verurteilt.
E paraprakisht prokurori special, Bekim Kodraliu, e njoftoi Gjykatën se ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me të akuzuarin Xhemaili.
“Marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me vullnet të lirë, pa asnjë presion. Pas konsultimit të mjaftueshëm të pandehurit me të mbrojturin e tij, i njoftuar me pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe se aktakuza e ngritur është e mbështetur në prova të ligjshme dhe të cilat vërtetojnë se i njëjti i ka marrë veprimet si në dispozitiv të aktakuzës. Meqë marrëveshja është e mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, kërkoj nga ju që ta aprovoni marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, ka thënë Kodraliu.
Edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Rinor Arifi, pohoi se mbrojtja mbetet pranë marrëveshjes së arritur me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
“Konsiderojmë se te gjitha kushtet ligjore për pranimin e kësaj marrëveshjeje janë plotësuar duke pasur parasysh se i mbrojturi im është konsultuar me mua si mbrojtës, fillimisht me natyrën dhe pasojat juridike të pranimit të fajësisë”, ka theksuar Arifi.
E i akuzuari Xhemaili shprehu pendesë për rastin.
ebenfalls
Endrit Nika wurde wegen Mordes an seiner argentinischen Freundin zu 18 Jahren Gefängnis verurteilt.
“Jam fajtor. Kërkoj falje për këto veprime”, ka deklaruar Xhemaili.
Gjykata njoftoi se i akuzuari ka të drejtë ankese lidhur me lartësinë e dënimit. Por, as ai dhe as mbrojtja e tij nuk thanë se do të ankohen.