Të zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë janë shprehur avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së. Pas seancës, ku u dha verdikti për dënimin e katërshes udhëheqëse të UÇK-së, avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi, ka sugjeruar që Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë menjëherë
Dështim i drejtësisë është cilësuar vendimi dënues ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nga avokatët e tyre mbrojtës.
I zhgënjyer nga vendimi, Pierre-Richard Prosper, avokat i ish-presidentit, Hashim Thaçi, ka sugjeruar që qysh nesër, Kuvendi i Kosovës duhet t’ia heqë mbështetjen Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
“Kam goditur kokën time me grushte kur gjykatësi shqiptoi ‘në emër të popullit të Kosovës’. Ata nuk dëgjuan mbrojtjen. Parlamenti i Kosovës duhet ta shohë këtë. Sepse ky është partneritet mes BE-së dhe Parlamentit të Kosovës. Unë do e hiqja mbështetjen që nesër. Kosova duhet të marrë një vendim sovran. Në disa raste duhet të çohesh në këmbë dhe të marrësh një vendim”, ka thënë ai.
Avokati Prosper po ashtu u ka bërë thirrje NATO-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që të shqyrtojnë nga afër vendimin e gjykatës.
Vërejtje të mëdha për vendimin ka dhënë edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Rodney Dixon, teksa ka paralajmëruar dërgimin e çështjes në Apel.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, në emër të z. Veseli, kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, vrasje apo aktivitet kriminal gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë, të cilin sapo e kemi pranuar, me qëllim që të paraqesim një apelim të fuqishëm dhe të vazhdojmë luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veselit dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, ka theksuar ai.
I zhgënjyer është shprehur edhe avokati i Rexhep Selimit.
Avokatët mbrojtës e kanë cilësuar 16 shtatorin si ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare.