Me posterët e deputetëve të LVV-së, në Aleancë kanë kërkuar “lirimin” e tyre nga, siç kanë thënë, “grushti i hekurt” i Albin Kurtit dhe Dejona Mihalit. Aksioni simbolik është zhvilluar të hënën para Kuvendit. Sipas deputetit Burim Ramadani, kontrolli politik po synohet të shtrihet edhe në institucionet e Kosovës
Partia e udhëhequr nga Ardian Gjini – Aleanca, përmes një aksioni simbolik të hënën, ka bërë thirrje për “lirimin” e 52 deputetëve të Vetëvendosjes nga, siç kanë thënë, “grushti i hekurt” i Albin Kurtit dhe Dejona Mihalit.
Në aksionin e zhvilluar para Kuvendit, forumi rinor i Aleancës bashkë me deputetin Burim Ramadani kanë vendosur posterë të deputetëve të partisë në pushtet me mbishkrimin “liri”.
Sipas Ramadanit, censura dhe kontrolli nga partia po tentohet të bartet edhe në institucione.
“A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë deputet ose deputete të Vetëvendosjes që e flet mendimin e tyre? Përgjigjja është jo! Sepse partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt pra është jo demokratike dhe ky nuk është problem i kufizuar veç në Vetëvendosje. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet, po tentohet në mënyrë të vrazhdë, të tentohet në krejt institucionet e Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka thënë se me censurë, sipas tij, nuk janë të kënaqur as deputetët e LVV-së.
“Jo rrallë dhe në adresa të caktuara deputetet dhe deputetët e Vetëvendosjes kanë filluar të ankohen për bllokim e brenda Grupit Parlamentar dhe grushtin e hekurt që ndodh aty, respektivisht nuk pajtohen me atë që ndodh po e thonë pastë e qartë se nuk e kanë lirinë e shprehjes dhe nuk e kanë lirinë që të flasin”, është shprehur ai.
Albin Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e Dejona Mihali është koordinatore e Komiteteve të Partisë.
Deputetët opozitarë e ndërlidhin emrin e Mihalit me kontroll mbi ligjvënësit e LVV-së. E kanë akuzuar shpesh se ua shkruan fjalimet që ata mbajnë në Kuvend, e gjithashtu edhe për postimet në faqet e tyre në rrjetet sociale, pretendime që janë hedhur poshtë në disa raste nga deputetët e LVV-së.