Në qendër të “The Clearing” është historia e grave në sistemin e dhunshëm të plantacioneve të Sumatrës në fillim të shekullit të kaluar. Sabine Groenewegen ndërton filmin mbi materiale arkivore, rrëfime dhe narracion në film. Nëpërmjet arkivave, dëshmive e kujtimeve familjare dhe gjuhës filmike që lëviz midis dokumentarit dhe fiksionit, “The Clearing” rikthen zërat e atyre që historia koloniale i la në margjina
Dokumentari i holandezes, Sabine Groenewegen, rikthen në kujtesë historinë e heshtur të kolonializmit holandez në Indonezi. Trajton shfrytëzimin, dhunën dhe fshirjen nga historia të grave që jetuan në plantacionet e ishullit Suumatra. Nëpërmjet arkivave, dëshmive e kujtimeve familjare dhe gjuhës filmike që lëviz midis dokumentarit dhe fiksionit, “The Clearing” rikthen zërat e atyre që historia koloniale i la në margjina.
Kjo është pika nga e cila nis “The Clearing”, filmi i regjisores holandeze Sabine Groenewegen me kohëzgjatje prej 89 minutash. Filmi pati premierën botërore në edicionin e 37-të të “FIDMarseille”, ku u shfaq në garën ndërkombëtare. Festivali u mbajt nga 7 deri më 12 korrik 2026, ndërsa premiera e “The Clearing” qe më 8 korrik.
Në qendër të “The Clearing” është historia e grave në sistemin e dhunshëm të plantacioneve të Sumatrës në fillim të shekullit të kaluar. Groenewegen ndërton filmin mbi materiale arkivore, rrëfime dhe narracion në film.
Një prej tyre është rrëfimi i një gruaje të re javaneze që shkon të punojë në plantacionet e Sumatrës dhe përfundon në pozitën e një ‘nyai’ – term kolonial për gratë vendase që hynin në marrëdhënie, të pabarabartë dhe të varura nga burra evropianë. Filmi e lidh këtë histori me kujtimet e kolonëve, me hulumtim të regjisores dhe me fatin e aktores Amsy Moina, skenat e së cilës ishin fshire nga një melodramë holandeze e vitit 1936.
Groenewegen e ka lidhur këtë hulumtim edhe me historinë e familjes së saj. Ajo tregon se në të njëzetat e saj pa për herë të parë fotografinë e stërgjyshes nga ana e nënës dhe zbuloi prejardhjen e saj indo-indoneziane. Heshtja rreth grave të anës së saj familjare u bë një prej pikave të nisjes së filmit.
ebenfalls
„Die Odyssee“ erobert Kosovo mit rekordverdächtigen Darbietungen und einer Geschichte über albanische Klänge
Për ta kuptuar historinë e filmit “The Clearing”, duhet të kuptohet edhe vendi ku zhvillohet kjo histori.
Sipas të dhënave, Sumatra është një nga ishujt kryesorë të Indonezisë dhe ndodhet në skajin perëndimor të arkipelagut indonezian, pranë Gadishullit Malajz dhe e ndarë prej tij nga Ngushtica e Malakës.
Ishulli është i pasur me pyje tropikale, lumenj, toka pjellore dhe burime natyrore. Pikërisht këto pasuri e bënë Sumatrën një hapësirë të rëndësishme për tregtinë dhe më vonë për ekonominë koloniale..
Por, suksesi ekonomik kishte çmim njerëzor.
Për shkak se kërkohej një numër i madh punëtorësh, në plantacione u sollën punëtorë nga Kina dhe Java. Sistemi i punësimit të tyre, siç tregohet në film, u pasua me kontrata të rënda, varësi ekonomike dhe masa ndëshkuese. Në vitin 1880, administrata koloniale holandeze miratoi rregulloren që u jepte pronarëve të plantacioneve kompetenca shumë të mëdha mbi fuqinë punëtore. Filmi e përshkruan këtë sistem si formë të punës së detyruar dhe të dhunës sociale, pavarësisht se skllavëria formale kaherë nuk ekzistonte.
Punëtorët mund të ndëshkoheshin fizikisht për shkelje të kontratave dhe kushtet e jetesës në plantacione ishin shpesh jashtëzakonisht të vështira.
Filmi i Groenewegen vendos theks të veçantë në atë se trupi i gruas ishte pjesë e këtij sistemi ekonomik dhe patriarkal.
Për Groenewegen, problemi nuk është vetëm se këto gra u shfrytëzuan. Problemi është se shfrytëzimi i tyre u klasifikua dhe u kujtua si diçka private, duke e nxjerrë atë jashtë historisë së sistemit kolonial.
“Pjesa personale është në film. Ndoshta ajo që ndodhi ishte se, teksa rritesha, ndonjëherë më pyesnin nëse isha ‘Indo’. Kjo nuk do të thotë aspak se dua të pretendoj se kam pasur një përvojë të vështirë për shkak të identitetit tim gjatë rritjes. Mendoj se, në pjesën më të madhe, përvoja ime ka qenë ajo e të qenit e bardhë, ose të paktën e të konsideruarit si e bardhë. Por ndonjëherë më bëhej kjo pyetje. Dhe unë pyesja në shtëpi, ndërsa ata më thoshin: ‘Jo, jo, jo. Asgjë, asgjë’ Pastaj, kur isha diku në të njëzetat, xhaxhai im më dha një kuti me fotografi. Brenda saj ishte një fotografi e stërgjyshes sime. Dhe për mua, nga tiparet e saj, ishte shumë e qartë se ajo ishte një grua japoneze me prejardhje të përzier”, ka thënë ajo pas shfaqjes së filmit në teatrin “Bekim Fehmiu” në kuadër të ditës së dytë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”.
ebenfalls
Klassische Nächte „vom Wald zu einem Sternentstehungsgebiet und den Feuern der Hölle“
Ajo ka bërë me dije se ka identifikuar një aktore, historia e së cilës ishte fshirë krejtësisht, e cila, siç shperret regjisorja, ishte bërë një lloj figure ndërmjetësuese.
“Për mua ishte shumë konfuze dhe tronditëse të kuptoja se nëna ime nuk dinte absolutisht asgjë për këtë dhe se kjo histori ishte heshtur plotësisht nga familja e anës së nënës. Ishte shumë e vështirë të kërkoja ndonjë gjurmë. Madje, në atë kohë nuk kisha as gjuhën e nevojshme për të kuptuar se çfarë ishte ajo që po kërkoja. Nuk isha e lidhur me komunitetet përkatëse. Por më pas zbulova një tjetër rast të fshirjes: atë të një aktoreje të së njëjtës gjeneratë me stërgjyshen time, pak më të re, e cila më kujtoi shumë stërgjyshen time dhe kishte tipare të ngjashme me të. Ajo kishte qenë aktore në një film të viteve 1930”, ka thënë ajo duke bërë me dije se hap pas hapi i ishin hapur rrugët e hulumtimit të saj.
“Dhe në fund, kjo më çoi te shkrimet e një antropologeje amerikane që kishte bërë kërkime mbi këtë çështje në vitet ’80, Ann Stoler. Ajo ka bërë shumë punë mbi antropologjinë e arkivave koloniale, veçanërisht mbi arkivat koloniale holandeze. Gjithashtu, në vitet ’80, ajo ka bërë mjaft punë me historinë gojore. Në njëfarë mënyre, ajo kishte zbuluar e vetme shumë nga faktet rreth asaj që po ndodhte në këto plantacione. Dhe përmes kësaj qasjeje akademike, fillova të kuptoja se çfarë kishte ndodhur”, ka thënë më tej regjisorja holandeze.
Regjisorja ka thënë se gjatë kërkimit të saj u përball me historinë e grave që ishte sistematikisht e errësuar përmes raporteve të klasifikuara, materialeve të fshira dhe heshtjeve familjare.
Groenewegen përdor fotografi, filma të vjetër, materiale arkivore dhe dëshmi, por i ka montuar ato në strukturën e një lloj filmi eksperimental.
Filmi përfshin edhe gjuhën láadan, një gjuhë feministe e krijuar shumë më vonë, të cilën regjisorja e përdor për të artikuluar përvoja që dokumentet koloniale nuk i kanë përshkruar ose i kanë deformuar.
Edhe titulli është domethënës. “The Clearing” – hapësira e pastruar, e çliruar, e hapur.
Regjisori ukrainas, por i rritur si emigrant në Brooklyn, Lev Omelhenko, ka thënë se ishte i njohur me këtë temë. Ka vlerësuar se regjisorja ka bërë punë shumë të mirë.
ebenfalls
Albanien im Soundtrack von Nolans „Die Odyssee“
“Përdorimi i materialeve origjinale filmike, si edhe elementet më të sajuara të filmit, të cilat i qëndrojnë besnik burimeve origjinale, së bashku me këtë gjuhë imagjinare që përdoret gjatë gjithë filmit, krijojnë diçka shumë interesante. Mendoj se ka shumë fije të ndryshme që, të ndërthurura së bashku, krijojnë një histori shumë poetike mbi një subjekt jashtëzakonisht të dhimbshëm dhe të vështirë. Unë e njihja temën dhe e dija për gjenocidin në Indonezi në pjesën e dytë të shekullit të 20-të. Prandaj, të shihje materialet origjinale që e mbështesin këtë histori – siç tha edhe regjisorja, se liria dhe pavarësia erdhën bashkë me borxhin – ishte shumë domethënëse”, ka thënë ai.
Sumatra koloniale ishte njëkohësisht territor lufte, territori i plantacioneve dhe laborator i kapitalizmit kolonial. “The Clearing” është film për kujtesën, por edhe për pushtetin. Për mënyrën se si një histori mund të zhduket.