Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

„Unbekannte“ der Gegenwart, die antike Tragödien wiederbeleben

Unerkannt

Shfaqja “Unrecognized” vjen si një lloj laboratori të historisë, që nis këtu e 2500 vjet më parë. Një histori që bredh, riciklohet dhe përsëritet në forma të ndryshme (Foto: Majlinda Hoxha)

Në shikim të parë duket sikur tragjeditë e antikës janë mite, por me shfaqjen “Të panjohur” histori të tilla janë të njohura dhe aktuale. Aktorë nga pesë shtete bashkohen në skenë me shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Davit Gabunias nga Gjeorgjia. Aty gjejnë të përbashkëtat e rrugëtimit të tyre nëpër realitetin ku zhvendosjet e popullatës dhe gjenocidet vazhdojnë të ndodhin

Emri i tij është Shkëlqim. Por nuk i njihet nga shteti ku u lind dhe jeton. Në gjuhën zyrtare të asaj që tash është Maqedonia e Veriut, në të cilën lëshohen edhe dokumentet identifikuese, nuk ekziston shkronja “ë”. Për pasojë, në pasaportë emri i tij figuron diçka si “Shkjlkim”. Pa “ë”, emri i tij është edhe në dokumente të tjera. Kësisoj, Shkëlqim Islami nuk njihet tamam nga shteti prej nga vjen. Telashet e tij me pasaportën dhe shtetin, i lënë disi në plan të dytë ato të kolegëve, të cilët, krejt në fillim të shfaqjes “Unrecognized”, tregojnë se nuk janë të kënaqur me fotografinë e tyre në pasaportë apo flasin për shtetet ku mund ose nuk mund të udhëtojnë pa viza. 

“Unrecognized” (“Të panjohur”), që ka bashkuar tetë teatro e kompani teatrore nga shtete të ndryshme dhe që është dhënë të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i flet fort realitetit aktual. Por zë fill te një mit i moçëm.

Me tekst të Davit Gabunias nga Gjeorgjia dhe Jeton Nezirajt nga Kosova, e nën regji të Data Tavadzes, ky produksion ndërkombëtar sjell jehonën e një të kaluare që nuk di të ndalet së përsërituri.
Në tragjedinë “Ifigjenia në Tauridë” të dramaturgut antik grek Euripidit, Ifigjenia flijohet nga i ati për t’ia mundësuar ushtrisë greke nisjen drejt Trojës. Por perëndesha Artemidë e shpëton dhe e çon në Tauridë, një vend i largët në brigjet e Detit të Zi, që lidhet me Krimenë e sotme, të aneksuar nga Rusia më 2014. Dhe këtu e kaluara mitike nis t’i japë frymë së tashmes. “Unrecognized”, që bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia, e shtjellon këtë mit. Rrëfehet për peripecitë e kohës, ndërsa në këtë dramë antike, njohja e Ifigjenisë me të vëllain, Orestin, përbën kulmin.

E bashkëprodhuar nga Qendra “Multimedia”, Royal District Theatre nga Gjeorgjia, “Örnproduktion” nga Stokholmi, Theatre on Pechersk nga Kievi, Teatri Shqiptar në Shkup, Malmö Stadsteater, “Dramaten” dhe Göteborgs Stadsteater nga Suedia, shfaqja, krahas tragjedisë antike, përfshin edhe një mit ballkanas: atë të Rozafës, e cila muroset e gjallë në mënyrë që muri i ndërtuar të qëndrojë në këmbë. Por produksioni nuk ndalet me kaq. Ai merr frymë edhe nga një e kaluar më e afërt, që komunikon shumë me realitetin aktual. Vetë prejardhja e aktorëve dëshmon se shumë histori po përsëriten.

Në skenën e mbuluar me miell, që të kujton një skenë refugjatësh, aktorët Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami rrëfejnë edhe ngjarje personale. Dikush tregon se si ia ka mësyrë Lindjes së Mesme për të gjetur babanë që e kishte braktisur para 27 vjetësh. Një tjetër rrëfen se si, në moshën 17-vjeçare, ishte detyruar të përkthente një poezi që e kishte me vete teksa po kalonte kufirin Maqedoni–Kosovë. Poezia i duhej për audicionin e pranimit në Fakultetin e Arteve, ku synonte të studionte aktrimin. Vargjet si “Zgjohu Kosovë” e kishin irrituar policinë aq shumë, saqë ajo ua kishte vënë flakën fletushkave. Ndërkaq, sot, urrejtja dhe mosnjohja e njëri-tjetrit i kanë vënë flakën një pjese jo të vogël të Evropës, me potencial për t’u përhapur edhe më tej. Për shkak të këtyre flakëve, shfaqja ende nuk është dhënë në Kiev.
Regjisori Data Tavadze ka thënë se, në këtë koncept të sjellë nga Neziraj dhe Gabunia, aktorët tentojnë ta shmangin realitetin e tanishëm dhe mundohen të largohen prej tij, deri te mitet.
“Ata tentojnë të mos jenë kontroversë dhe të mos flasin për historinë e politikën e sotme. Zgjedhin të flasin për mitet, por realiteti i tanishëm u vjen menjëherë pas. Çfarëdo që bën sot është politike. Mendoj se kemi krijuar një gjë ku tregohet pak nga historia aktuale dhe pastaj tentohet të iket nga realiteti, por nga fundi paraqitet realiteti prej nga vijnë dhe, në fund, bëhet një thirrje për ndryshim, rezistencë dhe veprim të menjëhershëm”, ka thënë Tavadze.

Në botëkuptimin e tij, për tragjeditë është thënë e shkruar gjithçka.

“Është diçka që duhet ta ketë vëmendjen tonë, pasi, kur diçka që ka ndodhur para 2 mijë e 500 vjetësh ndodh edhe sot para nesh, do të thotë se duhet të ndryshojmë diçka. Nuk ka një fund të mirë për askënd nëse ndezim makinat e tragjedive. Duke i lexuar këto histori dhe duke i krahasuar, arrijmë në një pikë ku pyesim se sa të vjetra janë këto histori dhe sa herë duhet t’i tregojmë, në mënyrë që të mësojmë prej tyre”, ka thënë ai.

Kasti e ka dhënë premierën në Shkup, ndërsa më pas ka vazhduar drejt Kosovës. Shfaqja do të jepet në disa teatro të Ballkanit e më pas në shtete të ndryshme të Evropës. Është një nga ato shfaqje-pamflet që bashkojnë histori dhe, nëpërmjet tyre, ia përplasin publikut një duzinë të dhënash e tragjedish, për ta nxjerrë nga zona e komfortit.

“Me faktin se në shfaqje janë të përfshirë aktorë, teatro dhe kompani teatrore prej së paku katër shtetesh, synonim të gjenim pika tematike që i prekin shoqëritë e këtyre shteteve ose të krijonim një diagonale që lidh atë që po ndodh në Ukrainë, atë që ka ndodhur ose që po ndodh në Gjeorgji dhe atë që ka ndodhur në Kosovë. Pikënisje e kemi marrë mitin e Ifigjenisë, ose mitin e sakrificës së Ifigjenisë, dhe mbi atë mit e kemi ndërtuar këtë shfaqje, duke shtuar edhe elemente tematike që janë referenca të atij miti, si dhe sakrificën e Rozafës, një legjendë ballkanase”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj.

“Unrecognized” (“Të panjohur”), që ka bashkuar tetë teatro e kompani teatrore nga shtete të ndryshme dhe që është dhënë të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i flet fort realitetit aktual. Por zë fill te një mit i moçëm (Foto: Majlinda Hoxha)

Ai ka treguar se brenda miteve kanë përfshirë edhe rrëfime individuale, të cilat janë zhvilluar gjatë procesit të punës me aktorët.

“Pra, janë tema që lidhen me migrimin, kalimin e kufijve, njohjen ose rinjohjen, zhvendosjen e popullatës, sakrificën ose përpjekjen epike të njerëzve për të mbijetuar apo për të shpëtuar të tjerët. Të gjitha këto pasqyrojnë atë që po ndodh sot në Ukrainë, Gjeorgji...”, ka thënë ai.

Për Nezirajn, teatri është aty për t’ia kujtuar publikut tragjeditë, por edhe faktin se ato përsëriten.

“Përderisa ne shpesh harrojmë atë që ka ndodhur para disa vitesh apo shekujsh dhe besojmë se kemi krijuar njëfarë normaliteti që do të vazhdojë përjetësisht, e kuptojmë se, në të vërtetë, tragjeditë janë të riciklueshme, dramat njerëzore janë të përsëritshme, zhvendosjet e popullatës dhe gjenocidet vazhdojnë të ndodhin. Teatri është aty që t’ia kujtojë këtë publikut. Teatri nuk është për ta akomoduar publikun në tema të kollajshme, pasi ato tema eventualisht i gjen diku tjetër”, ka thënë ai.

Ka shtuar se teatri shërben për të shtruar pyetje të vështira, për ta nxitur publikun ta kujtojë të kaluarën, por, mbi të gjitha, për t’i treguar për të ardhmen, e cila mund të jetë reflektim i asaj që po ndodh sot, pasi dramat e së tashmes prodhojnë drama të së ardhmes.

Euripidi, në dramën e tij, vë në pikëpyetje një zakon që e paraqet flijimin njerëzor si akt fetar. Ndërkaq, në shfaqje vihen në pikëpyetje sjelljet e urrejtjes që ndikojnë në të tashmen.

“Duke u bazuar te njohja, te Euripidi, kur Ifigjenia njihet me të vëllain, kjo është kulmi i një vepre. E njëjta gjë ndodh edhe te vendet tona. Sa të njeh shteti si banor? Në këtë rast, si shtetas i Maqedonisë së Veriut, e prezantoj edhe me pasaportë se si është bërë masakër me emrin tim, pasi ata nuk e kanë shkronjën ‘ë’, gjë që ka ndryshuar ndër vite”, ka thënë aktori Shkëlqim Islami.

Shfaqja “Unrecognized” vjen si një lloj laboratori të historisë, që nis këtu e 2 500 vjet më parë. Një histori që bredh, riciklohet dhe përsëritet në forma të ndryshme. Dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të mosnjohjes dhe urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.