Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Beethoven-Porträt: Warhols letzte Ikone

Andy Warhol – Porträt von Beethoven

Warholi e paraqet Beethovenin me ngjyra të ndezura dhe në frymën e pop-artit. Falë kësaj, Beethoveni duket më shumë si bashkëkohësi ynë

Dy gjeni rebelë: Ekspozita “Beethoven by Warhol“ në Shtëpinë e Beethovenit në Bon paraqet një nga kryeveprat e vona të Warholit: serinë kushtuar Beethovenit

Andy Warhol krijoi një imazh të ri të Ludwig van Beethovenit. Në grafikën e tij të vitit 1987, kompozitori i famshëm nuk është njeriu i vrenjtur që shohim në portretet dhe monumentet e vjetra. Warhol e paraqet Beethovenin me ngjyra të ndezura dhe në frymën e pop-artit. Falë kësaj, Beethoven duket më shumë si bashkëkohësi ynë.

Kjo vepër komerciale e gjigantit të pop-artit, e realizuar në një tirazh të kufizuar prej 60 kopjesh, u dëshmua si një nga interpretimet artistike më novatore të Ludwig van Beethovenit në shekullin XX.
Serinë e famshme të grafikave “Beethoven“, Andy Warhol e realizoi vetëm disa javë para vdekjes së tij të papritur, më 22 shkurt 1987. Seria bën pjesë ndër veprat e tij të fundit grafike.

Mënyra se si Warhol iu qas Beethovenit dhe rrethanat në të cilat u krijua kjo vepër, në variantet e saj të shumta me ngjyra, paraqiten në ekspozitën speciale “Beethoven by Warhol“ në Shtëpinë e Beethovenit në Bon, në kuadër të Festivalit të Beethovenit.

Muzeu i Shtëpisë së Beethovenit ndodhet në shtëpinë autentike ku u lind Ludwig van Beethoven, e cila është ruajtur në gjendjen e saj origjinale.

Dy gjeni të barabartë

Në ekspozitë janë paraqitur disa vepra të rralla që vizitorët zakonisht nuk kanë mundësi t’i shohin. Ekipi i kuratorëve të Shtëpisë së Beethovenit dhe i Arkivit të Bonit, i kryesuar nga drejtori Malte Becker, është marrë me këtë temë për tre vjet. Eksponatet i kanë gjetur në arkiva të ndryshme dhe në koleksione private.

Përveç portretit ikonik të Beethovenit, mund të shihen edhe vizatimet e Warholit, të realizuara gjatë kërkimit të tij për motivin e përshtatshëm të Beethovenit në Bon.

Janë ekspozuar edhe prova të shtypit që dëshmojnë se si artisti kërkonte ngjyrat e duhura për këtë seri. Kuratorët janë veçmas krenarë për një print luksoz në pëlhurë. Vepra është në pronësi të një koleksionisti anonim nga rajoni i Renit.

Kuratorja Silke Bettermann ka folur me entuziazëm për këtë vepër: “Warholi na thotë: ‘Shikoni! Ky njeri, Beethoven, është krejtësisht modern! Ai është një superyll!’“

Beethoveni i Warholit dhe heronjtë e tjerë të ekspozitës

Kur diçka duket ose tingëllon e lehtë dhe e natyrshme, pas saj, siç dihet, pothuajse gjithmonë fshihet shumë punë. Ky parim vlen edhe për veprat e Andy Warholit, veçmas për serinë e tij “Beethoven“.
Duke kërkuar Beethovenin e tij, Warholi krahasoi shumë vepra artistike. Ai vetë vizatoi variante të ndryshme të kompozitorit, ndër to edhe monumentin e Beethovenit në Münsterplatz në Bon. Këto vizatime tregojnë edhe një herë se ky artist i pop-artit ishte gjithashtu një vizatues i jashtëzakonshëm.
Në fund, ai zgjodhi portretin e famshëm të Joseph Karl Stieler, të pikturuar në vitin 1820 me porosi të çiftit nga Frankfurti, Franz dhe Antonie Brentano. Ata i përkisnin një familjeje tregtare, ishin adhurues të artit dhe miq të Ludwig van Beethovenit. Qëllimi i portretit nuk ishte vetëm të pasqyronte me besnikëri pamjen e jashtme të kompozitorit, por edhe të përcillte karakterin e tij rebel.

Warholi mori zgjidhjen grafike të Stielerit, por përmes ngjyrave i dha një shprehje krejtësisht të re dhe të ndryshuar. Mbi portret ai vendosi nota muzikore të shkruara me dorë nga “Sonata e Hënës“, ndoshta vepra më e njohur e Beethovenit.

“Beethoveni i Warholit na flet vërtet nëpërmjet muzikës së tij”, thotë kuratorja Silke Bettermann në një bisedë për DW-në.

Legjenda e futbollit në Shtëpinë e Beethovenit

Një rol kyç në realizimin e veprave kushtuar Beethovenit pati galeristi i Warholit nga Boni, Hermann Wünsche. Ai jo vetëm që e vizitonte artistin në New York, por e solli atë disa herë edhe në rajonin e Renit. Wünschesit i detyrohemi për shumë vepra të Warholit me motive gjermane, ndër to portretet e kancelarit federal, Willy Brandt, të vitit 1976, si dhe të portierit dhe futbollistit të kombëtares gjermane, Toni Schumacher. Autorët e ekspozitës nuk i rezistuan mundësisë për të sjellë në Bon si kryeveprën, ashtu edhe njeriun që kishte pozuar për të, aq më tepër që portreti i Warholit sot është në pronësi private të Toni Schumacherit. Schumacheri, i cili sot është 72 vjeç, pozoi për Warholin në vitin 1983.
“Pa modesti të rreme, në atë kohë, në mesin e viteve ’80, unë tashmë isha një yll“, kujton Schumacheri. “Dhe pastaj u shfaq ai, Andy Warhol. Kur u gjendëm në të njëjtën dhomë, pata ndjesinë se po shikoja një superyll të vërtetë, ndaj u tërhoqa pak në plan të dytë. Ishte një moment që të rrëqeth!“

Warholi dhe muzika: një lidhje prej disa dekadash

Në Shtëpinë e Beethovenit është ekspozuar për herë të parë edhe një koleksion unik i kopertinave të pllakave të gramafonit të dizajnuara nga Warholi. Koleksioni është mbledhur nga koleksionisti belg dhe njohësi i veprës së Warholit, Guy Minnebach. Gjatë tri dekadave, Andy Warholi projektoi kopertinat e më shumë se 50 pllakave të gramafonit. Ndër to është edhe kopertina e një pllake të Mendelssohnit me Vladimir Horowitzin, të cilin Warholi e njihte edhe personalisht. Aty ndodhet edhe kopertina legjendare e një pllake të “Rolling Stones”, me një palë xhinse dhe një zinxhir të vërtetë, si dhe kopertina e famshme me bananen për albumin e grupit “Velvet Underground” dhe këngëtares Nico.

“Na duhet më shumë Beethoven“

Me ekspozitën kushtuar Warholit, Shtëpia e Beethovenit njëkohësisht paralajmëron një përvjetor të madh: në mars të vitit 2027, në mbarë botën do të shënohet 200-vjetori i vdekjes së këtij gjeniu të muzikës. “Kjo ekspozitë është një hyrje e mrekullueshme në vitin përkujtimor të Beethovenit“, ka thënë ministri federal i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer. Në fjalimin ceremonial në Bon, ai ka thënë se  “sot kemi nevojë për më shumë guxim në frymën e Beethovenit.“ “Beethoveni nuk ishte vetëm një gjeni i muzikës, i cili i dhuroi botës veprat më madhështore muzikore që mund të imagjinohen“, ka thënë Wolfram Weimer më pas në një bisedë për DW. “Ai ishte rebel, shkelte normat dhe vinte në pikëpyetje marrëdhëniet e pushtetit të kohës së tij. Ai ishte një lajmëtar i lirisë, dhe ky është një mesazh i rëndësishëm edhe për ne sot. Sot kemi nevojë edhe për më shumë liri!“