Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

„Im Schatten eines Baumes…“ in Lissabon, ein historischer Schritt für das Theater des Kosovo.

"Im Schatten eines Baumes saß ich und weinte."

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të ngjitet tri here në skenën e sallës së madhe të “São Luiz”, e cila ka kapacitet prej 690 spektatorësh. Rreth 80 për qind e biletave tashmë janë shitur

Teatri “São Luiz” në Lisbonë të Portugalisë, është skena e radhës për shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt. Pos zgjerimit të hartës së prezantimeve ndërkombëtare të kësaj vepre, ky destinacion shënon edhe një hap historik për teatrin e Kosovës. “Është hera e parë që do të udhëtojmë në Lisbonë. Me sa di unë, është hera e parë që një teatër nga Kosova prezantohet atje”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj për KOHËN. Por jo vetëm kaq: planifikohet edhe një bashkëprodhim madhor me teatrin e njohur portugez

Nga historia e pajtimit të gjaqeve në Kosovë te procesi i pajtimit në Afrikën e Jugut, shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” e zgjeron hartën e rrugëtimit ndërkombëtar. Pas prezantimeve në disa skena evropiane dhe në Afrikën e Jugut, produksioni me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt do të ngjitet edhe në skenën e “São Luiz”, një prej teatrove historike të Lisbonës.

Shfaqja do të jepet më 23, 24 dhe 25 tetor në sallën kryesore të “São Luiz”, në kuadër të programit të rregullt të këtij institucioni. Për ekipin nga Kosova, Lisbona shënon hap të ri në hartën e prezantimeve ndërkombëtare të veprës, e cila që nga premiera botërore në Teatrin e Gjilanit, në tetor të vitit të kaluar, ka nisur rrugëtim përtej Kosovës. Është shfaqur në Itali, Norvegji e Afrikë të Jugut. 

“Është hera e parë që do të udhëtojmë në Lisbonë. Me sa di unë, është hera e parë që një teatër nga Kosova prezantohet atje”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj për KOHËN. 

Ai ka treguar se tri shfaqjet në Lisbonë do të jepen në sallën e madhe të “São Luiz”, e cila ka kapacitet prej 690 spektatorësh, sipas faqes zyrtare të teatrit. “Me sa kam kuptuar, rreth 80 për qind e biletave për tri shfaqjet e radhës tashmë janë shitur”, ka thënë Neziraj.

“São Luiz” është një prej institucioneve historike të arteve skenike në kryeqytetin portugez. Historia e tij nis në fund të shekullit të 19-të. Ndërtesa, sipas të dhënave, u inaugurua më 22 maj 1894 me emrin “Teatro Dona Amélia”, ndërsa në vitin 1918 mori emrin “Teatro São Luiz”, në nderim të njërit prej figurave kryesore që kishte nxitur zhvillimin e tij. Në vitin 2024 institucioni shënoi 130-vjetorin e themelimit. 

Sot “São Luiz Teatro Municipal” e ndërton programin rreth arteve performuese nga Portugalia dhe bota, duke përfshirë teatër, vallëzim, muzikë dhe performancë, si dhe debate e biseda me artistë. Institucioni funksionon përmes tri hapësirave skenike. Është “Sala Luís Miguel Cintra” – aty ku do të jepet shfaqja “Nën hijen e një peme...” –  “Sala  Bernardo Sassetti” dhe “Sala Mário Viegas”. 
Midis programit të institucionit, “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të sjellë përballjen e dy proceseve historike të pajtimit: Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë të vitit 1990 dhe Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut, të themeluar në vitin 1995. Në qendër të rrëfimit janë edhe dy figura që lidhen ngushtë me këto procese – Anton Çetta dhe Desmond Tutu.

Në skenë, këto dy histori që zhvillohen në dy skaje të botës, takohen përmes kujtesës, dhimbjes dhe përpjekjes për pajtim. Shfaqja është produksion i Qendrës “Multimedia” të Prishtinës dhe “The Market Theatre” të Johanesburgut, me një kastë aktorësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. Në prezantimet e mëhershme kanë marrë pjesë aktorët Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca e Amernis Nokshiqi, krahas një ansambli artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. 

“Me Teatrin e Lisbonës e kemi nisur këtë bashkëpunim. Ata janë edhe koproducentë të shfaqjes, pra kanë kontribuar në realizimin e saj, ndërsa tani shfaqja do të prezantohet atje”, ka treguar Neziraj. 

Sipas tij, bashkëpunimi nuk pritet të mbetet vetëm te prezantimi i “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”.

“Bashkëpunimin me ta do ta vazhdojmë. Vitin e ardhshëm do të kemi sërish tri shfaqje të një shfaqjeje të re që po e prodhojmë. Ndërsa në vitin 2028 planifikojmë të realizojmë një koproduksion të madh me ta”, ka thënë ai.

“São Luiz” është një prej institucioneve historike të arteve skenike në kryeqytetin portugez
 

Për dramaturgun Neziraj, shfaqja për tri ditë e “Nën hijen e një peme...” është një lloj hapi i parë i një lidhjeje midis skenës teatrore të Kosovës dhe të asaj portugeze me të cilën, sipas tij, deri tash nuk kishte fare komunikim. 

“Është krijuar një urë komunikimi me një teatër jashtëzakonisht kredibil. Ata e kanë parë edhe më herët punën tonë, e dinë se çfarë teatri bëjmë dhe me çfarë temash preokupohemi. Jemi, në njëfarë mënyre, në një nivel të përafërt sa i përket qasjes dhe vlerave artistike. Prandaj është e natyrshme që ky bashkëpunim të zgjerohet dhe të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Neziraj.

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” është shfaqur tashmë në disa skena jashtë Kosovës. Në prill të këtij viti ajo u prezantua për disa mbrëmje në “The Market Theatre” të Johanesburgut, në një turne që e ktheu shfaqjen në vendin e njërit prej dy rrëfimeve historike që ajo trajton. Turneu në Afrikën e Jugut u zhvillua në 50-vjetorin e themelimit të “The Market Theatre”.

Në qershor u prezantua në Oslo, ndërsa në korrik u bë pjesë e “Mittelfest” në Itali, ku pati premierën italiane. 

Për Nezirajn, Lisbona është vetëm një prej ndalesave në një kalendar që vazhdon të zgjerohet.

“Pas Lisbonës kemi tri shfaqje të tjera në Teatrin e Qytetit të Katanias, në fillim të prillit që vjen, pastaj do të jemi në Milano dhe do të kemi edhe tri shfaqje në Teatrin e Qytetit të Parisit, atë që quhet ‘Delaville’. Kemi gjithashtu plane për Gjermaninë, New Yorkun dhe vende të tjera”, ka treguar ai.

Neziraj ka thënë se nuk di të ketë pasur më herët shkëmbime të tilla teatrore midis Kosovës dhe Portugalisë.

“Me Portugalinë nuk kemi pasur më herët as bashkëpunim, as prezantim dhe pothuajse asnjë kontakt. Nuk jam i informuar, me sa di unë nuk ka pasur shkëmbime teatrore më herët. Ndoshta shfaqje nga Lisbona ose nga Portugalia kanë ardhur në Kosovë, këtë nuk e di, por nuk di që ndonjë shfaqje nga Kosova të jetë prezantuar më parë në Portugali”, ka thënë ai.

Për udhëtimin në Lisbonë, ekipi do të nisë përgatitjet edhe me një ndryshim në kast. “Do të jemi komplet ekipi atje, edhe unë, edhe Blerta, si dhe një pjesë e mirë e stafit të Qendrës, sepse do të udhëtojmë pak më herët”, ka thënë Neziraj.

Ai ka bërë të ditur se në këtë prezantim do të ketë një ndryshim në kast, pasi “në vend të Arben Bajraktarajt do të jetë Adrian Morina”. “Prandaj na duhet të mbajmë edhe disa prova shtesë”, ka thënë ai.