Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Die Kosovo-Philharmonie vereint Werke aus zwei Ländern in der polnischen Kulturhauptstadt.

Filharmonie

Histori më vete ka qenë edhe vepra “Homagium Matri Teresiae” e kompozitorit Mendi Mengjiqi, kushtuar Nënës Terezë. E interpretuar për herë të parë në Krakovë më 1999, me rastin e 600-vjetorit të Akademisë së Krakovës, ajo është rikthyer në të njëjtën skenë pas shumë vjetësh. Kësaj here, oratoriumi ka bashkuar orkestrën, korin dhe solistët vokalë në interpretimin që e ka lidhur krijimtarinë e Kosovës me historinë e këtij institucioni polak (Foto: Arben Llapashtica)

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit polak, Wojciech Czepiel, janë paraqitur në sallën e koncerteve “Prof. Jerzy Katlewicz” me programin që ka ndërthurur homazhin për Papa Gjon Palin II, identitetin muzikor shqiptar dhe një vepër të rëndësishme të kompozitorit polak, Karol Szymanowski. Programi nuk ka qenë veç prezantim i repertorit të dy vendeve. Ka ndërtuar rrëfimin muzikor ku veprat janë lidhur përmes historisë e figurave që kanë rëndësi për identitetin kulturor shqiptar e polak

Me dy koncerte në Filharmoninë e Krakovës, më 16 dhe 17 tetor, Filharmonia e Kosovës e ka sfiduar veten përballë një tradite të konsoliduar të muzikës klasike, duke interpretuar vepra të repertorit polak dhe duke prezantuar krijimtarinë muzikore shqiptare në një prej institucioneve me histori të gjatë koncertale në Poloni.

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit polak, Wojciech Czepiel, janë paraqitur në sallën e koncerteve “Prof. Jerzy Katlewicz” me programin që ka ndërthurur homazhin për Papa Gjon Palin II, identitetin muzikor shqiptar dhe një vepër të rëndësishme të kompozitorit polak, Karol Szymanowski. 

Programi nuk ka qenë veç prezantim i repertorit të dy vendeve. Ka ndërtuar rrëfimin muzikor ku veprat janë lidhur përmes historisë e figurave që kanë rëndësi për identitetin kulturor shqiptar e polak. Hapja me “Ciaccona” nga “Requiemi polak” i Krzysztof Pendereckit i ka shtuar koncerteve karakterin solemn. Vepra, e shkruar si homazh për Papa Gjon Palin II, ka shërbyer si pikënisje e programit që ka ndërthurur nderimin me prezantimin e krijimtarisë muzikore të Kosovës.

Pas saj, poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit kosovar Fahri Beqiri ka sjellë në skenën polake figurën qendrore të historisë shqiptare, të interpretuar përmes gjuhës së muzikës orkestrale. Përballë saj, “Koncerti për violinë nr. 1, op. 35” i Karol Szymanowskit ka përfaqësuar njërën prej sfidave kryesore të koncertit. E ka vënë orkestrën përballë veprës së rëndësishme të repertorit polak, me violinisten Joanna Konarzewska si soliste.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, njëherësh menaxher i institucionit, Dardan Selimaj, ka thënë se projekti është përgatitur shumë kohë më parë, si pjesë e sezonit koncertal 2026–2027, dhe se ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të ndërtuar ndërmjet dy institucioneve.
“Koncertet e Filharmonisë së Kosovës në Krakovë është pjesë e sezonit koncertal 2026/2027, projekt që është planifikuar shumë kohë më parë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Filharmonisë së Krakovës dhe asaj të Kosovës. Marrëveshja për shkëmbimin artistik është arritur në shkurt të këtij viti, pas një koncerti të Kuartetit Harkor dhe Ansamblit Vokal të Filharmonisë së Krakovës. Ky është bashkëpunimi i tretë, por me përmasa më të mëdha”, ka thënë Selimaj.

Më 10 tetor, programi i njëjtë u prezantua në Prishtinë, para se katër ditë më pas të udhëtonte komplet formacioni për koncertet e 16 dhe 17 tetorit në Krakovë, qytet që njihet si kryeqyteti i kulturës në Poloni. 

Selimaj ka treguar se paraqitja e mëhershme në Prishtinë ka shërbyer si hyrje për dy koncertet në Poloni, ku Filharmonia e Kosovës ka pasur mundësinë të interpretojë edhe vepra që nuk kanë qenë më parë pjesë e repertorit të saj.

“Ajo që publiku ka parë në Prishtinë ka qenë një lloj prologu i dy koncerteve në Filharmoninë e Krakovës. Jam jashtëzakonisht i lumtur që në program kemi përfshirë dy vepra të kompozitorëve polakë, të cilat më parë nuk kanë qenë pjesë e repertorit tonë. Një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit ka pasur edhe dirigjenti Czepiel, i cili ka punuar jashtëzakonisht shumë që koncerti të jetë i suksesshëm”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN nga Krakova. 

Pesha e interpretimit të Szymanowskit ka qenë e veçantë për shkak të lidhjes së kësaj vepre me traditën e Filharmonisë së Krakovës, institucion që mban emrin e kompozitorit. Për orkestrën e institucionit shtetëror muzikor, interpretimi i një vepre të tillë në këtë skenë ka nënkuptuar edhe një përgjegjësi shtesë, përtej kërkesave të saj teknike dhe artistike.

Selimaj ka thënë se reagimet pas koncerteve kanë qenë pozitive, veçanërisht për interpretimin e veprës për violinë dhe orkestër të Szymanowskit.

“Jam shumë i lumtur që veprat polake janë interpretuar në një nivel të lartë dhe që kemi marrë vlerësime jashtëzakonisht pozitive. Komente veçanërisht të mira ka pasur për veprën për violinë dhe orkestër të Karol Szymanowskit. Kjo ka qenë me rëndësi të veçantë, sepse përgjegjësia ishte shumë e madhe. Filharmonia e Krakovës ka një traditë të rëndësishme në interpretimin e muzikës së Szymanowskit dhe mban emrin e tij. Prandaj, paraqitja e kësaj vepre në një skenë të tillë kishte domethënie të veçantë. Jam i kënaqur që Orkestra e ka përmbushur me sukses këtë përgjegjësi”, ka thënë Selimaj.

Histori më vete ka qenë edhe vepra “Homagium Matri Teresiae” e kompozitorit Mendi Mengjiqi, kushtuar Nënës Terezë. E interpretuar për herë të parë në Krakovë më 1999, me rastin e 600-vjetorit të Akademisë së Krakovës, ajo është rikthyer në të njëjtën skenë pas shumë vitesh. Kësaj here, oratoriumi ka bashkuar orkestrën, korin dhe solistët vokalë në interpretimin që e ka lidhur krijimtarinë e Kosovës me historinë e këtij institucioni polak.

Vepra e Mengjiqit e ka bërë të dukshme edhe një lidhje tjetër midis dy traditave muzikore. Kompozitori është formuar në frymën e krijimtarisë së Krzysztof Pendereckit, një prej emrave të rëndësishëm të muzikës bashkëkohore polake. Megjithatë, “Homagium Matri Teresiae” e bart identitetin e vet artistik, duke e vendosur figurën e Nënës Terezë në qendër të një kompozimi që përmes muzikës krijon hapësirë për reflektim dhe nderim.

Sopranoja Adelina Paloja, e cila ka interpretuar si soliste në këtë vepër, ka thënë se pritja e publikut polak dhe duartrokitjet pas paraqitjes kanë qenë ndër përjetimet më të veçanta të saj.

“Krakova mbetet ndër emocionet më të bukura artistike për mua. Ishin dy mbrëmje që do t’i kujtoj me shumë emocion. Pritja e ngrohtë e publikut polak dhe duartrokitjet pas interpretimit tim si soliste soprano në Filharmoninë e Krakovës më dhuruan një kënaqësi të veçantë artistike”, ka thënë Paloja.

Ajo ka theksuar se edhe mundësinë për prezantim ndërkombëtar të institucionit. 

“Më gëzon veçanërisht fakti që Filharmonia e Kosovës po hap horizonte të reja drejt ndërkombëtarizimit, duke e prezantuar artin tonë në skenat evropiane”, ka thënë Paloja në një përgjigje. 

Duke iu referuar veprës së Mengjiqit, ka vënë në pah rëndësinë e rikthimit të saj në një skenë. 

“Një lidhje tjetër domethënëse me këtë skenë është edhe rikthimi i veprës madhore të profesorit Mendi Mengjiqi në Filharmoninë e Krakovës, ku ajo ishte interpretuar për herë të parë në vitin 1999, me rastin e 600-vjetorit të Akademisë së Krakovës. Sot, kjo vepër rikthehet me fuqinë e identitetit të saj unik”, ka thënë ajo.

Në këtë program, krahas Orkestrës dhe Korit, janë paraqitur si solistë edhe violinistja Joanna Konarzewska, mexosopranoja Ivana Hoxha, tenori Piotr Kalina dhe bas-baritoni Arkadiusz Jakus. 
Sipas Selimajt, në sallë kanë qenë të pranishëm përfaqësues të jetës publike të Krakovës, muzikantë, muzikologë dhe jo vetëm. 

“Mbrëmja e 16 tetorit shënoi Ditën e ‘Papa Gjon Palit II’, në Poloni.  Në kuadër të shënimit të kësaj date, Filharmonia e Krakovës e ka përfshirë koncertin e institucionit tonë në agjendën e saj. Në koncert kanë qenë të pranishëm personalitete nga jeta publike e Krakovës, si dhe një numër i madh muzikantësh, muzikologësh, kompozitorësh, instrumentistësh e dirigjentësh. Midis tyre kishte edhe ish-kolegë të profesorit Mendi Mengjiqi, të cilët kanë ardhur për të dëgjuar interpretimin e Oratoriumit kushtuar Nënës Terezë, pas shumë vitesh”, ka treguar ai. 

Dy koncertet në Krakoë e kanë vendosur Filharmoninë e Kosovës përballë repertorit që kërkon njohje të traditës muzikore polake, por njëkohësisht që i ka dhënë hapësirë edhe krijimtarisë vendore për të dialoguar me të. Formacionet e Orkestrës dhe ato të Korit të Filharmonisë së Kosovës kthehen në Prishtinë të dielën, në realitetin e kushteve të brishta të vendit për të punuar për programin e rregullt të institucionit.