Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Die Kunst, die aus der U-Bahn kam und die Welt eroberte

keith

“Retrospect”, është pjesë e një ekspozite të re në Muzeun e Romës që sjell më shumë se 140 vepra të Keith Haringut të cilat dëshmojnë stilin e tij unik (Foto: AP)

Artisti i pop-artit, Keith Haring, e nisi karrierën e tij duke mbushur metrotë e New Yorkut me dizajnet e tij karakteristike. Tani, 140 prej veprave të tij të artit janë prezantuar në një ekspozitë të re të hapur në Romë. Ekspozita përfshin vepra të hershme, që nga periudha kur ai nisi të krijonte art në New York, e deri te skulpturat, pikturat dhe veprat që pasqyrojnë angazhimin e tij aktivist

(The Associated Press) – Janë vepra arti shumëngjyrëshe, të guximshme dhe plot me motive, që e bënë Keith Haringun një figurë ikonike. Serigrafia e artistit të pop-artit e vitit 1989, “Retrospect”, është pjesë e një ekspozite të re në Muzeun e Romës me lokacion në Palazzo Braschi. Më shumë se 140 vepra të Haringut dëshmojnë stilin e tij unik.

Ekspozita përfshin vepra të hershme, që nga periudha kur ai nisi të krijonte art në New York, e deri te skulpturat, pikturat dhe veprat që pasqyrojnë angazhimin e tij aktivist.

Disa motive shfaqen rregullisht në veprat e tij, përfshirë qentë, figurat që kërcejnë dhe engjëjt. Të gjitha janë realizuar në një stil të thjeshtë, që pasqyronte dëshirën e tij që ato të shijoheshin nga të gjithë.

Haring është një artist i arsimuar, një artist që ndoqi shkollën e artit e kështu me radhë, por ai u përball me praktikën e artistëve të grafiteve (Foto: AP)

“Ai përpiqej t’u përcillte një mesazh shoqërisë, politikanëve, të gjithëve, përmes imazheve të thjeshta. Pra, ai thoshte se arti është për të gjithë. Arti nuk ka një kuptim të vetëm. Pikërisht për këtë arsye arti është kaq domethënës, sepse nuk ka një përgjigje specifike, por vetëm pyetje. Pra, kur e shikon artin, nuk është e nevojshme të jesh historian arti, nuk është e nevojshme të jesh i pasur; mund të shkosh në muze. Në atë kohë, në vitet ’80, e ndoshta edhe sot, në muze shkonin vetëm intelektualët ose njerëzit nga familje të pasura. Ose ndoshta duhej të ishe pak i çuditshëm që të shkoje në muze. Pra, arti nuk ishte për të gjithë në atë kohë”, ka deklaruar Kaoru Yanase, kuratore kryesore e koleksionit “Nakamura Keith Haring Collection” dhe bashkëkuratore e ekspozitës.

Mes veprave të ekspozuara janë edhe “Subway Drawings”, vizatimet e famshme që shënuan fillimin e karrierës së Haringut, kur ai vizatonte me shkumës në panelet e metrosë së New Yorkut.

Në ekspozitë gjenden gjithashtu panelet ikonike që ai i pikturoi me sprej në vitin 1984 përgjatë rrugës “FDR Drive” në Manhatan. Gjatë jetës së tij, Haring krijoi më shumë se 100 posterë.

“Këtu janë vendosur disa nga punët e tij me postera, që i kemi quajtur ‘arti i posterëve’. Meqë nuk kishte mjaftueshëm kohë për të realizuar të gjitha llojet e veprave, ai arriti në përfundimin se posterët ishin mënyra më e drejtpërdrejtë për t’ia përcjellë mesazhin kujtdo, sepse mund t’i vendosësh në të gjithë qytetin. Ai i përdori posterët – do t’i shihni në një nga sallat – dhe nuk ke nevojë të lexosh shpjegimet. Vetëm duke i parë, mund të kuptosh se cilat janë domethëniet shoqërore dhe çështjet sociale që ai dëshironte të sillte në vëmendje”, ka thënë Yanase.

Ani pse kujtohet si një artist i rrugës, ai frymëzohej nga kultura e ashpër dhe e nëndheshme e New Yorkut (Foto: AP)

Keith Haring e përdori artin e tij si një formë aktivizmi. Krijoi vepra që trajtonin epideminë e AIDS-it, një krizë shkatërruese globale shëndetësore gjatë viteve ’80, e cila goditi rëndë komunitetet homoseksuale.

Artisti u diagnostikua vetë me virusin në vitin 1988 dhe vdiq nga komplikimet e lidhura me AIDS-in në vitin 1990, në moshën vetëm 31-vjeçare.

Haring kujtohet si një artist i rrugës, i cili frymëzohej nga kultura e ashpër dhe e nëndheshme e New Yorkut. Edhe pse njihet gjerësisht për artin e tij të grafiteve në metrotë e qytetit, ai kishte gjithashtu një formim të mirëfilltë akademik, pasi studioi në Shkollën e Arteve Vizuale.

Edhe pse njihet gjerësisht për artin e tij të grafiteve në metrotë e qytetit, ai kishte gjithashtu një formim të mirëfilltë akademik (Foto: AP)

“Është një rast shumë interesant i një artisti që del nga një kulturë e nëndheshme, jo vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, sepse ndodhemi në metro, por edhe sepse është një kulturë e lidhur me atë të artistëve të grafiteve, megjithëse Haring nuk vjen nga ajo botë. Haring është një artist i arsimuar, një artist që ndoqi shkollën e artit e kështu me radhë, por ai u përball me praktikën e artistëve të grafiteve, e përvetësoi atë dhe e përshtati për një periudhë, pikërisht sepse ishte i bindur se përputhej shumë mirë me mënyrën e tij të punës. Ishte një mënyrë shumë e shpejtë e të punuarit, ku vija përcaktohej disi nga vetë veprimi. Gradualisht, ai e kuptoi se gjuha e tij ishte e qasshme dhe mund t’u fliste të gjithëve. Dhe kur kishte mesazhe për të përcjellë, ai e bënte këtë me shumë efikasitet”, ka thënë Claudio Zambianchi, profesor i historisë së artit bashkëkohor në Universitetin “Sapienza” të Romës dhe bashkëkurator i ekspozitës.

Ekspozita përfshin gjithashtu disa vepra madhështore si, “Altarpiece: Life of Christ”. Ky triptik u realizua gjatë vitit të fundit të jetës së tij. Ai u ekspozua në Katedralen e Shën Gjonit në New York gjatë ceremonisë së varrimit të artistit. Ekspozita e hapur më 6 tetor në “Museo di Roma”, do të jetë në dispozicionin e publikut deri më 11 prill 2027.

Marrë nga As