Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Eine Auktion bringt einen seit 50 Jahren ungesehenen Kunstschatz ans Licht.

“Arlequin” i Paul Cézannes pritet të shitet rreth 120 milionë dollarë

“Arlequin” i Paul Cézannes pritet të shitet rreth 120 milionë dollarë

Vepra të piktorëve të famshëm impresionistë, të cilat vlerësohet se do të arrijnë një vlerë prej 450 milionë dollarësh, dalin në dritë për herë të parë në gjysmë shekulli. Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” po nxjerr në ankand koleksionin privat, Blaquier-Arrieta, i cili përfshin vepra të Cézanne, Monet, Renoir, Van Gogh dhe Pissarro

“Arlequin” i Paul Cézanne është një nga veprat kryesore në ankandin e ardhshëm të shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s”, ku do të shiten vepra të piktorëve impresionistë dhe post-impresionistë. Vepra nuk është parë publikisht që nga viti 1975 dhe po tërheq shumë vëmendje në botën e artit. Ajo pritet të jetë një nga veprat për të cilat do të ketë më shumë garë në ankandin që mbahet në New York më 18 nëntor, dhe vlerësohet se do të shitet për rreth 120 milionë dollarë. Është një nga vetëm dy pikturat me figurën e arlekinëve, personazhe tradicionale komike, të realizuara nga Cézanne. Tjetra ishte një vepër më e vogël, e cila u shit në ankand për 8.2 milionë dollarë në vitin 1988.

Helena Newman është kryetare e “Sotheby’s Europe”. Ajo thotë se koleksioni është i veçantë: “Është jashtëzakonisht e rrallë që një koleksion i kësaj cilësie, me nivel dhe përmbajtje muzeale, të dalë në treg. Janë vetëm 12 vepra, por secila prej tyre është e një niveli të tillë që mund të ekspozohej në ‘Musée d’Orsay’. Është vërtet diçka e rrallë dhe gjithashtu shumë pak e njohur. Për pjesë të mëdha të botës, ky është një zbulim. Shumica e njerëzve nuk kanë qëndruar kurrë përballë këtyre pikturave. Ato nuk janë parë publikisht prej rreth 50 vjetësh”.

Janë 12 vepra që pritet të arrijnë një vlerë prej rreth 450 milionë dollarësh në ankandin i cili përfshin vepra impresioniste dhe moderne.

Janë 12 vepra që pritet të arrijnë një vlerë prej rreth 450 milionë dollarësh në ankandin i cili përfshin vepra impresioniste dhe moderne

Koleksioni Blaquier-Arrieta është një nga koleksionet private më prestigjioze të artit në botë. Ai u krijua në vitet ‘70 nga industrialisti i ndjerë argjentinas, Carlos Pedro Blaquier dhe patronia e artit, Nelly Arrieta de Blaquier. Koleksioni ishte i njohur në qarqet e artit, por edhe njerëzit e botës së artit janë befasuar nga pasuria e tij.

“Koleksioni Blaquier ishte vërtet një legjendë. Ne në tregun e artit e dinim se ekzistonte ky koleksion shumë i mirë në Argjentinë, por ishte disi një lloj misteri, sepse askush nuk e dinte saktësisht se çfarë përmbante. Dhe vetëm tani, sot, këto piktura janë prezantuar për herë të parë tërësisht para publikut. Dhe atëherë kupton se çfarë koleksioni i jashtëzakonshëm është në të vërtetë”, ka deklaruar eksperti i artit, Philip Hook.

Vitet 1970 konsiderohen si një epokë e artë për koleksionistët e artit dhe shumë prej veprave që do të dalin në shitje në nëntor u blenë për një pjesë të vogël të çmimit që pritet të arrijnë në vitin 2026. Krijimi i një koleksioni të tillë në ditët e sotme mund të kushtonte afërsisht gjysmë miliardë dollarë, duke e bërë atë të paarritshëm për pothuajse të gjithë koleksionistët privatë.

Për këtë arsye, sipas Newmanit, koleksioni Blaquier mund të jetë një nga shitjet e fundit të këtij lloji.

“Nuk e di nëse do të kemi ndonjëherë mundësinë të shohim përsëri në treg një koleksion të tillë. Dua të them, ky koleksion u krijua kryesisht në vitet ‘70, në një epokë kur mund të hyje në galerinë ‘Lefevre’ në Londër dhe të shihje vepra të mëdha të artit impresionist të disponueshme për shitje. Kjo nuk është mënyra se si, në ditët e sotme, do të hasje vepra të këtij niveli. Ato dalin në treg vërtet vetëm një herë në një brez. Dhe megjithëse mendoj se do të vazhdojmë të shohim koleksione të mëdha arti që dalin në treg në sezonet dhe vitet e ardhshme, nuk mendoj se ndonjë prej tyre do të ketë pikërisht përbërjen e këtij grupi veprash”, ka thënë ai.

Dy veprat kryesore janë “Chataigniers en Fleurs” nga Vincent Van Gogh, e cila nuk u shfaq gjatë prezantimit për media, dhe “Arlequin” nga Paul Cézanne. Së bashku, ato pritet të arrijnë të shiten në një vlerë prej 300 milionë dollarësh.

“En Canot” nga Pierre-Auguste Renoir do të dalë në ankand për herë të parë 

Hook është veçmas i entuziazmuar për veprën e Cézanne.

“Ky është Cézanne në formën e tij më të mirë. Dhe thjesht nuk ndodh që vepra të një cilësie të tillë nga Cézanne të dalin në treg me ndonjë rregullsi. Vepra e fundit me të cilën ndoshta mund ta krahasoni ishte ‘The Card Players’, e cila iu shit privatisht Muzeut Mbretëror të Katarit 10-15 vjet më parë, për 250 milionë dollarë”.

Veprat e Monet, Pissarro dhe Maurice de Vlaminck po ashtu vlerësohet të shiten për dhjetëra milionë dollarë.

“En Canot” nga Pierre-Auguste Renoir do të dalë në ankand për herë të parë. Piktura, e cila paraqet një grua të re të ulur qetësisht në një varkë, e kornizuar nga flamuri trengjyrësh, ndërsa një kanotier energjik kalon pranë saj, ka një vlerësim para ankandit deri në 35 milionë dollarë.

“Epo, po qëndroj këtu përpara kësaj kryevepre të Renoir të vitit 1877, ‘En Canot’. Në njëfarë mënyre, është një nga veprat e tij të mëdha moderne. Ajo u pikturua në të njëjtin vit me ekspozitën e tretë impresioniste, në të njëjtin vit kur impresionistët filluan ta quanin veten impresionistë. Dhe është një kryevepër e vërtetë e mënyrës së tij moderne të paraqitjes së shoqërisë franceze”, ka thënë Newman.

Ekspozita e shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s” me titull, “Legendary: the Blaquier-Arrieta Collection”, do të prezantohet në Londër, Taipei, Hong Kong dhe Paris, përpara se të udhëtojë drejt New Yorkut për ankandin e 18 nëntorit.