Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

„Kosovo-Abkommen“ stellen den Namen wieder her, lösen Memorandum und Erbe auf

Akordet

“Akordet e Kosovës” qe një prej ngjarjeve më të hershme kulturore në vend. Prej 1963-s për dekada u bë një prej skenave më të rëndësishme për afirmimin e muzikës së lehtë shqiptare në Kosovë. Në vitet ‘90 veprimtaria u përball me pasojat e okupimit serb dhe, ndonëse pati përpjekje për ta mbajtur gjallë, më 1995, u ndërpre. Në foto: “Akordet e Kosovës” më 1978. Foto: festakordet.com

“Ndërmerr të gjitha veprimet për zhvillimin e ‘Akordeve të Kosovës’ dhe dy festivaleve (Festivalit të Këngës në RTK dhe Festivalit të Fëmijëve në RTK), në baza vjetore”, shkruhet në Memorandumin midis Ministrisë së Kulturës dhe RTK-së, por tash del se “Akordet e Kosovës” po i kthehet veç si emër Festivalit të Këngës që ka nisur të mbahet prej vitit 2023. Në këtë çakordim, një dorëheqje mbetet e pasqaruar dhe i shtohet edhe përplasja rreth trashëgimisë për “Akordet…”

Mjegulla që ka mbështjellë “Akordet e Kosovës” si tentim për rikthim të festivalit, është thuajse sa nami i dikurshëm i organizimit që mblidhte kompozitorët, instrumentistët dhe këngëtarët më të spikatur të vendit. Përtej anës së kush ka të drejtë ta organizojë festivalin – RTK-ja apo një grupim i ish-punonjësve të asaj që ishte RTP – ka edhe një hendek të madh midis asaj që po organizohet dhe vetë Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës dhe Radiotelevizionit të Kosovës ku përfshihen edhe “Akordet...”. 

Marrëveshja e nënshkruar në ditën e 20-të të majit nga ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, dhe Zana Spahiu, asokohe ushtrueses së detyrës së drejtorit të RTK-së, tash drejtoreshë, ka kohëzgjatje për tre vjet. RTK-ja do të marrë 1.2 milion euro, nga 400 mijë euro në vit, duke filluar prej sivjet. Në këtë dokument çështja e “Akordeve të Kosovës” dhe Festivalit të Këngës në RTK dhe ajo e Festivalit të Fëmijëve janë të ndara. 

“Ndërmerr të gjitha veprimet për zhvillimin e ‘Akordeve të Kosovës’ dhe dy festivaleve (Festivalit të Këngës në RTK dhe Festivalit të Fëmijëve në RTK), në baza vjetore”, është një prej neneve ku RTK merr përgjegjësitë në bazë të Marrëveshjes. 

Por tash del se “Akordet e Kosovës” në vjeshtë po i kthehet veç si emër Festivalit të Këngës në RTK që ka nisur të mbahet prej vitit 2023. 

KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës dhe RTK-ja. Asnjëra palë nuk është përgjigjur për këtë. E, Rilind Gërvalla, deri të shtunën drejtor i Festivalit të Këngës – kur dha dorëheqje të parevokueshme dhe u pasua në këtë pozitë nga Arta Avdiu e emëruar “me vendim unanim të anëtarëve të Bordit të RTK-së pas votimit elektronik” – i ka thënë KOHË-s më herët se sqarimet mund t’i japë drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku. Kompozitori Boshnjaku ka thënë se me Marrëveshje të Bashkëpunimit duket se bëhet fjalë për tre festivale të ndryshme, por ideja është tjetër. 

“Teknikisht dhe praktikisht janë dy festivale: ai i muzikës moderne dhe ai i fëmijëve. Ombrellë bëhet ‘Akordet e Kosovës’ dhe të dy festivalet mbahen në kuadër të ‘Akordeve...’”, ka thënë Boshnjaku. Ka sqaruar se të bëhet Festivali i Fëmijëve krejt i veçantë praktikisht do të rriteshin shpenzimet. Sipas tij, për arsye teknike “Akordet...” do të organizohet tri net me radhë, dy për muzikë moderne dhe një për fëmijë. 

“Që të mos jemi konfuzë brenda festivalit, ‘Akordet...” do të jetë Festivali i Këngës dhe ai i Fëmijëve. Ideja ishte të inkorporohen nën një ombrellë dhe të bëhen dy festivale në një infrastrukturë”, ka thënë Boshnjaku. Sipas tij, mbrëmja për fëmijë ka spektaklin e vet, jurinë e vet, grafikat e veta veçse do të shfrytëzohet infrastruktura e Festivalit të Këngës në RTK. 

“Në natën e dytë të ‘Akordeve...’ jepet çmimi për muzikë moderne, në të tretën është mbrëmja për fëmijë dhe jepet çmimi për atë mbrëmje”, ka thënë Boshnjaku. Sipas tij, këngët fituese në të dyja kategoritë, në të ardhmen kur Kosova të marrë pjesë në “Eurovision” do ta prezantojnë Kosovën në këtë spektakël evropian. 

Por rikthimi i njërit prej festivaleve më të rëndësishme në historinë e muzikës në Kosovë s’përfundon veç me këtë huti. Tash rezultojnë dy nisma të ndara për të njëjtën ngjarje. Derisa Radiotelevizioni i Kosovës ka nisur përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës që këtë vit synon ta rikthejë traditën e “Akordeve të Kosovës”, një grup ish-punëtorësh të Radiotelevizionit të Prishtinës, së paku nëpër rrjete sociale, ka bërë të ditur se do t’i organizojë po ashtu “Akordet e Kosovës”, të planifikuara për më 26, 27 dhe 28 nëntor të këtij viti. Në këtë situatë, krahas përgatitjeve artistike, në qendër të vëmendjes tash është edhe debati rreth trashëgimisë dhe të drejtës për organizimin e festivalit që për dekada ka qenë sinonim i muzikës së lehtë në Kosovë. Këtë të drejtë pretendojnë ta ketë ish-punëtorët e ish-RTP-së së mbyllur dhunshëm më 5 korrik të 1990-s kur forcat policore dhe ushtarake okupuan ndërtesën e institucionit dhe larguan dhunshëm punëtorët e tij. 

Pas përfundimit të luftës, ndërtesa dhe e institucionit u mor në administrim për të krijuar mediumin e ri publik, Radiotelevizionin e Kosovës. 

Ish-producenti i Radiotelevizionit të Prishtinës, Qemajl Sokoli, i cili tash me organizimin e “Akordeve...” prezantohet me titull drejtor dhe producent i ngjarjes, ka kundërshtuar përdorimin e emrit të ngjarjes nga RTK-ja, duke konsideruar se festivali është vazhdimësi e punës së ekipit që e krijoi dhe e organizoi për dekada.

“Ne nuk jemi paralel me ta, ata po mundohen ta përvetësojnë një fëmijë që është i yni, e që janë ‘Akordet...’, të cilat i kemi filluar në vitin 1963. Prej atëherë e deri në mbylljen e Radiotelevizionit të Prishtinës i kemi mbajtur. Prej vitit 1976 unë kam qenë producent televiziv dhe shpeshherë kemi bërë kërkesa në Ministri për të na përkrahur financiarisht”, ka thënë Sokoli.

“Akordet e Kosovës” qe një prej ngjarjeve më të hershme kulturore në vend. Prej 1963-s për dekada u bë një prej skenave më të rëndësishme për afirmimin e muzikës së lehtë shqiptare në Kosovë. Në vitet ‘90 veprimtaria u përball me pasojat e okupimit serb dhe, ndonëse pati përpjekje për ta mbajtur gjallë, më 1995 festivali u ndërpre.

Sipas Sokolit, festivali ka identitetin dhe historinë e vet. Madje sipas tij, ka edhe pronar. 

“‘Akordet e Kosovës’ kanë fizionominë e vet dhe pronarin e vet. Janë njerëzit, punimet, të gjitha ato që i kemi bërë me dekada. E pse nuk i kemi mbajtur ‘Akordet...’ nga vitet ‘90 ka qenë puna e okupimit. Pas lufte kemi pasur shumë kërkesa që kemi drejtuar edhe në Qeveri, e edhe në Ministri të Kulturës, për të na financuar. Kam dokumente. Ky është okupim ose përvetësim i ‘Akordeve...’ sepse ata po mundohen që përmes emrit e famës së ‘Akordeve...’ të bëjnë diçka. Por le të zgjedhin një emër tjetër”, ka deklaruar ai në një bisedë për KOHËN. Krahas RTK-së edhe ky grup ish-punonjësish të RTP-së ka hapur një konkurs për aplikantët që duan të marrin pjesë në “Akordet e Kosovës”. Sipas Sokolit, e drejta autoriale është më e vlefshme se e drejta jetësore. 

“Ne nuk i lejojmë. Nuk ka ‘Akorde...’. Nuk mund të ngrihen mbi famën tonë, sepse ata nuk dinë, janë diletantë. Festivali është i Radiotelevizionit të Prishtinës dhe nuk mundet dikush tjetër ta marrë atë. Të gjitha do t’i organizojmë. Festivali do të mbahet. Shumë i dobët ka qenë Festivali i Këngës për tri vjet”, ka thënë ai. Sipas njoftimit të tyre, mbrëmja për fëmijë parashihet të mbahet më 26 nëntor, ajo e muzikës popullore më 27, e më 28 ajo e muzikës argëtuese. Konkursi i tyre është i hapur prej 1 deri më 15 shtator. Sa u përket financave, në këtë njoftim shkruhet se për këtë i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës. 

“E, nëse ajo na refuzon, atëherë për ndihmë të drejtohemi – ty, o popull”, shkruhet në njoftimin me vulën e RTP-së e nënshkrimin e Sokolit si kryetar i bordit të saj. E si këshill organizativ janë listuar edhe Selami Taraku, Akil Koci, Gjon Gjevelekaj, Myzafer Qafleshi, Përparim Dushi, Ramadan Ramadani, Isak Bajraktari e Osman Canolli. 

Rilind Gërvalla, javë më parë, në cilësinë e drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK, ishte pyetur edhe për këtë nismë paralele. Nuk kishte dashur ta komentonte duke theksuar se fokusi i RTK-së mbetet organizimi institucional.

“Organizimi që po bën RTK është një organizim institucional, i mbështetur në misionin publik të transmetuesit dhe i realizuar nga një ekip i gjerë profesionistësh nga fusha të ndryshme. Në këtë projekt janë të angazhuar qindra punonjës dhe bashkëpunëtorë për ta rikthyer një ngjarje me rëndësi të veçantë për kulturën muzikore të Kosovës. Sa u përket nismave të tjera, nuk dëshiroj t’i komentoj iniciativat jozyrtare. Çdokush ka të drejtë të organizojë veprimtari kulturore në përputhje me ligjin. Fokusi ynë mbetet tek organizimi profesional dhe institucional i ‘Akordeve të Kosovës’, me synimin që kjo ngjarje të rikthehet në nivelin që e meriton dhe në shërbim të publikut, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës”, i kishte thënë ai KOHËS në një përgjigje me shkrim. 

Për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës, RTK-ja ka hapur zyrtarisht thirrjen publike për këngët pjesëmarrëse. Në konkurs ftohen këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Krijuesit mund t’i dorëzojnë veprat muzikore përmes ueb-faqes zyrtare të RTK-së, ndërsa te festivali për fëmijë të drejtë pjesëmarrjeje kanë fëmijët e moshës nga 9 deri në 14 vjeç. Afati për aplikim mbetet i hapur deri më 31 gusht në orën 23:59.

Gërvalla kishte bërë të ditur se procesi i aplikimit tashmë ka nisur.

“Po, aplikimet janë hapur zyrtarisht më 6 korrik. Thirrja publike është e hapur për interpretuesit, kompozitorët dhe autorët, të cilët mund të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar në konkurs. Pas përfundimit të afatit të aplikimit, këngët do t’i nënshtrohen procesit të përzgjedhjes sipas kritereve të përcaktuara nga festivali”, kishte thënë ai. 

Sipas tij, puna për organizimin e festivalit ka nisur shumë përpara hapjes së konkursit. Ka thënë se rikthimi i “Akordeve të Kosovës” është përgjegjësi shtesë për organizimin e ngjarjes sivjet. 

“Përgatitjet më intensive kanë nisur para më shumë se një muaji. Rikthimi i ‘Akordeve të Kosovës’ është rikthim i një tradite me vlerë të veçantë për muzikën tonë. Kjo padyshim e rrit përgjegjësinë tonë, sepse synimi është të ndërtojmë një festival që respekton historinë e tij, por njëkohësisht i përgjigjet standardeve bashkëkohore të organizimit dhe produksionit televiziv. Jemi duke punuar me përkushtim që publikut t’i ofrojmë një ngjarje dinjitoze artistike dhe mediatike”, shkruhet në përgjigjet e Gërvallës.

Këtë vit, emri i “Akordeve të Kosovës” rikthehet në qendër të skenës muzikore por edhe të përplasjes edhe rreth trashëgimisë së tij dhe asaj që shkruhet në letër.

Ähnliche Artikel