Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

„Eine Geschichte aus Taipeh“ beschließt „Das Wochenende…“ mit der Konfrontation zwischen Zukunft und Vergangenheit.

Eine Geschichte aus Taipeh, Edward Yang

Filmi i Edward Yangut, i realizuar më 1985, e vendos rrëfimin në Taipein që ndodhet midis dy kohësh: një e kaluar që ende jeton në kujtesën e personazheve dhe një e ardhme që po afrohet me ritëm të shpejtë, përmes zhvillimit ekonomik, ndikimit amerikan dhe ndryshimit të mënyrës së jetesës

Dashuria, kujtesa dhe përplasja midis së kaluarës dhe së ardhmes kanë qenë në qendër të “A Taipei Story”, filmit të Edward Yangut që ka mbyllur “Fundjavën e Filmit Tajvanez” në Prishtinë. Përmes historisë së një çifti, filmi ka sjellë edhe portretin e një Taipei në transformim të shpejtë, ndërsa publiku ka pasur mundësinë të njohë një tjetër dimension të kinematografisë dhe kulturës tajvaneze

Me “A Taipei Story”, të dielën mbrëma në “Kino Armata” në Prishtinë është përmbyllur “Fundjava e Filmit Tajvanez”, aktiviteti që përmes katër filmave ka sjellë në ekran një pjesë të rëndësishme të kinematografisë së Tajvanit dhe, bashkë me të, edhe pamje të ndryshme të shoqërisë tajvaneze në transformim.

Filmi i Edward Yangut, i realizuar më 1985, e vendos rrëfimin në Taipein që ndodhet midis dy kohësh: një e kaluar që ende jeton në kujtesën e personazheve dhe një e ardhme që po afrohet me ritëm të shpejtë, përmes zhvillimit ekonomik, ndikimit amerikan dhe ndryshimit të mënyrës së jetesës. 
Në qendër të kësaj bote janë Lung dhe Chin, dy njerëz që njihen që nga fëmijëria dhe që tashmë janë në një lidhje dashurie, por që në film ngjan se ata po ecin në drejtime të ndryshme. 

Lung është ish-lojtar bejsbolli, i cili ka mbetur i lidhur me ditët e lavdisë së rinisë. Ai drejton biznesin familjar të tekstilit, por nuk duket se e ka gjetur veten në jetën që po jeton. E kaluara, veçanërisht bejsbolli, për të nuk është vetëm kujtim, por mënyrë për ta ruajtur identitetin që po i largohet. Ai rikthehet vazhdimisht te videot e ndeshjeve, te shokët e vjetër dhe te një kohë kur jeta dukej më e qartë.

Chin, në anën tjetër, përfaqëson një tjetër personazh nga Taipei. Ajo është grua e re që kërkon pavarësi, zhvillim profesional dhe një të ardhme më të mirë. Punon në botën e biznesit dhe është e orientuar nga mundësitë që sjell qyteti i ri. Ajo dhe Lung kanë edhe plane për të ardhmen, përfshirë mundësinë e largimit drejt Shteteve të Bashkuara, por dallimet mes tyre bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Kështu, ajo që në pamje të parë është një histori dashurie që shndërrohet gradualisht në portret të një shoqërie. Lidhja midis dy protagonistëve nuk prishet vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve personale. Ata përfaqësojnë edhe dy mënyra të ndryshme të të menduarit për jetën. Chin kërkon të ecë përpara, ndërsa Lungu vazhdon të kthehet pas.

Edhe krizat familjare dhe ekonomike e vështirësojnë më tej këtë marrëdhënie. Kur babai i Chinit përballet me probleme financiare, Lung vendos ta ndihmojë, duke përdorur edhe paratë që çifti kishte menduar t’i përdorte për planet e veta. 

Pikërisht këtu filmi i Yangut bëhet më shumë sesa një dramë për një çift. Taipei është gjithmonë i pranishëm si një personazh më vete. Qyteti po ndryshon, ndërtesat dhe hapësirat e reja po zëvendësojnë botën e vjetër, ndërsa njerëzit përpiqen të gjejnë vendin e tyre në këtë realitet. 

Për Bleart Thaçin, ironia e rrugëtimit të këtij filmi qëndron edhe në faktin se “A Taipei Story” nuk u prit mirë kur u shfaq fillimisht.

“Pjesa më ironike e gjithë historisë është që filmi dështoi. Nuk dështoi pak, por keq. Kur ka dalë filmi, është pritur tepër keq prej publikut. Sipas raportimeve, ka qëndruar vetëm katër ditë në kinema, kjo për shkak sepse asokohe publiku priste një film shumë më konvencional, më nostalgjik. Nëse patë ‘In Our Time’, e keni parë që mjedisi në të cilin zhvillohet storia është krejtësisht rural. Filmat e fillimit të viteve ’80 në Tajvan kanë të bëjnë me tregime rurale, janë shumë më të qasshme, kryesisht komedi”, ka thënë Thaçi.

Por rrugëtimi i filmit pas premierës do të ishte krejt tjetër. Nga një dështim komercial, “A Taipei Story” është shndërruar në një prej veprave më të rëndësishme të kinemasë së re tajvaneze dhe sot konsiderohet pjesë e kanonit të kinemasë së Edward Yangut. Filmi është restauruar më vonë në 4K, ndërsa Yang është vlerësuar si një prej figurave kryesore të valës së re të kinemasë tajvaneze. 
“‘Taipei Story’ ka një status kulti, konsiderohet një prej filmave më të mëdhenj ndonjëherë. Për këtë film mësohet në shkolla të filmit, është pjesë e syllabusit, sot e kësaj dite ende shkruhen ese për të. Por kur ka dalë nuk është pritur aspak mirë. Ka qenë krejtësisht një dështim total”, ka thënë Thaçi.
Për Valentina Hysenin, një prej elementeve që e bën filmin të veçantë është mënyra se si brenda realitetit tajvanez shfaqen gjurmët e kulturës amerikane. Kalendarët me Marilyn Monroe, muzika dhe elemente të tjera të jetës së përditshme e bëjnë të dukshëm ndikimin që Perëndimi kishte filluar të ushtronte mbi shoqërinë tajvaneze.

“Ka qenë plotësisht artistik. Më ka pëlqyer që ke mundur të shohësh që në Tajvan i kanë gjërat nga Amerika. Ka pasur kalendar me figurën e Marilyn Monroe, ose edhe muzika ka qenë amerikane. Ka pasur detaje që tregonin ndikimin nga Amerika. Kjo më është dukur shumë interesante, gjithashtu skenari, se si duken të ’70-at në Tajvan, më është dukur shumë ‘old school’”, ka thënë Hyseni.
Në filmin e Yangut, ndikimi perëndimor nuk është vetëm dekor. Ai është pjesë e ndryshimit që po ndodh në jetën e personazheve. Chin dëshiron të ndërtojë një të ardhme të re, ndërsa Lung vazhdon të jetë i lidhur me një botë që po zhduket. Përplasja e tyre ndodh shpesh nëpërmjet heshtjeve dhe dialogëve të paplotë, sepse ajo që personazhet ndiejnë nuk përkthehet gjithmonë në atë që arrijnë ta thonë.

“Kishte shumë dialog dhe ke mundur të shihje stereotipat që në Azi nuk flasin shumë për emocionet. Këtë kam mundur ta shoh, sepse protagonistët kanë pasur probleme midis vete, por nuk kanë mundur të flasin ashtu siç duhet. Këta dialogë më janë dukur shumë interesantë”, ka thënë Hyseni.

Për Hysenin, pikërisht kjo e bën kinemanë një mënyrë për të njohur kultura të tjera.

“Mendoj se mund të mësosh shumë kulturën e një shteti prej filmave sepse ka perspektiva ndryshe. Mua më pëlqen të shoh filma të kulturave tjera. Ky vikend ka qenë shumë interesant në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

Këtë dimension të “Fundjavës së Filmit Tajvanez” e ka theksuar edhe Anna Ho nga Zyra e Tajvanit në Hungari, e cila ka vlerësuar interesimin e publikut të Prishtinës për filmat e sjellë në kuadër të programit.

“Jam shumë krenare dhe e nderuar që kemi prezantuar filma shumë të fuqishëm nga Tajvani. Nga publiku, sidomos duke parë pjesëmarrjen, mund të kuptojmë se publiku i Prishtinës e kupton vlerësimin artistik të filmave të Edwardit. Gjithashtu, për herë të parë kur e kemi sjellë ‘A Chip Odyssey’, jam e sigurt se kemi mbledhur një lloj tjetër publiku, i cili nuk është këtu vetëm për ta shijuar mbrëmjen e së premtes, por edhe për të marrë njohuri të reja në një mënyrë shumë të lehtë, përmes imazhit dhe zërit. Kjo është hera e parë që zyra jonë ka sjellë katër filma në Prishtinë”, ka thënë Ho.

Ajo ka shtuar se përmes këtij programi synohet edhe krijimi i një hapësire më të madhe për njohjen e kulturës së Tajvanit në Kosovë.

“Shpresojmë që kjo të sjellë frymëzim dhe gjithashtu më shumë mirëkuptim për kulturën aziatike, veçanërisht për Tajvanin. Shpresojmë që të ketë më shumë ngjarje të tilla, në mënyrë që të krijojmë më shumë mirëkuptim të ndërsjellë mes njerëzve të Kosovës dhe popullit tajvanez”, ka thënë ajo.
Pas dokumentarit “A Chip Odyssey”, që hapi aktivitetin të premten mbrëma, programi vazhdoi të shtunën me “Yi Yi” të Edward Yangut, ndërsa të dielën u shfaqën “In Our Time” dhe “A Taipei Story”. Katër filmat, ndonëse të ndryshëm në formë dhe rrëfim, e kanë vendosur në qendër një Tajvan që ndryshon, duke i dhënë publikut në Prishtinë mundësinë ta shohë këtë shoqëri jo vetëm përmes historisë së saj, por edhe përmes përvojave intime të njerëzve që jetojnë brenda saj.

“A Taipei Story” e ka mbyllur programin me një histori që nis nga një marrëdhënie e dy njerëzve, por përfundon duke folur për një qytet të tërë.