Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
CHRONIK

Suspendohet polici pasi nuk i dorëzoi 105 eurot e gjetura, i la në kuti bamirësie

Kosovo-Polizei

Një zyrtar policor me detyrë në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është suspenduar me pagesë, pas dyshimeve se nuk i ka trajtuar sipas procedurave 105 euro të gjetura në hapësirat e aeroportit.

Rasti është pranuar nga IPK-ja më 14 shtator, ndërsa sipas informatave fillestare të siguruara gjatë hetimit, më 9 shtator një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e shumës prej 105 eurosh.

Në kuadër të hetimeve dhe shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, shtetase e Kosovës me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar paratë zyrtarit policor.

Pas pranimit të rastit, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin dhe administrimin e informatave dhe provave fillestare.

Bazuar në shkresat e pranuara për rastin, zyrtari policor ka pranuar se kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në pajtim me procedurat ligjore dhe institucionale të parapara për raste të tilla.

Sipas IPK-së, paratë më vonë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në aeroport.

Duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe me qëllim të sigurimit të kushteve për zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor.

Hetimet po zhvillohen në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.