Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Wie man zwei Sichtweisen auf ein und dasselbe Albanien versteht

Edhe po të hynte që sot në BE Shqipëria, protestat çfarë ndodhën ditëve të fundit do të mund të ndodhnin po ashtu. Hyrja në BE është synim, e duan 97 për qind e shqiptarëve, e ata që protestojnë sigurisht nuk janë vetëm ata 3 për qind që mund të jenë kundër. Por sikur afrimi me BE dhe progresi drejt anëtarësimit nuk i kanë zgjidhur të gjitha problemet, ashtu nuk do t’i zgjidhë një ditë as vetë anëtarësimi formal. Shqipëria është nisur në rrugëtimin evropian para 30 vjetësh dhe po e sheh se sa e gjatë është ajo rrugë. Të pretendosh se vetëm një njeri mund ta çojë Shqipërinë në BE është kulmi i arrogancës. E arroganca e udhëheqësve politikë e ka sjellë Shqipërinë në këtë situatë ku kemi dy pamje të një shteti, mes progresit që njeh BE-ja dhe mosbesimit që ka populli.

Vërtet ishte paradoksale se si protestat e dhunshme shpërthyen në rrugët e Tiranës pikërisht në ditën kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Luksemburg merrte lëvdata nga zyrtarë të BE-së për progresin që ka bërë vendi dhe mbylli një kapitull të ri të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Zakonisht kryeministrat e një vendi kandidat në të kaluarën nuk kanë marrë pjesë në konferenca të tilla ndërqeveritare (kështu quhen ato takime ku hapen dhe mbyllen kapitujt). Këtë e kanë bërë në të shumtën e rasteve kryenegociatorët, në ndonjë rast ministrat, por jo edhe niveli aq i lartë sa është kryeministri. Sepse takimet e tilla janë shumë teknike dhe janë vetëm një nga shumë etapa në procesin e negociatave të anëtarësimit. Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ngjashëm sikur edhe homologu i tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, nuk duan ta lëshojnë rastin për të marrë pjesë në një ngjarje të bukur që simbolizon suksesin. Dhe pastaj atë sukses ta shesin në shtëpi si emër të tyre. Por kësaj radhe rastisi që Rama të jetë në Luksemburg kur në Tiranë, e më pas edhe në qytete të tjera të Shqipërisë kërkohej dorëheqja e tij. Kërkesa nuk ishte e re, por ajo që ishte ndryshe ishte dhuna që u shfaq në to. Dhuna brirë nuk ka. U pa edhe në fotot dhe videopamjet nëpër media. Dhe po, ajo dhunë erdhi nga të dyja palët. Të papranueshme ishin edhe djegia e objekteve nga ana e protestuesve të dhunshëm, por edhe dhuna në disa raste e shfrenuar e grupeve të policëve.

Me përvojën e ndjekjes së procesit të zgjerimit të BE-së për 28 vjet, me një njohje të konsiderueshme të Shqipërisë (mes tjerash kam raportuar edhe nga trazirat e viteve 1996 dhe 1997), shumë kolegë në Bruksel dhe shumë bashkëbisedues nga institucionet e BE-së menduan se do t’ua shpjegoj se çfarë po ndodhte në Shqipëri. Si mund të ketë kaq shumë pakënaqësi në një vend i cili aq shumë ka përparuar drejt BE-së? Si mund të shpërfaqet aq shumë dhunë, mllef dhe urrejtje nëpër rrugë, media dhe rrjete sociale në një vend dhe shoqëri e cila ka të kaluar të hidhur se ku mund të çojë kjo? Nuk u befasuan shumë kur u thashë se nuk e di. Si mund t’ia shpjegoj dikujt diçka që as vetë nuk e kam të qartë? E të pretendosh se i di të gjitha, këtë mund ta gjesh vetëm nëpër debatet në ato që i quajmë “troje shqiptare”. Edhe gjashtë ditë pas protestave të dhunshme nëpër rrugët e Tiranës, e pjesërisht edhe Vlorës, Shkodrës, Durrësit e Korçës, ka më shumë pyetje sesa përgjigje. Kush janë vërtet ata që djegin dhe shkatërrojnë? Vështirë të besohet se janë iranianë apo rusë, apo në shërbim të tyre. Të besosh se janë serbë s’ka kuptim. Sepse me Serbinë Shqipëria ka vetëm një mospajtim, atë rreth statusit të Kosovës. Për çështje të tjera asnjëherë në histori raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk kanë qenë më të mira. Këtë tash e pesë vjet e thonë nëpër secilin takim udhëheqësit e Serbisë dhe nuk e mohojnë atë të Shqipërisë. Dy liderët deri tash të pakontestueshëm të dy vendeve shkuan aq larg, saqë opinionit evropian bashkërisht ia shfaqin vizionin e tyre për evropianizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Pyetja tjetër e logjikshme, për të cilën nuk kam përgjigje, është edhe ajo rreth sjelljes së policisë. A është policia aq e dobët apo ka lejuar vetë të shpërthejë dhuna në mënyrë që të përdoret për përplasje politike? Apo protestuesit e dhunshëm janë aq mirë të organizuar saqë policia nuk ka mundur t’i parandalojë? Apo në Shqipëri është shembur aq shumë sistemi i sigurisë së vendit, saqë askush nuk ka mundur ta parashikojë se çfarë mund të ndodhë? Dhe jo pa logjikë janë edhe pyetjet rreth një “dore të jashtme“ në këto ngjarje. Dhe nuk ekziston asnjë përgjigje e cila nga përgjegjësia do ta amnistonte shtetin dhe strukturat e tij. Nëse janë shërbimet e huaja, si ka mundur të lejohet ndikimi i tyre? Nëse frustrimi i të rinjve është aq i madh, saqë të shohin dhunën si zgjidhje, si është lejuar kjo kur qeveria paska qenë aq e suksesshme në përmirësimin e kushteve për ta?

Por kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera në të kaluarën, nuk pamë asnjë përpjekje për ndërhyrje nga jashtë, së paku në formën e prononcimeve publike. Ajo që thanë Brukseli, Uashingtoni, ambasadat, eurodeputetët, kongresistët amerikanë, janë vetëm porosi miqësore parimore. Bënë thirrje për shmangien e dhunës, respektimin e pronës, mbrojtjen e objekteve dhe garantimin e të drejtës për të protestuar. Njësoj do të kishin reaguar për secilin vend. Madje Komisioni Evropian ka mundësi ta ketë përdorur të njëjtin prononcim që ka përdorur kur kishin shpërthyer protestat në Serbi, vetëm kanë ndërruar disa emërtime. Këto janë reagime parimore dhe asgjë më tepër nuk mund të thonë, e besa as nuk dinë.

Porositë nga Brukseli e Uashingtoni nuk do të kenë ndonjë efekt në Shqipëri. Politikanët duhet të merren me kërkesat e qytetarëve e jo të presin që lëvdatat nga jashtë t’ua shesin qytetarëve si dëshmi të suksesit. Sot nuk janë vitet ’90 kur shqiptarët me një tranzistor në vesh dëgjonin që BBC nga Londra apo Zëri i Amerikës nga Uashingtoni t’u tregonin se çfarë po ndodh në Tiranë. E dinë mirë vetë dhe e shohin. As Evropa më për ta nuk është e panjohur. Nuk mund t’u shitet më mend se “Evropa ashtu“ apo “Evropa kështu“: Kanë gjysmën e familjarëve në Evropë, dinë gjuhë të huaja, kanë qenë shumë prej edhe në Evropë dhe nuk kanë nevojë që politikanët t’u flasin për Evropën. Nuk kanë nevojë as që burokratët evropianë t’u flasin për Evropën. Dhe e dinë se kjo Evropë ka një pjesë të fajit pse politikanët e sotëm në Shqipëri janë të tillë. Sepse çfarëdo bëjnë ata, do të kenë një lloj mbështetje nga Evropa, së paku nga partitë politike të cilave u përkasin. Mund të çuditen pse Sali Berisha është 35 vjet shef i PD-së (edhe kur nominalisht ishte Lulzim Basha, ai shërbente në emër të Berishës). Po ashtu, mund të çuditen se në PS lider i pakontestueshëm është Edi Rama tash e 21 vjet, duke zhdukur edhe pak pluralizëm të brendshëm që ka ekzistuar para tij në këtë Parti. Por që të dy kanë pasur dhe pjesërisht kanë mbështetje edhe nga Brukseli, Berisha nga grupimi konservator EPP e Rama nga Socialistët dhe Demokratët. Këtu nuk do t’i përmendim mbështetjet individuale të liderëve të shteteve të tjera që vijnë si pasojë e interesave të momentit. Nëse shqiptarët zgjedhin dikë tjetër, BE-ja do t’i pranojë. Por nuk do të ndërhyjë që t’ua zgjedhë shqiptarëve liderët.

Paradoksi do të vazhdojë me vazhdimin e protestave në Shqipëri. Më 4 nëntor Komisioni Evropian do të nxjerrë edhe një raport të progresit ku do të konstatojë se Shqipëria ka bërë progres të mëtejmë në rrugëtimin evropian. Madje do të përsërisë se ajo, krahas Malit të Zi, është udhëheqëse në këtë proces. S’ka dyshim se duhet të gëzohesh kur dëgjon për vendin tënd lëvdata për progres. Por kësaj radhe, duhet rikujtuar se kush janë ata të tjerët që kanë ngecur prapa Shqipërisë. Është Kosova e cila nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së dhe pa fajin e saj nuk e ka statusin e kandidatit fare. Është Serbia që vetë ka hequr dorë nga BE-ja, duke preferuar lidhjet e forta me Rusinë e Kinën. Është Bosnja e Hercegovina që e ka të bllokuar funksionimin e brendshëm dhe si pasojë nuk mund të lëvizë fare. Është Maqedonia e Veriut e bllokuar tash e 17 vjet nga vendet fqinje. Janë Ukraina dhe Moldavia që kanë territore të okupuara nga Rusia. Në këtë grup nuk është edhe për t’u lavdëruar shumë nëse je “prijës“.

Megjithëkëtë, Shqipëria duhet dhe do t’i mbetet besnike rrugëtimit drejt BE-së, çfarëdo që të jetë epilogu i krizës së tashme të brendshme, e këto protesta janë dëshmi e krizës, rezultat i krizës dhe mund të jenë edhe shkaktare të krizave të reja. Sepse një shtet edhe përmes krizave forcohet dhe piqet. Por rrugëtimi evropian nuk duhet të përdoret si mjet për t’i luftuar kundërshtarët në vend. Është një rrugëtim që u takon të gjithëve. Ja sa për të rikujtuar, Sali Berisha dhe PD anëtarësuan Shqipërinë në NATO dhe siguruan heqjen e vizave. Kjo s’ka fare rëndësi, siç nuk ka rëndësi, për shembull, se rrugën e Kroacisë për anëtarësim në BE e nisi qeveria e Ivica Raçanit, e vazhdoi ajo e Ivo Sanaderit (të cilin lufta e vërtetë kundër korrupsionit e çoi në burg me dënim prej 10 vjetësh), negociatat i përmbylli dhe Traktatin e anëtarësimit e nënshkroi qeveria e Jadranka Kosorit, ndërsa formalisht anëtare u bë me qeverinë e Zoran Milanoviqit e me qeverisjen e Andrej Plenkoviqit me sukses po funksionon si shtet anëtar. Krejt këto janë vetëm shënime historike për të cilat nuk mendon më kush.

Edhe po të hynte që sot në BE, Shqipëria, protestat çfarë ndodhën ditëve të fundit do të mund të ndodhnin po ashtu. Hyrja në BE është synim, e duan 97 për qind e shqiptarëve, e ata që protestojnë sigurisht nuk janë vetëm ata 3 për qind që mund të jenë kundër. Por sikur afrimi me BE dhe progresi drejt anëtarësimit nuk i kanë zgjidhur të gjitha problemet, ashtu nuk do t’i zgjidhë një ditë as vetë anëtarësimi formal. Shqipëria është nisur në rrugëtimin evropian para 30 vjetësh dhe po e sheh se sa e gjatë është ajo rrugë. Të pretendosh se vetëm një njeri mund ta çojë Shqipërinë në BE është kulmi i arrogancës. E arroganca e udhëheqësve politikë e ka sjellë Shqipërinë në këtë situatë ku kemi dy pamje të një shteti, mes progresit që njeh BE-ja dhe mosbesimit që ka populli. Dhe atë popull që më shumë se cilido popull tjetër i beson shumë më tepër BE-së sesa politikanëve të vet.