Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Wie wird das enden?

Rritja e popullistëve dhe rënia e tyre ka qenë një cikël i vazhdueshëm politik në skenën evropiane. Ne madje e dimë edhe si do të përfundojë kjo. Historia moderne evropiane na mëson se partitë populliste me rritjen e tyre zakonisht ballafaqohen me dy zgjidhje: ose të modernizohen ose të shuhen

Evropa është në krizë. Kryetitulli i njërës nga mediat më të vjetra në Evropë, AFP-së, është “E djathta ekstreme triumfon”. Kryetitulli i Al Jazeeres është “Marshi i madh i të djathtës ekstreme”. Në Gjermani për herë të parë në gjysmë shekulli një parti anti-evropiane gati hyri në Bundestag. Në zgjedhjet presidenciale të Francës partia popullsite Fronti Nacional shënon rekord të saj historik. Në Itali një parti e re populliste fiton 25% të votave dhe shkakton tërmet në skenën politike italiane. Liderin e saj Der Spiegel e titullon si “Njeriu Më i Rrezikshëm në Evropë”. Në Holandë politikani i cili krahasoi Kuranin me “Mein Kampf” shënon rekordin e tij historik. Në Hungari partia e cila marshon me këmisha të zeza për të nderuar Nazizmin shënon rezultat më të mirë të saj dhe pozicionet si forcë e tretë politike në parlament. Në Greqi një lëvizje e cila hapur promovon Nazizmin fiton për herë të parë ulëse në parlamentin grek. Në Finlandë deputetët e partisë të cilët besojnë se Islami është “feja e pedofilëve” dhe se somalezët janë “gjenetikisht kriminelë” pesëfishon votat e veta dhe bëhet forca e tretë më e madhe në vend. Viti është 2013.

Evropa është në krizë. Kryetitulli i EURONEWS-it është “Ngritja e popullizmit është kërcënim real për demokracinë”. Kryetitulli i CNN-it është “Si popullzimi mund ta sfidojë Evropën”. Duke vështruar kontinentin Evropian nga Vatikani, Papa paralajmëron se “Popullzimi është vetë djalli dhe siç ka treguar shekulli i kaluar - tragjedia është çdo herë epilogu i tij”. Në Gjermani për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore një parti e djathtë ekstreme, anti-myslimane dhe anti-evropiane trefishon votat e veta dhe hyn në Bundestag. Në Francë partia e cila synon mbylljen e të gjitha xhamive dhe daljen nga BE-ja dhe NATO hyn në balotazh presidencial dhe shënon rekord historik të votave. Në Itali dy parti populliste krijojnë qeverinë e parë populliste në kontinentin evropian. Në Spanjë partia e së djathtës ekstreme “VOX” fiton ulëse në parlament rajonal për herë të parë që nga kthimi i demokracisë spanjolle në 1978. Në Austri partia e cila është themeluar nga ish-anëtarët e SS-it gjerman dhe e cila synon daljen nga BE-js dhe afrimin me Rusinë humb zgjedhjet presidenciale për vetëm 0.6%. Në Poloni partia populliste e cila mendon se të huajt janë “parazitë” të cilët i sjellin “sëmundje” popullit polak fiton shumicën e parë parlamentare që nga rënia e komunizmit në 1989. Viti është 2017.

Evropa është në krizë. Kryetitulli i Associated Press është “Evropa është në udhëkryq”. I alarmuar nga ajo që po sheh presidenti francez paralajmëron për “ngjashmëritë ndërmjet kohërave të sotme dhe atyre ndërmjet dy luftërave botërore”. Në zgjedhjet panevropiane për Parlamentin Evropian për herë të parë në histori dy blloqe tradicionale evropiane nuk përbëjnë më shumicën. Partitë populliste fitojnë shumicën në Francë, Itali dhe Angli. Në Gjermani për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore bie “kordoni sanitar” dhe partia e ekstremit të djathtë vendos për fatin e kryeministrit të një shteti gjerman. Në Francë kandidat i partisë së ekstremit të djathtë i cili synon ndalesën e hixhabit dhe dorëzimin e Ukrainës Rusisë përsëri hyn në balotazh dhe thyen rekordin historik të votave. Në Itali për herë të parë që nga Mussolini një parti e të djathtës ekstreme krijon qeveri. Në Spanjë partia populliste “VOX” dyfishon elektoratin e saj dhe tani është forca e tretë politike në vend. Në Poloni dhe Hungari partitë populliste rikonfirmojnë pushtetin e tyre. Në Suedi partia e ngritur mbi themelet e neo-nazizmit bëhet fuqia e dytë politike në vend. Viti është 2022.

Evropa është në krizë. Në Davos Financial Times paralajmëron për “pesimizmin ekstrem për Evropën”, ndërsa Guardian shkruan se si rritja e së djathtës ekstreme është “alarm për Evropën”. Kancelari gjerman paralajmëron kontinentin evropian se rritja e së djathtës ekstreme synon të “shkatërrojë çdo gjë që kemi ndërtuar gjatë gjithë këtyre dekadave të fundit.” Në zgjedhjet panevropiane për Parlamentin Evropian partitë popullore shënojnë rezultat më të mirë historik. Tani ata përfaqësojnë 1/3 e Parlamentit Evropian. Në Gjermani partia populliste të cilën organet e sigurisë gjermane e konsiderojnë ekstreme fiton shumicën në dy shtete gjermane. Në Francë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare partia populliste e ekstremit të djathtë fiton bindshëm zgjedhjet. Tani ajo është partia më e madhe politike në Francë. Ajo njëkohësisht fiton votën popullore në zgjedhjet panevropiane. Në Holandë partia e cila synon de-Islamizimin e Holandës dhe daljen nga BE-ja fiton më së shumti ulëse në histori parlamentare holandeze. Në Austri partia populliste thyen rekord historik dhe fiton zgjedhjet nacionale. Në Finlandë partia populliste kap vendin e dytë dhe për herë të parë hyn në qeveri. Në Greqi tri parti të ekstremit të djathtë hynë në parlament. Viti është 2026.

“Historia nuk e përsërit veten, por ajo rimon” mund të jetë një nga aforizmat më të abuzuar, por së paku në këtë rast aplikohet bukur. Sot duke lexuar kryetitujt apokaliptikë të lajmeve evropiane për ngritjen e partive populliste njeriu fiton përshtypje që asnjëherë nuk ka qenë më keq dhe se jetojmë në kohërat e paprecedenta. Ky udhëtim i yni në kohë na rikujton që këtu nuk ka asgjë të paprecedentë. Rritja e popullistëve dhe rënia e tyre ka qenë një cikël i vazhdueshëm politik në skenën evropiane. Ne madje e dimë edhe si do të përfundojë kjo. Historia moderne evropiane na mëson se partitë populliste me rritjen e tyre zakonisht ballafaqohen me dy zgjidhje: ose të modernizohen ose të shuhen. Kësisoj ndonëse pikënisja e Melonit në Itali ka qenë radikale ajo transformoi veten në një politikane moderne evropiane. Ndonëse Le Pen në Francë katapultoi veten në diskursin publik me pozicionet ekstreme politike, sot ajo çdo ditë e më shumë tingëllon si establishmenti tradicional francez. Hiç më larg se javën e kaluar ajo dënoi në mënyrë të prerë Rusinë për veprimet e saj armiqësore. Është virtualisht e sigurt që AfD-ja është në po këtë rrugë të modernizimit. Dhe kjo nuk është një karakteristikë ekskluzive për kontinentin evropian. Shikoni përtej Atlantikut. Para ardhjes së tij Trump ka promovuar pozicionet ekstreme politike – nga ndërprerja e ndihmës për Ukrainën e deri te dalja nga NATO-ja – vetëm që të përqafojë qëndrimet shumë më tradicionale pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Fjalët “krizë” dhe ‘Evropë” kanë bashkëjetuar që nga themelimi i BE-së. Nga De Gaulle dhe Thatcheri, e deri te kriza financiare dhe BREXIT-i kryetituj globalë kanë deklaruar “Fundin e Evropës” tepër shumë herë. Por çdo herë BE-ja doli nga ato krizat edhe më e fortë se që ishte. Krizat e BE-së nuk janë shenjë e dobësisë së saj, por kapacitetit të saj që nga këto kriza të dalë edhe më e fortë. Krizat e BE-së janë shenjë që BE-ja asnjëherë nuk ka qenë një projekt perfekt, por një projekt i cili që nga lindja e tij është përsosur dhe avancuar vetëm falë besimit të qytetarëve të saj se tërësia e Evropës është më e madhe se copëzat e saj. Prandaj kur tjetër herë shihni një kryetitull të radhës të llojit “Evropa është në krizë” mbani mend se një e ardhme e shkëlqyer është para nesh.