Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Lala

Kjo është një kolumne për qebapa e bozë. Dhe për do imtësira të tjera

Sa herë shkonim në Pejë, babai im më merrte në një ritual të vetin. Më çonte te Musa për t'u qethur dhe, pastaj, aty pranë, të haja qebapa te "Lala". Isha përgjithësisht fëmijë nazeli dhe mami merakosej, ndërsa fëmijët e tjerë m'i numëronin eshtrat e skeletit nën lëkurë, kur shkonim për t’u larë te i Pesti a te Sharra. Mirëpo, te Lala, e rrotulloja një dhjetëshe si të mos ishte fare. Dhe e pija një sok. Atëherë nuk e dija se sokut i thonë lëng në shqipen standarde. Ky ritual ndonjëherë më bënte kaps e mami tash kishte mërzinë tjetër, se nuk po dilja si duhet, pos do kokërdhia të vocrra, derisa ndonjërën nga ditët e mbushja atyhen dhe ajo si studiuese e hutuar që ishte, e shikonte toaletin dhe thërriste me gëzim: „O Fadil, hajde se e paska bërë qysh ma kona mu!“

Vitet nuk duan ta imitojnë njëra-tjetrën dhe unë nisa të rritesha. Rituali im i qethjes dikur u ndërpre, se në adoleshencë kisha ca kërkesa ondulimi që Musa i shkretë nuk mund t’i realizonte. Megjithatë, vazhdonte dëshira ime për të ngrënë qebapa te Lala dhe pastaj të shkoja te "Adriatiku" për bozë e sytliash.

Ndërkohë me shokët e mi nisëm të shtyheshim. Për shokët e mi nga Gjakova, Morina ishte më i miri, për shokët e mi nga Shkupi ishte Destani, për shokët nga Prizreni ishte Syla, e për ata nga Ulqini Lezoja. Për mua natyrisht ishte Lala.

Falë Lalës dhe kureshtjes sime për të vërtetuar se cilat ishin qebapat më të mira në rajon, më askush nuk mund të m’i numëronte eshtrat në trup. Kam edhe dëshmi. Një fotografi e vetme para dyqanit të Lalës te Ura e Zallit.

E shikoj fotografinë: qiky lart, duke qeshur me lezet, me faqe të kuqe e me buzë me yndyrë, jam unë. Qikjo e rrumbullakta si grua shtatzënë, është culla ime. Poshtë janë këmbët e mia të gëzuara se do të më shpien te boza e sytliashi i Adriatikut mëtanë rrugës.

Jeta dinamike në Prishtinë nuk më lejonte të isha i rregullt në vizitat e mia në Pejë, por sa herë do të shkoja atje, fëmijët do t’i dërgoja te Lala. Në njërën nga herët e fundit, ndërsa po hante qebapat e saj, vajza ime nxori telefonin në mes të drekës dhe nisi të shkruante diçka. E pyeta se mos kishte ndonjë problem. Më tha: „Jo, vetëm po u shkruaj shokëve e shoqeve që ua hënkë dreqi Gjakovën e Prizrenin. Këta janë qebapat më të mirë në botë. Kur po shkojmë për bozë e sytliash?“

Vitet nuk imitojnë njëra-tjetrën, de. Njëherë ishte pandemia, e pastaj probleme të tjera dhe më qe bërë ca kohë pa shkuar në Pejë. Këshillat e mjekut i kam ndjekur me kujdes dhe dietat i kam respektuar. Nuk kam më as cullë, as eshtra të vizatuara mbi lëkurë. Mirëpo, qebapa mund të ha një herë në muaj a dy. Me hare u nisa te Lala dhe pashë se ishte mbyllur. Pak më pas, u mbyll edhe Adriatiku (Jadrani në birvakt).

Me to u mbyll një vegëz e trashëgimisë sonë kulturore, sado lokale. Trashëgimia e gjallë nuk ekziston si koncept te ne. Në botë po. E ne kemi nevojë të ruajmë vlerat tona, qoftë edhe nëse ato janë qebapa e bozë. Në Napoli, po e zëmë, i ruajnë me xhelozi Brandin, ku është shpikur margarita, dhe Port'Albën, ku mund të jetë shpikur pica. Jo pse janë picat më të mira në qytet, se pica ka kudo. Ruhet rrëfimi: dija e teknika e picajolit, krejt ekosistemi kulturor i prodhimit të saj, të cilin UNESCO-ja, ku synojmë të hyjmë edhe ne, e ka regjistruar si trashëgimi jomateriale. Të mbyllet Lala, bacë, është si ta prishësh shtëpinë e Emingjikut për të ndërtuar banesa. E dimë se gjëra të tilla kanë ndodhur në Kosovën tonë. Te Katër Llullat ku jetoj unë, e kanë prishur xhaminë e shekullit XVI për ta ndërtuar një më të mirë, më të vjetër.

Lala e Adriatiku në Pejë, Cana në Prishtinë, Morina në Gjakovë nuk janë çështje, thjesht, buke. Janë dije, aftësi, praktikë shoqërore dhe transmetim i tyre, njësoj si furrat, ëmbëltoret e terësit e suxhukut, si filigranistët, punuesit e qelesheve, të veshjeve e të instrumenteve tradicionale, që po dalin nga tregu një nga një. Një institucion publik, që në Kosovë ende nuk ekziston, do të mund t'i identifikonte bartësit e gjallë të këtyre traditave. Kjo është më e fortë se t'ia vëmë një objekti pllakën: monument kulture.

Është diçka që prindërit tanë e bartin te ne e ne e bartim te fëmijët tanë.

Kalova tash një ditë te Ura e Zallit në Pejë dhe shikova aty ku dikur ka qenë qebaptorja. Vendin e ritualit me babain tim. Vajzën nuk kam më ku ta çoj për qebapa e bozë.

Lala ka kohë që është mbyllur. Babai im ka një vit që nuk është më.