Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Fußball

Neue Entwicklungen im Zusammenhang mit Xhakas COVID-Fall

Granit Xhaka

Hetimi i “Blick” është përhapur me shpejtësi të madhe. Granit Xhaka është nën hetim. 

Zyra e Prokurorit Publik të Luzernit ka nisur procedurat. Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës dyshohet se ka falsifikuar certifikatën kundër COVID-it. Rasti e ka potencialin për t’u bërë skandal, nëse konfirmohen akuzat. 

Tani, hetimi nga mediumi zviceran “Blick” ka pasur zhvillime të reja. Thuhet se certifikata është lëshuar nga një mjeke nga Luzerni. Xhaka personalisht nuk e ka komentuar, por përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, është deklaruar të premten mbrëma. “Xhaka e ka konfirmimin nga mjekja se është vaksinuar kundër COVID-it për herën e parë më 25 janar 2022, dhe për herën e dytë më 11 nëntor 2022”, ka deklaruar Bantel. 

Megjithatë, kjo nuk është krejtësisht e saktë. 

“Blicku” e ka siguruar certifikatën që dyshohet se është e falsifikuar. Sipas dokumentit, vaksinimi i dytë ka ndodhur më 8 nëntor, jo më 11 nëntor, siç ka thënë përfaqësuesi i Xhakës. Vaksinimi i parë, në fakt vërtet është më 25 janar 2022, siç shkruhet në dokumente. 

Kur u pyet, Bantel konfirmoi se Xhaka e bëri vaksinimin e dytë më 8 nëntor. 

Kjo është më shumë se një detaj i vogël. Koha e vaksinimit të dyshuar është vendimtare për hetimin e Prokurorit Publik. Certifikata e vaksinimit tregon se Xhaka e ka vizituar mjeken në Luzern personalisht, në secilin rast. Nëse del që kapiteni ka qenë jashtë vendit në ato data, vizita e pretenduar te mjekja në Zvicër do të konsiderohej e pabesueshme. 

Një vështrim në historinë e ndeshjeve të Xhakës vërtetë ngre pikëpyetje. Në fillim të nëntorit 2022, ai i luajti tri ndeshje në Angli, në atë kohë për Arsenalin. Më 6 nëntor, ai dhe ekipi i tij fituan 1:0 ndaj Chelseat. Dy ditë më vonë, më 8 nëntor, ai raportohet se është vaksinuar në Luzern, ndërsa është kthyer në fushën e lojës në Londër më 9 nëntor kundër Brightonit, dhe sërish më 12 nëntor, në udhëtim te Wolverhamptoni. 

Përderisa është teorikisht e mundur për Xhakën të udhëtonte brenda këtyre dy ndeshjeve në orar shumë të ngjeshur, kjo do të ishte e pazakontë të ndodhte te një klub i madh. Për më shumë, Arsenali do të mund ta aranzhonte vaksinimin në një vend tjetër për të. 

Pse Luzerni? Xhaka nuk ka publikisht ndonjë lidhje personale në këtë qytet. Ai kishte dhënë një intervistë për “Blick”, të publikuar më 13 nëntor 2022. 

“Zurichu dhe Luzerni nuk janë për mua. Qyteti im është Bazeli!”, kishte thënë Xhaka. 

“Blick” e kishte realizuar këtë intervistë më 6 nëntor, vetëm dy ditë para dyshimit për vaksinim të Xhakës, në Londër, 15 minuta larg kampusit të Arsenali. 

E gjitha kjo nuk e vërteton fajësinë e Xhakës. Në çdo rast, Zyra e Prokurorit Publik duhet t’i vërtetojë akuzat. Hetuesit janë të interesuar në të dhënat e datave të pagesave dhe biletave të udhëtimit, për ta ditur vendndodhjen e tij në atë kohë. Dhe ndoshta ekziston një shpjegim për çdo gjë. Por për momentin, kapiteni i Zvicrës është i heshtur. 

Të dielën me këtë çështje janë marrë edhe shumë mediume të tjera të fuqishme në Zvicër. 

Mund të ketë dënim me burgim me kusht dhe gjobë për Xhakën. Gjoba me kusht do të arrinte deri në gjashtë shifra. Në baza ditore, ai do të duhej të paguante deri në 3 mijë franga zvicerane. 

“Për shembull, 40 rata ditore me 3 mijë franga zvicerane, dënimi do të shkonte 120 mijë franga. Për më shumë, shtohen edhe shpenzimet e gjykatës”, ka shkruar “20 Minuten”.