Përzgjedhësi i Izraelit në futboll, Ran Ben Shimon dhe kapiteni Eli Dassa, folën në konferencë për shtyp rreth situatës në ekip, kritikave dhe përgatitjeve për ndeshjen ndaj Kosovës.
Izraeli e pret Kosovën në Debrecen të enjten nga ora 20:45. Është ndeshja e tretë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Tek Izraeli shpresojnë të reagojnë pas dy humbjeve, nga Austria dhe Irlanda.
Synimi i izraelitëve është fitorja.
“U rikuperuam, nuk kishte zgjidhje tjetër. Në këto dy ditë u përqendruam në gjërat që ishin më pak të mira, por u përpoqëm të ishim të kujdesshëm dhe të qëndronim shumë afër njëri-tjetrit. Donim t’i zgjidhnim problemet për ta ndihmuar ekipin menjëherë. Pritjet kundër Irlandës ishin shumë të larta, humbja ishte dëshpëruese dhe na rëndoi. Nuk është justifikim, por thjesht kjo është ajo që ndodhi”, ka thënë përzgjedhësi i Izraelit.
Ai ka paralajmëruar ndryshime ndaj Kosovës. Ka thënë se lojtarët që janë në dispozicion mund ta kenë rastin të paraqiten nga minuta e parë. Por nuk ka zbuluar formacionin.
“Të gjithë në këtë listë mund të luajnë në formacion bazë. Nuk do të ketë revolucion, por kushdo që mendoj se duhet të luajë do të jetë në formacion. Kryesisht u përpoqëm të kuptonim se çfarë bëmë gabim dhe ku gabuam. Përveç kësaj, u përqendruam te Kosova dhe avantazhet e saj. Është skuadër shumë cilësore dhe ndoshta skuadra më e mirë në shtëpi së bashku me Austrinë. Presim një ndeshje të vështirë dhe komplekse, të cilën do të donim shumë ta fitonim”, ka theksuar Ben Shimon.
Kosova nuk është kundërshtare e panjohur për Izraelin. Dy përfaqësueset janë përballur dy herë.
Izraelitët kishin barazuar 1:1 me Kosovën në mars të vitit 2023. Ndeshja e parë kualifikuese për Euro 2024 ishte zhvilluar në Tel-Aviv.
Ndeshjen e kthimit në Prishtinë, më 12 nëntor 2023, e kishte fituar Kosova me rezultat 1:0.
Golin e fitores e kishte shënuar Milot Rashica me asistim të Vedat Muriqit. Ky i fundit është kapiten i Kosovës dhe golashënuesi bindshëm më i mirë.
Në konferencë me përzgjedhësin Ben Shimon u paraqit edhe kapiteni Eli Dessa.
Ai po ashtu foli për situatën e ekipit përfaqësues të Izraelit.
“Këto nuk janë ditë të lehta, duhet të shihemi në pasqyrë. Nesër është Kosova. I kemi nxjerrë mësimet tona. Njerëzit duan të shohin rezultate. Në ndeshjen e mëparshme, zemra jonë po punonte shumë, do të na duhet ta kontrollojmë në ndeshjen tjetër”, është shprehur ai.
Dessa e ka vlerësuar lart Kosovën.
“Kosova ka një skuadër të shkëlqyer. Kritikat janë pa mëdyshje të justifikuara dhe legjitime. Kur është mirë për të gjithë ne, jemi të lumtur, por tani për tani nuk është kështu”, thotë Dessa.
Ai ka lënë të kuptohet se shumë shpejt mund të pensionohet nga Izraeli.
33-vjeçari për Izraelin ka luajtur 79 ndeshje nga viti 2015. Mbrojtësi izraelit është pa klub.
“Besoj se kur të mbaroj grumbullimin, e ardhmja ime do të jetë e mbyllur. Është hera e katërt që më ndodh kjo në karrierën time, jo diçka që do ta doja, por është ajo që është”, ka thënë Dessa.