Muharrem Jasharit i është përsëritur lëndimi që e la jashtë për kohë të gjatë. Kjo i ndodhi sa ishte pjesë e Kosovës në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ai është kthyer i lënduar te LNZ Cherkasy dhe nuk ka luajtur fare me skuadrën ukrainase.
Jashari i luajti vetëm 59 minuta në barazimin 0:0 me Izraelin.
Te Cherkasy janë shprehur të shqetësuar për këtë situatë, pasi mesfushori do të mbetet jashtë fushës së gjelbër për disa javë.
Është raportuar në mediumet ukrainase se Jashari vuan nga lëndimi i tendinës. Nuk janë dhënë detaje më shumë rreth lëndimit të kosovarit, por ai kishte munguar prej 16 korrikut deri më 6 shtator.
Gazetari Mikhail Spivakovsky ka thënë se Jashari gjithë verën e kishte kaluar duke sanuar këtë lëndim dhe se para çdo ndeshjeje është dashur t’i nënshtrohej ngrohjeve të veçanta, me plan specifik.
Sipas tij, klubi LNZ nuk ka qenë aspak i kënaqur që mesfushori i është bashkuar Kosovës.
LNZ-ja nuk ka dashur që ta ndalë udhëtimin e Jasharit, por i kishte dhënë stafit mjekësor të Kosovës rekomandimet e nevojshme për procedurat që duhej t’i kalonte futbollisti në stërvitje dhe ndeshje.
Sipas gazetarit ukrainas, stafi mjekësor i Kosovës nuk i ka përfillur ato udhëzime, ndërsa vetë futbollisti nuk ka këmbëngulur në zbatimin e detyrueshëm të procedurave.
Si rezultat i situatës së krijuar, Jashari duhet të mbetet jashtë fushës së gjelbër edhe për disa javë.