Stadiumi “Fadil Vokrri” nuk është ambient i panjohur për talentin Bayernit, Erblin Osmani. Më 1 qershor të këtij viti, 17-vjeçari e vizitoi stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai ndoqi nga afër seancën stërvitore të Kosovës të udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda.
Por tashmë është nën urdhrat e teknikut gjerman. Osmani të hënën e ka zhvilluar stërvitjen e parë si lojtar i përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Është dita e parë e grumbullimit të Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Osmani i është bashkuar Kosovës.
Para se t’i bashkohej Kosovës, 17-vjeçari i Bayernit, ka luajtur për Gjermaninë U16 dhe U17.
Vendimi për të përfaqësuar Kosovën, bëri bujë në Gjermani.
Osmani vlerësohet talent i madh në Gjermani, kurse tashmë ka debutuar për Bayernin në Bundesligë ndaj Union Berlinit më 21 mars të këtij viti.
Me Kosovën për herë të parë stërviti edhe Dion Kaçuri. Ai më herët luajti për të rinjtë e Zvicrës.
Kosova të enjten e luan ndeshjen e parë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Irlandën. Pas tri ditësh luan me Austrinë në Vjenë.
Më 1 tetor luan në Hungari ndaj Izraelit, kurse më 4 tetor e pret Austrinë në Prishtinë.