Gjatë verës Enzo Maresca mori përsipër detyrën ndoshta më të vështirë në futboll – zëvendësimin e Pep Guardiolas te Manchester City. Por në fazën fillestare të mandatit, Maresca po e bën atë të duket si punë e lehtë.
Katër fitore në po aq ndeshje e kanë vendosur Cityn në krye të Premier Leagues, së bashku me Arsenalin. Shenjat e para sugjerojnë se këto dy skuadra do të luftojnë sërish për titull.
Maresca në fundjavë arriti fitoren më të rëndësishme që kur mori drejtimin. Manchester City fitoi 1:0 ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford”, ndonëse luajti shumicën e kohës me një lojtar më pak në fushë.
Phil Foden u përjashtua herët në ndeshje, kurse lojtarët e Cityt pasqyruan qëndrimin e trajnerit të tyre duke ruajtur qetësinë. Kjo lloj qetësie ishte aspekti më mbresëlënës gjatë javëve të para.
Maresca kujtoi shtatorin e kaluar, kur portieri Robert Sanchez u përjashtua pas vetëm pesë minutave lojë tek ish-skuadra e tij, Chelsea, në të njëjtin stadium. Ishte një humbje të cilën ai e përmendi pas ndeshjes të së dielës.
Atë mbrëmje trajneri u detyrua të bënte ndryshime dhe dukej se ishte në panik. Kreu dy zëvendësime në shtatë minutat e para dhe praktikisht kaloi në një skemë me pesë mbrojtës. Por pa e dërguar ndeshjen drejt fitores.
Një vit më vonë, vendimi për të vlerësuar situatën para se të bënte ndryshime të mëdha rezultoi vendimtar. Zhvendosja e Rayan Cherkit në të djathtë dhe zëvendësimi i tij pas pjesës së parë me Iliman Ndiayen ishte një lëvizje e çmuar taktike.
“Për ne është: Erling i lumtur, jetë e lumtur”, tha Maresca i gëzuar pasi u pyet për golin e fitores së Erling Haalandit dhe kontributin e tij këtë edicion.
Komentet e tilla gazmore nga Maresca gjithmonë i qeshur në konferencat për shtyp, janë në kontrast me paraardhësin e tij, Pep Guardiolan, i cili shpesh dukej sikur do të preferonte të ishte kudo tjetër pos në atë karrige.
Në maj, që doli të jetë muaji i fundit i Guardiolas si trajner i Cityt, spanjolli u pyet se cila do të ishte këshilla e tij për pasardhësin në pozitën e shefit të shtabit teknik te skuadra e madhe angleze.
“Të jetë vetvetja”, ishte përgjigja e Guardiolas. Dhe italiani 46-vjeçar po fillon të dalë nga hija e Guardiolas së famshëm.
Derisa Guardiola shpesh reagonte dhe bërtiste në zonën e trajnerit gjatë ndeshjeve, Maresca duket e kundërta. Preferon të qëndrojë në vend pranë fushës, me duar të kryqëzuara. Ndryshimi më i dukshëm në stërvitje ishte futja e muzikës së zhurmshme “house”, të cilën vetë Maresca e përshkroi si muzikë të llojit “bum, bum, bum”. Kjo u bë që lojtarët të ndihen më të lumtur dhe të punojnë më mirë.
Kapiteni i ri, Ruben Dias, tha së fundmi se Maresca solli idetë e tij, por se parimet bazë mbeten të njëjta si në kohën e Guardiolas.
“Sigurisht që ka shumë gjëra, që nga seancat stërvitore e deri te disa detaje rreth mënyrës se si bëjmë presion apo si mbrohemi, që mbajnë vulën e ideve të Enzos”, ka thënë Dias.
“Natyrisht, është ndryshim. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por në një mënyrë ka vazhdimësi në stilin e lojës, ndonëse ka edhe detaje që e bëjnë atë të ndryshme. Megjithatë gjithçka është shumë e ngjashme me mënyrën se si jemi sjellë gjithmonë në klub”.
Ardhja e Marescas solli menjëherë krahasimet e pashmangshme me momentin kur David Moyes zëvendësoi Alex Fergusonin te Manchester Unitedi në vitin 2013.
Në konferencën për shtyp të prezantimit, Maresca përmendi Fergusonin dhe Arsene Wengerin, duke vënë në dukje që klubet patën vështirësi pas largimit të trajnerëve që kishin shërbyer për kohë të gjatë.
Është thuajse e lehtë të harrohet që City e nisi edicionin me humbje 3:0 nga Arsenali në ndeshje për Superkupë. Skuadra u kthye fuqishëm me pesë fitore radhazi, ku përfshihet edhe ajo ndaj Portos në Champions.
Derisa detyra në “Old Trafford” dukej që e tejkalonte kapacitetin e Moyesit, i cili qëndroi vetëm 10 muaj para se të shkarkohej, Maresca duket se po e përqafon “sfidën” dhe “privilegjin” e pasimit të Guardiolas.
Gjatë fazës përgatitore Maresca u tha gazetarëve se ish-trajneri i Cityt do të përmendej shpesh, por tha se kjo nuk i krijon presion.
Ish-trajneri i Chelseat dhe Leicesterit, Maresca, duhej të niste mbarë punën në “Etihad” për të shmangur dyshimet nëse ishte njeriu i duhur për këtë pozitë. Ishte i vetmi kandidat që City kishte synuar për drejtim të skuadrës.
City bëri ndryshime të mëdha në përbërje gjatë verës. Të enjten luan ndaj Norwichit në “Carabao Cup”, ndërsa tri ditë më pas e pret Sunderlandin në Premier League.
Nëse fiton edhe dy ndeshjet e radhës, Maresca do të ketë një fillim thuajse të përsosur të periudhës në një nga pozitat më të vështira në futboll.