Të enjten Brajan Gruda ishte shumë i lumtur kur e pa emrin te lista e lojtarëve të ftuar te Përfaqësuesja e Gjermanisë.
Por, tani ka shqetësime nëse futbollisti i krahut do të mund t’i bashkohet përfaqësueses që udhëhiqet nga përzgjedhësi Jurgen Klopp.
Futbollisti i Leipzigut u desh ta lërë fushën herët në ndeshjen ndaj Leverkusenit. Ai u zëvendësua në minutën e 26-të. Në fund, Leipzigu pësoi disfatë 2:0 në udhëtim te Leverkuseni, në ndeshjen e xhiros së katërt të Bundesligës, të dielën .
Gruda nuk arriti të lërë gjurmë në fillim të duelit. Dhe në minutën e 26-të, 22-vjeçari kërkoi zëvendësim.
Gruda ra në fushë pa pasur kontakt me ndonjë lojtar tjetër dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor.
Kishte probleme me muskujt abdominal, në anën e djathtë. Natyra e saktë e lëndimit ende nuk dihet.
Gruda parashihej të kishte minuta në ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Serbisë dhe Greqisë.
Futbollisti me prejardhje nga Shkodra ka munguar edhe më herët në këtë edicion. Ai kishte telashe me nyjën e këmbës në Bremen, ku Leipzigu e pësoi disfatën e parë të sezonit, 3:1.
Ndaj Comos luajti si zëvendësues në ndeshjen e parë të fazës së ligës në Champions, por Leipzigu pësoi humbje 4:1.
Kundër Hamburgut u kthye përfundimisht në fushën e lojës dhe ishte titullar, ndërsa ndihmoi fitoren 5:0.
Leipzigu me këtë disfatë mbetet me gjashtë pikë, një më pak se Leverkuseni.