Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Fußball

Die Brillanz der Albaner im besonderen Club in der Türkei

Truthahn

Galatasaray, Fenerbahçe, Beshiktashi e Trabzonspori kanë fituar të gjitha titujt në Turqi, përveç dy prej tyre, që nga Lufta e Dytë Botëore. Por këtë edicion, katër gjigantët turq po rivalizohen goxha fort nga Amedspori, që udhëhiqet jashtë vijave të fushës nga trajneri nga Kosova, Besnik Hasi. Në suksesin e deritashëm në Superligën e Turqisë, rol kyç brenda vijave për Amedsporin kanë luajtur edhe dy futbollistët e Kosovës, Ermal Krasniqi e Lumbardh Dellova.

Amedspori nga tetë ndeshje, debutuesi në Superligën e Turqisë, ka fituar 17 pikët. Vetëm Galatasaray ka dy pikë më shumë në vendin e parë. Prapa Amedsporit, klubit të vetëm kurd të elitës turke të futbollit, janë Fenerbahçe e Trabzonspori me nga 16 pikë.

Krasniqi 28-vjeçar ka luajtur të gjitha tetë ndeshjet e deritashme në elitën turke të futbollit. Dellova 27-vjeçar ka një ndeshje më pak të zhvilluar. I mungoi Amedsporit në ndeshjen e fundit për shkak të lëndimit. Por pasi të rikuperohet, Dellova do të pozicionohet sërish në qendër të mbrojtjes.

Krasniqi mbulon krahun e djathtë te Amedspori dhe është i lumtur me kontributin. Ai ka dhënë dy asistime.

“Jam i lumtur që kam arritur ta ndihmoj ekipin, por për mua më e rëndësishmja është suksesi i Amedsporit. Dua të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe ta ndihmoj ekipin sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Krasniqi për KOHËN të enjten.

Krasniqi iu bashkua në verë Amedsporit, ndërsa vlerëson punën e trajnerit Hasi. E vlerëson po ashtu edhe Dellovën.

“Ajo që kemi treguar deri tani është rezultat i punës së madhe të gjithë ekipit. Kemi krijuar një grup shumë të mirë, kemi një atmosferë pozitive dhe kemi një lidhje të fortë mes njëri-tjetrit. Fakti që jem dy  lojtarë nga Kosova na ndihmon të ndihemi edhe më mirë, sepse njihemi dhe kuptohemi shumë mirë në lojë. Trajneri Besnik Hasi është profesional dhe ka shërbyer shumë në ngritjen time dhe lojtarëve tjerë. Po bën punë të madhe me ne dhe ka merita të mëdha për këtë arritje”, thotë Krasniqi.

Klubi i qytetit 12 mijë vjet të vjetër

Amedspori për herë të parë në histori po paraqitet në elitën turke të futbollit. 

Amedspori është klub me bazë në Diyarbakiri, 1/400 kilometra në juglindje të Stambollit dh qyteti më i madh me shumicë kurde në Turqi. Kurdët e cilësojnë 

Diyarbakirin, qytetin 12 mijë vjet të vjetër, si kryeqyteti i Kurdistanit.

I formuar në vitin 1972, ndërsa emrin Amedspor e mori në vitin 2014.

“Jeta në Diyarbakir është e mirë dhe gradualisht jam duke u ambientuar me qytetin. Njerëzit këtu janë shumë të lidhur me futbollin dhe e ndiejnë dashurinë që kanë për klubin. Kur të shohin në qytet të përshëndesin, të urojnë suksese dhe të japin shumë mbështetje dhe mund te them se deri me tani nuk kam pasur ndonjëherë mbështetje më të madhe se këtu nga tifozët dhe të gjithë ata që e mbështesin Amedsporin. Kemi çdo ditë kërkesa për fotografi, nënshkrime e fanella”, ka theksuar Krasniqi.

Amedspori është shumë larg majës së futbollit turk dhe sukseseve të Galatasarayt, Fenerbahçes, Beshiktashit e Trabzonsporit. Por në tetë xhirot e para, kanë treguar se ambiciet e tyre janë të mëdha për sukses historik – paraqitjen në Evropë.

“Amedspori është një klub me ambicie të mëdha dhe me një organizim që të jep mundësinë të përqendrohesh plotësisht te futbolli. Kushtet e punës janë të mira dhe klubi mundohet të na ofrojë gjithçka që na nevojitet për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjet. E rëndësishme është që ndihesh pjesë e një projekti serioz dhe e sheh që ka shumë njerëz që punojnë për suksesin e ekipit”, ka theksuar Krasniqi.

Tifozët e Amedsporit kanë besim te lojtarët për arritje historike.

“Kur ekipi është në formë të mirë, e vëren edhe më shumë entuziazmin e tyre. për mua është shumë e rëndësishme të ndihem mirë edhe jashtë fushës, sepse kjo të ndihmon të jesh i përqendruar te futbolli. Deri tani, përjetimet e mia janë pozitive dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij klubi dhe këtij qyteti”, është shprehur Krasniqi.

Vlerësimi për trajnerin Besnik Hasi

Trajneri Hasi e ka theksuar më herët se është i kënaqur me Krasniqin, Dellovën dhe lojtarët tjerë.

Por edhe tek Amedspori janë të kënaqur me punën e Hasit.

Presidenti i Amedsporit, Nahit Eren, thotë se admiron punën e Hasit. 

“Në fillim të sezonit, preferenca jonë ishte për një trajner të huaj dhe trajneri Besnik Hasi është dikush që e admiroj vërtet. Ai është një trajner i disiplinuar me aftësi të forta komunikimi. Jemi të kënaqur me të dhe shpresoj që edhe ai të jetë i kënaqur me ne”, është shprehur Eren të enjten në konferencë për media.

Krasniqi thotë se paraqitjet tek Amedspori e kanë ngritur edhe më shumë si lojtar.

“Për mua të jem pjesë e kombëtares së Kosovës është gjithmonë një krenari dhe përgjegjësi e madhe. Natyrisht, paraqitjet e mira me klubin të japin besim dhe motivim shtesë, por kombëtarja është një histori tjetër. Tifozët mund të presin nga unë përkushtim, punë dhe dëshirë të madhe për ta përfaqësuar vendin sa më mirë”, ka thënë Krasniqi, duke vënë në pak ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës.

“E dimë sa të rëndësishme janë ndeshjet e nëntorit dhe do të përgatitemi maksimalisht për to. Shpresoj ti bëjmë tifozët tanë krenarë dhe së bashku të arrijmë rezultate pozitive”, ka thënë futbollisti i Amedsporit.

Amedspor nuk është klubi i parë kurd që paraqitet në Superligën e Turqisë. Diyarbakirspor kaloi 11 sezone në atë nivel, së fundi në vitin 2010.