Dy gabime në mbrojtje ia kanë mohuar pikët Interit në “Santiago Bernabeu”, me gjithë paraqitjen e mirë. Të martën mbrëma, në ndeshjen kryesore të xhiros së parë të Ligës së Kampionëve, Real Madridi fitoi 2:1 ndaj Interit.
Kampioni italian nisi furishëm ndeshjen. Por kur pritej që Interi të shënonte, këtë e bëri Real Madridi.
Kylian Mbappe shënoi për 1:0 në minutën e 14-të, pas një gabimi në mbrojtjen italiane. Nuk vonoi shumë dhe gabimin e portierit të Interit në gol e shndërroi Federico Valverde. Ai realizoi në minutën e 23-të për 2:0.
Shifrat nuk ndryshuan më në pjesën e parë.
Interi kërkoi të kthehej në lojë në pjesën e dytë, por rastet i kishin edhe vendasit. Carlos Augusto shënoi në minutën e 77-të për 2:1. Megjithatë kjo ishte e tëra që bëri Interi, falë edhe formës së lartë të portierit të Real Madridit, Thibaut Courtois.
Me gjithë humbjen, paraqitja e Interit u vlerësua. Ndërkohë Real Madridi ka dëshmuar pse është skuadër e “specializuar” për Champions. Mori pikët e plota, ndonëse nuk shkëlqeu në fushë.