Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Fußball

Kosovo ohne seinen ehemaligen Kapitän und mit Bayerns großem Talent

Franco Foda

Fillimi i edicionit të ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s shënon edhe fillim të një epoke të re për ekipin kombëtar të Kosovës në futboll.

Selektori Franco Foda të premten publikoi listën e lojtarëve në të cilët llogaritë për katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.

Në listë nuk është kapiteni i deritashëm, Amir Rrahmani, që ka vendosur të largohet nga përfaqësuesja i pakënaqur me drejtuesit e FFK-së. Për më tepër, mbrojtësi i Napolit ka bërë akuza të rënda ndaj drejtuesve të Federatës. Mungon në listë edhe Florent Hadërgjonaj, që nuk është ftuar rregullisht së fundi. Ai të enjten deklaroi se largohet nga ekipi, i pakënaqur me shtabin teknik. Ndërkohë të premten është publikuar vendimi për përfundim të karrierës ndërkombëtare nga mesfushori Valon Berisha dhe mbrojtësi Fidan Aliti.

Për shkak të lëndimeve mungojnë Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija dhe Kreshnik Hajrizi.

Në listë bie në sy emri i talentit të madh të Bayernit, Erblin Osmani. 17-vjeçari ka luajtur për U16 dhe U17 të Gjermanisë. Mesfushori tashmë ka debutuar për ekipin e parë të Bayernit dhe vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së Kosovës.

Dion Kaçuri është emër tjetër i ri në listë. Mesfushori 22-vjeçar ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës. Nuk është përmendur si kandidat për Zvicrën A. Aktualisht tek Austria Lustenau, në huazim nga Baseli, Kaçuri pritet t’i shërbejë forcimit të konkurrencës në mesin e fushës.

Milot Avdyli është ftuar për herë të parë te Kosova A. Më herët ishte pjesë e rëndësishme e Kosovës U21. 24-vjeçari është shpërblyer për paraqitjet e mira te Celje në Slloveni.

Të tjerët janë emra të konfirmuar, ndërsa disa kthehen në ekip. Arijanet Muriq, Amir Shaipi dhe Visar Bekaj janë portierët e ftuar. 

Albian Hajdari pritet të jetë lider i ri i mbrojtjes, kurse pos tij janë ftuar edhe Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Leard Sadriu e Dion Gallapeni. 

Leon Avdullahu vlerësohet i pazëvendësueshëm në mesfushë. Prej mesfushorëve dhe sulmuesve të krahut janë ftuar edhe Ermal Krasniqi, Baton Zabërgja, Veldin Hoxha, Vesel Demaku, Lindon Emërllahu, Donat Rrudhani, Muharrem Jashari, Valmir Matoshi, Milot Rashica, Edon Zhegrova. Për qendër të sulmit konkurrojnë të zakonshmit Vedat Muriqi, Fisnik Asllani e Albion Rrahmani.

Kosova më 24 shtator luan në Prishtinë me Irlandën. Më 27 shtator është ndeshja Austri – Kosovë. Më 1 tetor në Debrecen luhet takimi Izrael – Kosovë, ndërsa më 4 tetor Kosova e pret Austrinë në “Fadil Vokrri”.

Kosova kërkon suksesin në Ligën e Kombeve, pasi luajti në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Grumbullimi i lojtarëve bëhet të hënën. Stërvitja e parë është nga ora 17:00 në “Fadil Vokrri”.