Më 24 shtator, Kosova luan ndaj Irlandës në Prishtinë, ndërsa Austria e Izraeli përballen në Linz. Janë këto ndeshjet e para të Grupit 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Grupi vlerësohet i fortë dhe thuajse i barabartë. Të gjitha përfaqësueset e kërkojnë vendin e parë.
Dhe ndonëse Irlanda fillimisht luan me Kosovën, te kjo përfaqësuese gjitha diskutimet aktualisht janë për ndeshjen e dytë, atë ndaj Izraelit. Kjo ndeshje zhvillohet më 27 shtator në Debrecen të Hungarisë. Vendas është Izraeli. Në Debrecen luhet edhe ndeshja Izrael – Kosovë, më 1 tetor.
Në Irlandë përkrahja për Palestinën është shumë e madhe. Ka pasur dhe vazhdon të ketë zëra që ndeshjet me Izraelin nuk duhet të zhvillohen fare. Madje është shqyrtuar kjo mundësi, por është hequr dorë për shkak të sanksioneve që do të pasonin.
Për shkak të mundësisë së incidenteve, Irlanda ka vendosur që edhe ndeshjen si nikoqire ndaj Izraelit ta organizojë në terren neutral. Është vendosur që ajo të luhet në Serbi, më 4 tetor. Nuk do të ketë shikues.
Selektori i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka treguar se ka biseduar individualisht me lojtarët rreth ndeshjeve me Izraelin. Ka thënë se “askush prej nesh nuk ndihet rehat duke luajtur në këto ndeshje”.
“Sigurisht që kemi mendime të ndryshme dhe qëndrime me intensitet të ndryshëm”, ka thënë Hallgrimsson. “Mendoj se është mirë të them, pa hyrë në detaje për individë, se askush prej nesh nuk ndihet rehat duke luajtur në këto ndeshje. Por pasi kemi vendosur t’i luajmë ato, ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe luajmë si një trup i vetëm”.
Në korrik delegatët e federatës irlandeze mbështetën vendimin për të luajtur ndeshjet, mes shqetësimeve se bojkotimi do të shkaktonte dëm të rëndësishëm për federatën.
Por kishte presion për vendimin. “Irish Sport” po e zhvillon fushatën “Stop The Game”, që është përkrahëse për Palestinën, dhe ka bërë thirrje për bojkot. Thirrja për bojkot është përkrahur nga ish-trajnerë dhe ish-lojtarë të Irlandës. Në maj u ndërpre përkohësisht një ndeshje ndaj Katarit në Dublin, kur u hodhën topa tenisi në fushë. Topat përmbanin mesazh pro-Palestinë.
Irlanda së fundi është mposhtur 1:0 nga Portugalia më 11 tetor 2025.
“Jemi në seri pozitive dhe duam të vazhdojmë atë”, ka thënë selektori Hallgrimsson.
“Jemi të pamposhtur në shtatë ndeshje dhe mendoj se asnjë përfaqësuese nuk dëshiron të luajë kundër Irlandës për momentin”, ka shtuar ai.